Rama, në rolin e hipnotizuesit rasputinian
21 Janari po zbardhet hap pas hapi, duke nxjerrë fajësinë e E. Ramës si provokator. Si i tillë, ai dhe vetëm ai, është përgjegjës për flijimin e të katër viktimave të këtij provokimi. Viktimat, në funksion të pushtetit vetjak, gjithmonë kanë qenë shkaku për pasoja terroriste, me autorësi të Stalinit, Enverit dhe të ithtarit të këtij të fundit, Edi Ramës.
Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj, pati vlerësimin më të madh prej faktorit ndërkombëtar të këtij 21 janari të përgjakshëm, të përgatitur për synimet vetjake të Edvinit, si kurdoherë. Ky vlerësim i Drejtorit të Përgjithshëm është bërë tepër i njohur dhe na duket e panevojshme të citojmë. Por ajo që i duhet sqaruar publikut të gjerë, është propaganda e shthurur për ta paraqitur kandidatin demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën, si vrasës. Ky kandidat i ri e trembi kandidatin e vjetër. Mjaft nga njerëzit pranë Ramës e këshilluan të mos kandidonte vetë. Përmenden me emër në “Kurban” këta hezitues që vështruan te Basha kandidatin me programe konkrete, me një besim të jashtëzakonshëm në vetvete për jetësimin e një shndërrimi rrënjësor, gjithmonë pranë njerëzve hallexhinj. Dhe në mirëkuptim prej tyre. Por militantët e indoktrinuar, me bollëk në aradhet e Ramës dhe me damkën e enverizmit në shpirt, ishin mbështetës të zjarrtë të tij. Me besimin te këta të fundit, më së fundi ish-kryetari i baskisë vendosi kandidaturën. Veçse me vonesë, me luhatje. Përkundrejt simpatisë që fitonte kandidati i ri me fjalët që krijonin bindje, mbetej retorika boshe e Ramës, i cili improvizoi një “program” në hava, tërë pompozitet dhe me teprime bombastike, që u duk si një imitim i zvargur i kundërshtarit të tij në zgjedhje. Kësisoj, këtë herë i duhej një demonstratë e një tipi të paparë, një demonstratë e përgjakshme, një hipnozë e bujshme, me provokime e me të vrarë, që viktimat t’i ngeceshin kandidatit të ri.
Në propagandën hipnotizuese për tragjedinë e 21 janarit përmendej si përgjegjës i ruajtjes së objekteve të një rëndësie të dorës së parë Lulzim Basha (!). Por të vrarët ishin pjesë e grushtit të shtetit. Parashikohej edhe humbja e këtij grushti të shtetit. Në këtë rast vrasësi ishte i paracaktuar: L. Basha!
Në atë hallakatjen e shkapërderdhur që quhet “Kurban”, i zoti i kurbanit bie në një kundërthënie jo të parëndësishme: Në f. 234, “Saliu” (gjithmonë “Saliu”, ndërsa kryeministri e quante kurdoherë Ramën, z. Rama), Saliu, pra, “e kishte ekzekutor të urdhrave të tij kanakarin e vet në Ministrinë e Brendshme, Lulzim Bashën”. Atje ku flet për ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, Rama shprehet buzëvarur, me marrëdhëniet “mes nesh, që s’ishin mjaltë”, se pozicioni i tij publik “kishte qenë befasisht i butë ndaj qeverisë e i ashpër ndaj një grupi demonstruesish me agjendë tjetër, që nuk ngurronte të përkrahte haptazi as policinë e shtetit në krah të Drejtorit të Përgjithshëm….”. Mos të harrojmë se këtu përmendet saktësisht personi që kishte në detyrim ruajtjen e objektit. Rama nuk stepet që pak më tutje të flasë edhe për veten “si dëshmitar okular që “shikonte sesa e çakërdisur u tregua policia, e cila provokoi turmën pa filluar ende demonstrata, teksa deti njerëzor vazhdonte ecjen në bulevard drejt godinës së kryeministrisë … me snajperë dhe nishanxhinj mbi tarracat ku u shfaq llërëpërveshur, si Arkani në Bosnjë, edhe vetë kanakari i Saliut në krye të Ministrisë së Brendshme”. Ai “deti njerëzor” është pjellë fantazie. E pamë në TV, veçanërisht në “abc News”.
