Dorëheqja e Ardi Veliut, nga posti i Drejtorit të Policisë së Shteti, reagon PD

Partia Demokratike ka reaguar pas lajmit të dorëheqjes se Ardi Veliut, nga posti i Drejtorit të Policisë së Shtetit. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi u shpreh se “sot Policia e Shtetit ka një bandit më pak”. “Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës. Largimi i tij është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës”, shprehet Gazment Bardhi.
Më tej ai thekson se “Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar. Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhëtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona”.