Dorëhiqet Peci, Kryeministria: Do shkarkohej, shkak takimet me inteligjencën serbe
Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të mospajtimeve me kryeministrin Hashim Thaçi. Ai ka treguar se kryeministri i ka telefonuar pas një deklarate të dhënë për mediat në Beograd se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore.
“Arsye e dorëheqjes time është mospajtimi dhe kritika që më është bërë nga z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës në lidhje me deklaratën time në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njeh pavarësinë e vendit tonë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Peci.
Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi ka thënë se ende mendon se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë normalizim të raporteve me palën serbe.
“Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tone në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por si po duket kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ai ka falënderuar presidenten Jahjaga dhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu për mundësinë që ia kanë dhënë për të shërbyer në misionet diplomatike e Kosovës.
Menjëherë pas daljes së lajmit se Lulzim Peci ka dhënë dorëheqje nga posti i Zyrtarit Ndërlidhës të Kosovës në Beograd, një zyrtar i lartë i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës ka treguar për Express arsyet, sipas tij, të vërteta të këtij akti të Pecit.
Ambasadori Peci është kritikuar rreptë dhe është qortuar me masa paralajmëruese për shkarkim që pritej të ndodhte shpejt, për shkak të takimeve të tij sekrete me pjesëtarët e shërbimit të inteligjencës së Serbisë. Takime dhe biseda këto që bien ndesh me politikat dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës, ka thënë për Gazetën Express zyrtari i lartë i Kryeministrisë.