Tani, duke i lënë mënjanë llërët përveshur në majë të tarracës (!) (halli që ta merrte përgjegjësinë ai që kishte paracaktuar Edi) kush del përgjegjës i ruajtjes së kryeministrisë? Natyrisht që Drejtori i Përgjithshëm, z.Hysni Burgaj, që nuk e kishte fare për gale të thoshte se cili ishte i ngarkuari për ruajtjen e objektit, sepse kishte marrë gjithë ato lavde nga të gjitha përfaqësitë e huaja në Tiranë dhe, veçanërisht, nga z. Arvizu. Ndërsa “kanakari” gjendej në majë të tarracës, me mëngët përveshur! Por ja që Rama ka “vërtetësinë” e tij vetjake, sipas interesit personal!
Në “Kurban” ai thotë: “UNË kam të vërtetën time”. Kot lodhet. Secili ka të vërtetën e vet. Por e vërteta është një, nuk dyzohet! “Demonstrata u provokua qëllimisht nga policia (tani del prapë z. H. Burgaj) teksa protestuesit qenë ende duke u grumbulluar në bulevard”. Edhe këtu, e ritheksojmë , ngarkon me faj Drejtorin e Përgjithshëm. Atëherë kush thotë të vërtetën: z. Arvizu, apo edhe Rama ka të vërtetën e tij? Po të shohim sot, atij i teket në twitter të beje përbetime të njëpasnjëshme ndaj Shteteve të Bashkuara. Sigurisht, se doli blof. Hipokrizia e Ramës, që shkon nga antikomunizmi i tërbuar në komunizmin fanatik, është e pranishme edhe në këtë rast, pavarësisht se të gjithë mëkatarët, përgjegjës për bashkëfajësi me krimet e panumërta të Enver Hoxhës, i ka në vathën e vet. Ata e kishin dënuar me vdekje në kohën e ekstremizmave të “Refleksioneve”. Por e dinë se ai ua bën punën më mirë se kushdo tjetër! Dhe e bën mirë atë apoteozën (në Pezë) të personit që s’ka vdekje, sipas R. Alisë.
***
Në f. 183 citojmë: “I gjithë komuniteti ndërkombëtar e kërkoi publikisht anulimin e demonstratës së javës më vonë si edhe të një antimitingu të radhës që Saliu paralajmëroi për të nesërmen e saj në stilin e tij të njohur slobodanist, kadafist, çavezist, sadist, bolshevik e fashist njëkohësisht (pse jo edhe stalinist e enverist?) të demonstrimit të forcës apo kundërforcës?) sa herë që opozita (në të vërtetë, ai vetë) ka shfaqur përmes protestës qytetare të rrugës ( e cila s’ka pasur miratimin e elitës së PS-s, përbrenda), në këto vite a në vitet e dikurshme të presidencës së tij autarkike (ka dashur të thotë autokratike, se autarkia ka kuptim tjetër, atë të mbylljes në vetvete të ekonomisë!) …”.
Kuptohet se ndërhyrjet në kllapë janë tonat. Reticencat japin ndërprerjet e periudhave të pambarueshme. Sa për manifestimet paqësore, që ustai i “Kurbanit” i përmend si demonstrim force, ai e di mirë se Berisha ka mbledhur vazhdimisht dyfishin e njerëzve që është në gjendje të mbledhë ky mllefexhi, Edvini, që i ka shndërruar fletët e tij në mllefe të pafundme.
