E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për hatër të Berishës

Deputetët e Aleancës votojnë sipas bindjeve të tyre, e jo sipas diktatit të partisë. Kështu vepruan edhe të enjten, kur u votua mocioni për ndaljen e privatizimit. Për koalicionin e mundshëm me PDK’në, vendos Ramush Haradinaj. Është e vërtetë se me Hashim Thaçin ngritëm nga një gotë të premten, por për shëndetin e Kryeministrit Sali Berisha, e jo për ndonjë bashkëpunim politik. Daut Haradinaj, deputet i AAK’së, flet për Express.

Express: Herën e fundit në Kuvendin e Kosovës deputetët e AAK’së votuan ndryshe prej qëndrimit të partisë. Disa e përkrahën opozitën, ndërsa disa abstenuan. Pse ndodhi një votim i tillë?

D. Haradinaj: Secili deputet duhet t’i mbajë parimet dhe qëndrimet e veta dhe nuk është hera e parë kur deputetët kanë qëndrimet dhe bindjet e veta personale dhe votojnë ashtu siç mendojnë. Ndërsa qëndrimi i subjektit politik është i bërë publik. Asnjë dilemë nuk ka. Edhe kjo është një dëshmi e mirë se lejohet votimi i lirshëm.

Express: A ka lidhje votimi në Kuvend me afrimin e AAK’së me PDK’në?

D. Haradinaj: Nuk e di se për çfarë afrimi po flisni, por AAK’ja asnjëherë nuk ka qenë kundër privatizimit. Nuk jemi as sot e kësaj dite dhe unë mendoj se privatizimi është proces i cili duhet të vazhdojë. Natyrisht se AAK’ja i ka pasur shqetësimet e veta rreth transparencës dhe mënyrës se qysh po zhvillohen proceset, në këtë rast për PTK’në.

Express: Në fakt, vota e AAK’së ishte vendimtare që procesi mos të ndalet.

D. Haradinaj: Jo, nëse e shihni dallimin e votës, nuk ka qenë votë vendimtare. Është interpretim i gabuar, por prapëseprapë po e përsëris se çdo deputet i Aleancës do të votojë sipas bindjeve të veta. Secili deputet ka të drejtë të votojë ashtu siç mendon, sepse i ka bindjet e veta dhe janë të vetëdijshëm të vlerësojnë se në çfarë drejtimi dëshirojnë të shkojnë. Qëndrimi i partisë ka qenë abstenim. Qëndrimi i deputetëve të caktuar ka qenë t’i japin mbështetje mocionit të Vetëvendosjes. Prapë po e them se në mes të atyre ka qenë një trik i Vetëvendosjes që e kanë futur në preambulë ndërprerjen e privatizimit.

Express: Sot ka dalë një fotografi në media, ku shiheni ju edhe Kryeministri Thaçi duke ngritur dolli. Kjo fotografi është interpretuar se po cakërrohen gotat para lidhjes së koalicionit. Cila është përgjigjja juaj?

D. Haradinaj: Përgjigjja ime është se unë dje kam qenë me Kryeministrin e Shqipërisë, qytetarin më të ri të Deçanit, Sali Berishën, po ashtu me Presidenten Jahjaga, Kryeministrin Thaçi dhe plot ministra të tjerë dhe zëvendëskryeministra, kryetarë komunash. Dhe, natyrisht se kemi ngritur dolli për shëndet të Kryeministrit Berisha dhe për qytetarin më të ri të Deçanit.

Express: A ka ndonjë lëvizje të re mes pozicionit të AAK’së në raport me PDK’në për koalicionin qeveritar?

D. Haradinaj: Koalicioni qeveritar në çdo variant të mundshëm, do të jetë me Ramush Haradinajn Kryeministër. Qëllimi final i Aleancës është ky. U rrimë parimeve tona dhe punojmë në atë drejtim.

Express: Nuk ka diçka konkrete sa i përket koalicionit me PDK’në?

D. Haradinaj: I vetmi njeri që mund të bëjë veprime të tilla, është Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK’së, në të njëjtën kohë kandidat për Kryeministër.

Express: A keni folur me Thaçin për mundësinë që Ramush Haradinaj të bëhet Kryeministër?

D. Haradinaj: Nuk kemi pasur mundësi për shkak se ka qenë sofra e madhe dhe kanë qenë të pranishëm me mijëra njerëz. Por, ajo drekë ku është parë fotografia ime, është e prerë dhe gjithsesi se do t’i shihni edhe fotografitë komplet, ku kanë qenë edhe plot njerëz të tjerë aty. Është e vërtetë që kam ngritur dolli me Kryeministrin Thaçi, por për shëndet të Sali Berishës.

Express: A mund të presim një koalicion të ardhshëm PDK-AAK?

D. Haradinaj: Nuk mund të them, as po, as jo. Edhe një herë po them se i vetmi njeri që mund të marrë këtë qëndrim, ose të vendos, është Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj. Edhe një herë po e them, Ramushi është kandidat për Kryeministër. Ne besojmë në fuqinë e tij, në punën e tij dhe presim që shumë shpejt ai do të jetë Kryeministër. Ndërsa në forma dhe veprime të tjera do t’i shohim më vonë.

Express: Së fundmi, edhe Nexhat Daci doli publikisht dhe tha se do ta përkrahë Ramush Haradinajn për Kryeministër. A jeni duke biseduar me Liderin e LDD’së për këtë çështje?

D. Haradinaj: Ka pasur biseda, nuk është se nuk ka pasur biseda. Por, gjithsesi se duhet të themi hapur se z. Daci ka qenë Kryetar i Kuvendit të Kosovës në një periudhë, në njëqindditëshin, kur Ramush Haradinaj ka qenë Kryeministër dhe natyrisht i besoj atij njëqindditëshi dhe kërkon një përsëritje, por jo me njëqind ditë, por një mandat.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›