E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Çeku edhe 4 vjet në krye të PSD'së

Partia Social Demokrate ka zhvilluar të shtunën punimet e Kuvendit të nëntë Zgjedhor, me ç’rast ka zgjedhur Këshillin e ri Drejtues, Këshillin Mbikëqyrës të Partisë, por edhe strukturat tjera brenda partiake. Ndërsa për 4 vjetët e ardhshme, kryetar i PSD-së u rizgjodh Agim Çeku. Në këtë Kuvend u tha se vlerat themelore për të cilat punon Partia Social Demokrate janë ato të lirisë, drejtësisë, solidaritetit social dhe barazisë para ligjit.

Kryetari i rizgjedhur i PSD-së, Agim Çeku, që njëherësh është edhe Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas përfundimit të këtij Kuvendi, tha se gjatë mandatit të tij katër vjeçar, do të angazhohet për të hapur një debat brenda partisë, debat të sinqertë, shumë të hapur dhe konstruktiv, duke thënë se tashmë kanë identifikuar problemet dhe arsyet që nuk ua mundësuan atyre një përfshirje më të madhe në qeveri, parlament apo në skenën politike kosovare. Për të arritur këtë, ai tha se duhen ndryshime thelbësore.

“Qysh jemi sot nuk ia vlen. Nëse nuk kemi debat, në qoftë se nuk gjejmë rrugë të tjera dhe mundësi të reja. Kështu që do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë, ndoshta edhe nga vet programi, emri. Kështu që ideja është që ta jetësojmë idenë e socio-demokracisë. Vërtetë të bëjmë përpjekje që Kosova të jetë një vend social, që gjithë qytetarët e Kosovës ta ndiejnë dorën e shtetit, të ndihen të sigurt, të ndihen të mbrojtur nga shteti, pasi që me një parti të vogël ky program është vështirë të realizohet”, ka thënë ai.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Çeku ka thënë se do të marrin pjesë, mirëpo nuk ka shpjeguar nëse do të jenë prapë pjesë e ndonjë koalicioni, duke thënë se janë në pritje të përfundimit të reformës zgjedhore, duke shpresuar në uljen e pragut zgjedhor, pasi që pragu prej 5 për qind, sipas tij, do t’i lë prapë jashtë institucioneve.

“Ta shohim se çka do të sjellin reformat zgjedhore. Do të shohim se sa do të jetë pragu zgjedhor. Do të shikojmë pozicionin tonë, por gjithsesi do të marrim pjesë në zgjedhje në përpjekje për të qenë pjesë edhe e ekzekutivit edhe e legjislativit, por është herët të bisedohet tash për këtë”, ka thënë ai.

Këshilli Drejtues i PSD-së, në fund të këtij Kuvendi, zgjodhi edhe 24 anëtarët e kryesisë, duke përfshirë kryetarin, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm, etj.

Nënkryetar të kësaj partie u zgjodhën, Kaqusha Jashari, Palok Berisha dhe Ilir Pushka. Sekretar i Përgjithshëm u rizgjodh Bajram Kelmendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›