Edvin Katastrofisti punëson orkestrën e Titanikut
I papërgjegjshmi Francesco Schettino, kapiteni italian që fundosi para ca ditësh kroçerën italiane “costa concordia” me 18 të mbytur është në hetim nga drejtësia e vendit fqinj. I papërgjegjshmi Edi Rama, kapiteni socialist që fundosi anijen e PS me 142 mijë vota më pak është në dëshpërim. Dje, ai konfirmoi se është në hall të madh dhe ketë e kupton nga propaganda e ulët që përdor. Në rrjetin social “twitter” ai ka shkruar litaninë: “Saliu si kapiteni i kroceres se mbytur...”,- nënvizon Rama. Aluzioni nekropolitik me anijen e mbytur në Itali është i kuptueshëm për gjithë ata që merren me çështje të aktualiteti.
Mirëpo askujt në politikë e aq më pak një lideri opozite do t’i shkonte ndërmend t’u kujtonte qytetarëve mbytjen e kroçerës italiane, e cila u fundos si tek filmi “Titaniku” teksa orkestra e violave luante muzikë klasike. Logjika e kreu të partisë më të madhe opozitare ka një çarë dhe fut ujë sepse bazohet në pesimizmit kozmik të agjendës politike. Kjo logjikë është në kundërshtim të plotë me logjikën e kryeministrit Berisha, i cili ka një optimizëm real. Dhe në një kohë krize financiare botërore të jesh pesimist dhe të mos kesh besim tek aftësitë e tua është sikur të jesh duke lidhur lakun për t’u varur. Optimizmi dhe besimi tek aftësitë rigjeneruese të ekonomisë shqiptare është çelësi i mosprekjes nga kriza. Shqipëria ka ndjekur që nga viti 2005 politikat e liberalizimit, privatizimit dhe punëve publike. Kjo është shpërblyer me një ekonomi në rritje, klimë biznesi të favorshme, rritje investimesh dhe punësim. Po te shikohen me kujdes vendet që kanë rënë në krizë, ju kanë munguar dhe ju sugjerohen pikërisht këto gjëra. Në fund të fundit shifrat flasin vetë: Shqipëria ka rritje ekonomike, vendet fqinje janë në një recension të thellë, bizneset në Shqipëri kanë aktivitet dhe zhvillohen, ndërsa ka arritur të kapë një shifër rekord investimesh të huaja direkte.
Sakaq sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Fullani: “Ekonomia jonë ka vazhduar të ketë ecuri pozitive, e cila është manifestuar në terma të rritjes pozitive, në terma të inflacionit të ulët, në terma të stabilitetit të monedhës e të qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare. Sektori financiar i vendit, i dominuar nga sistemi bankar, ka rritur ndërmjetësimin financiar të shprehur në rritjen e depozitave dhe shtimin e kredisë për ekonominë. Nga ana tjetër, ai gëzon shëndet të plotë financiar, i cili shprehet kryesisht në terma të mjaftueshmërisë së kapitalit, gjendjes së likuiditetit dhe rezultatit financiar të tij” (Konferenca Rajonale e Bankës së Shqipërisë 31/01/2012).
Kuptohet vetiu Shqipëria është një vend në zhvillim dhe të gjitha vendet në zhvillim quhen të tilla sepse janë në zhvillim, nga zero që ishin, dhe kanë pasur rritje ekonomike të madhe, për shkak të tranzicionit, por sigurisht mirëqenie ekonomike vjen dalëngadalë. Në krahasim më gjithë vendet e tjera në zhvillim, Shqipëria ka rritjen ekonomike më të madhe, më të madhe se Maqedonia e se Mali i Zi, si dhe rritjen ekonomike më të madhe në gjithë historinë e post-komunizmit. Padyshim që përfshirja në krizë e dy vendeve fqinje, me të cilët kemi marrëdhënie tregtare dhe bankare, kanë ndikim në ngadalësimin e ekonomisë reale shqiptare.
Megjithatë sot rritja ekonomike e Shqipërisë edhe pse jo sa do të dëshironim e përballon krizën e shumëfishtë me një sistem fiskal të kujdesshëm dhe një qeveri të vogël. Shqipëria ka patur një sjellje të shëndetshme dhe të suksesshme në këtë kohë krizash dhe sot është një ndër ekonomitë e rralla që e ka përballuar krizën dhe ka ma mundur të mbajë një rritje ekonomike. Në të gjithë këtë realitet, si klithma të të shkuarës, të një të shkuare të largët, vjen dhe propaganda vulgare e drejtuesve të Partisë Socialiste.