Dorëheqja e Ahmetit, veprim i papjekur politik

Amir Ahmeti, i cili vjen nga Partia e Drejtësisë, nëpërmjet një letre dërguar mediave kishte njoftuar se jep dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet në PD dhe koalicioni qeveritar.
Në njoftimin e Ahmetit thuhej se jep dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet në PD dhe nga koalicioni i KKR-se, kurse në Kuvendin e Kosovës do të mbrojë ngjyrat e elektoratit të PD-së dhe programit me të cilin i kanë fituar mandatet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mirëpo, nënkryetari i Partisë së Drejtësisë, dhe njëherësh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Jeton Svirca ka thënë për Kosovapress se Amir Ahmeti, nuk e ka legjitimitetin e kryesisë së partisë që të mbrojë interesat e elektoratit të PD-së.
“Unë dua të them se ai nuk e ka legjitimitetin e kryesisë së partisë që të mbrojë interesat e elektoratit të PD-së. Ne kemi deputetët tanë në Kuvendin e Kosovës të cilët janë legjitim karshi premtimit që i kanë marrë në emër të partisë. Gjithashtu kemi edhe ministrin i cili është duke punuar për programin e partisë në kuadër të qeverisë. Ne mendojmë se gjithsesi neve na vije keq për veprimet që i ka bërë, por mendojmë se kjo nuk do të ndikojë që të ketë ndonjë krizë institucionale në Kosovë”, ka thënë ai.
Sfirca ka pohuar, se lajmin për dorëheqjen e Ahmetit nga të gjitha funksionet e PD-së, e kanë marrë nga mediat, duke deklaruar se nuk i dinë arsyet e dorëheqjes së tij, duke e quajtur gjestin e tij, si veprim të papjekur politik.
“Po edhe ne jemi njoftuar nga mediat nuk kemi diçka të shkruar dhe dokumentuar, por kemi dëgjuar se e ka konfirmuar dorëheqjen. Dorëheqja e tij është një veprim i papjekur politik. Ne nuk pajtojmë si Kryesi e Partisë me sjelljen e tij që është duke e bërë, gjykojmë se veprimet e tij janë duke u bërë në kundërshtim me interesat e partisë dhe programin dhe statutit që e kemi. Ne mendojmë se ai është duke punuar për karrierën e tij”, ka thënë ai.
Megjithatë, Sfirca pranon se raportet e komunikimit mes deputetëve tjerë dhe Ahmetit kanë qenë shpesh në kundërthënie, duke shtuar se ai jo rrallë herë ka shkelur statutin dhe programin e partisë.
“Ne gjatë komunikimeve tona që kemi pas në Kuvend herë pas herë kemi diskutuar lidhur me çështje të ndryshme është e vërtetë se kemi pasur mendime të ndryshme, por partia i ka jep atij shumë kështu që ai të reflektojë në gabimet e tij që i ka bërë në kundërshtim me programin dhe statutin e partisë një kohë më parë. Ne kemi pritë që ai do të reflektojë dhe me një vet kritikë do të angazhohet në strukturat e partisë. Mirëpo ai këtë nuk e ka bë dhe arsyet se ai sot ka dalë, për neve janë ende të panjohura”, ka thënë ai.
Ndryshe, Amir Ahmeti, edhe kohë më parë kishte shprehur pakënaqësinë e tij, ndaj kryetarit të PD-së, Ferid Aganit, i cili sipas tij, nuk po punon aq për implementimin e programit të PD-së.
Ndërsa, Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, në dhjetor të vitit të kaluar e patë shkarkuar Amir Ahmetin nga detyra e nënkryetarit të partisë, për shkak se, sipas Aganit, nuk e kishte përfillur statutin e partisë. Por, Ahmeti kishte një shpjegim tjetër në atë kohë, duke thënë se arsyeja e shkarkimit të tij, ndërlidhej me disa pyetje që i kishte bërë Ministrit Agani, rreth tenderit për asgjësimin e ilaçeve të skaduara që Ministri i Shëndetësisë ia kishte dhënë kushëririt të tij./Kosovapress/