Ai duket edhe në këto fragmente se është në gjendje kundërshtie edhe me faktorin ndërkombëtar. Ai ka lënë pa përgënjeshtruar shprehje mllefesh ndaj ndërkombëtarëve edhe te G. Ruçi, si edhe tek ndonjë anarkist karrierist si ai vetë. Këta edhe sot e kësaj dite nuk ndruhen të shprehin zeherin e tyre ndaj atyre personaliteteve që s’ua kanë miratuar kurrë atë që Rama e quan “protestë qytetare të rrugës”! E. Rama dështoi ndaj asaj “proteste qytetare të rrugës”. Iu bind, më së fundi, autoriteteve të BE-së, me shpresën që t’ia ngarkojë mazhorancës vështirësitë nga pengesat që po sjell edhe tani, me kushtëzime e dhjetëpikësha. Sikur opozita të kishte majtistë europianistë si Kastriot Islami e shumë të tjerë, sot do të ishim në BE. Por Edi kujton se ka aftësinë të të mbushë mendjen me hipnoza. Me fjalë të bujshme e të rreshtuara, pa kuptim. Kurse njerëzit me arsye, ata që e duan vërtet Europën dhe Amerikën, e kanë të qartë se pengesa është Edi Rama. Ai flet për “det” demonstruesish. Por ky det imagjinar, i krahasueshëm me liqenin tonë te kodrat e Shën Prokopit, (të cilave u vuri helmin për ta tharë edhe këtë liqen, për ndërtime fitimprurëse), ky “det” në halucinacione, pra, u thirr me pare në dorë! Gjer tani ata që e kanë pohuar dhe janë shënuar me iniciale, do të dalin me emra, për të pohuar sesi i kërkon me qiri mitingashët Edi Rama! Me qiri dhe me korrupsion, që të flasim hapur.
Bën krahasime me vendet e dështuara ekonomikisht, që nuk duan ta shtrëngojnë më tepër rripin. Prandaj flet për dështimin ekonomik të qeverisjes, që përgënjeshtrohet nga të dhënat dhe nga faktet e rritjes sonë ekonomike. E ka tepruar aq shumë sa edhe turizmi, që është katërfishuar, përgojohet si i falimentuar!
Le të përgjigjet: Vërtet shohim demonstrata për atë hall që i ka zënë njerëzit përtej për shkak të recesionit. Por, ku ka parë ai ndonjë rast, ndonjë rast të vetëm, që ato protesta të jenë bërë si veprimtari e një partie të vetme? Ku ka parë që ato të jenë në një funksion të babëzisë së një politikani për të marrë pushtet pa zgjedhje? I quan edhe “të “ si demonstrata të popullit, për t’u përqasur me ato që thamë. Demonstrata të popullit janë ato, që ai të bëhet detyrimisht kryeministër kur nuk ka qenë në gjendje të drejtojë një ministri të vetme, atë të arsimit, të kulturës e të sporteve? Apo e harroi grevën e urisë të të gjithë artistëve? Një person, i dështuar në administrimin e përkorë të një ministrie, as mos ta ëndërrojë që do të jetë në gjendje të drejtojë të gjitha ministritë! Në “Kurbanin” e tij nuk e përmend atë peticionin e tij që përmban edhe firma si ajo e D. Agollit e të të gjithë artistëve të tjerë!
Ç’do t’i bëhej atij që të mos e bënte fare atë demonstratë? Ai e dinte mirë se do të ishte e
fundit! Faktori ndërkombëtar e kishte mbushur kupën e durimit. E kuptonte se ç’do të thoshte kjo! Por, edhe një hipotezë tjetër. Po t’i dhimbseshin viktimat, le ta mbyllte, me një të rënë të celularit, para se të bëhej vonë! Data 20 janar ka domethënien e saj. Atij i duheshin viktimat. Qoftë për marrjen e pushtetit menjëherë, në rastin më të mirë. Qoftë për të akuzuar kundërshtarin e tij për bashkinë, si vrasës...
Marifetet e hipnozave të tij nuk do të vonojnë të bien si gjethet e zverdhura në vjeshtë! Atyre miklimeve dhe yshtjeve që u ka bërë personave në krye të presidencës dhe në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, po u bien qysh tani dafinat!