Kristiano Ronaldo: Do ta zbresim Barçelonën në tokë
Sulmuesi i Real Madridit, Kristiano Ronaldo është i vendosur t’i japë fund dominimit të Barcelonës në sezonin e ardhshëm dhe po mendon ta zbresë me këmbë në tokë klubin katalanas. Barça fitoi La Ligan, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Spanjës sezonin që shkoi. Klubi katalanas konsiderohet si njëri prej më të mirëve në histori të futbollit. Sidoqoftë, lojtari i Portugalisë insiston se epoka e katalanasve do të marrë fund shumë shpejt. “Në mënyrë që ta ndalim Barcelonën, ne duhet ta mposhtim atë. Mund ta fitojmë titullin në La Liga nëse i mposhtim ata. Ne do të jemi shumë të fortë sezonin e ardhshëm dhe kam besim se i posedojmë ato që nevojiten për t’i mundur. Do ta zbresim Barcelonën në tokë”, deklaroi ylli portugez për ‘Vatan’. Përfaqësuesi portugez gjithashtu ka diskutuar për transferimin e ri, Nuri Sahin në “Santiago Bernabeu”. Ish-futbollisti i Mançester Junajtid bëri të ditur se do ta bëjë të pamundurën për ta ndihmuar mesfushorin turk që të futet menjëherë në lojën e klubit madrilen. Përfaqësuesi turk arriti në klubin nga kryeqyteti spanjoll pas një sezoni të shkëlqyer me Borusia Dortmundin. “Nuk di shumë për të. E kam parë duke luajtur në kampionatin gjerman disa herë. Do të bëj gjithçka mundem që ai të ndihet si në shtëpi. Gjëja e rëndësishme është se çdokush duhet të kontribuojë që Real Madridi të fitojë trofe”, tha në fund Kristiano Ronaldo. Barcelona dominoi tri vitet e fundit në futbollin spanjoll, duke e lënë gjithnjë prapa klubin madrilen. Por, Ronaldo beson se ekipi i Zhoze Murinjos më në fund do ta ‘zbresë nga qielli’ klubin katalanas.
Valdes: Na pret një sezon i vështirë
Në anën tjetër, portieri i Barcelonës, Viktor Valdes thotë se blaugranat do t’i presë një punë e vështirë për ta përsëritur sezonin heroik, por shton se ekipi i Pep Guardiolas ka kapacitet për ta bërë një gjë të tillë. “Nuk dëshiroj të flas për Real Madridin. Unë po flas vetëm për Barcelonën. Ne e dimë se na pret një tjetër sezon i vështirë dhe i gjatë, por ne jemi gati”, tha Valdes për ‘El Periodico de Catalunya’. “Njerëzit e njohin filozofinë tonë. Për mua futbolli është gjithçka rreth mbajtjes së topit dhe fitimit të ndeshjeve. Detyra ime personale është që të mos pësoj gola. Vite më parë, Injesta dhe unë vëmë bast se do t’i fitonim tre tituj të Ligës së Kampionëve. Ishte vetëm një ëndërr, por që u realizua. Triumfi në “Ëembley” ishte gëzimi më i madh në jetën time”, përfundoi portieri spanjoll. Valdes ishte pjesë e Barçës në triumfin e sezonit 2005-06 ndaj Arsenalit në finale. Pastaj ai fitoi dy herë ndaj Mançester Junajtid në finale, në sezonin 2008-09 dhe sezonin që shkoi.