E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëhiqet Presidenti: Lidhi luftën me fitimet ekonomike

Gjermani

Presidenti gjerman, Horst Koehler, ka dhënë dorëheqjen të hënën në një lëvizje të papritur, që erdhi menjëherë pas kritikave ndaj deklaratave të tij për lidhjen që ekziston mes misioneve ushtarake jashtë vendit dhe interesave ekonomike. Kjo ngjarje është një tjetër “dhimbje koke” për Kancelaren gjermane Merkel, e cila ndodhet ndërkohë në një situatë shumë të vështirë.

Dorëheqja, e cila është e menjëhershme dhe e parevokueshme, vjen thuajse një vit pas marrjes së mandatit të dytë presidencial për Koehler. Ishte Merkeli ajo që kishte lobuar për vendosjen e ish-kreut të FMN-së në krye të postit simbolik të Presidentit të Gjermanisë në vitin 2004.

Për momentin, detyrat e Presidentit do t’i marrë kreu i Dhomës së Ulët të Parlamentit Jens Boehrnsen, anëtar i Partisë opozitare Social- Demokrate. Kryesisht detyra e tij do të jetë firmosja e ligjeve të ndryshme të miratuara nga Parlamenti. Po kjo periudhë do të jetë e përkohshme, sepse, sipas Kushtetutës, Presidenti i ri gjerman duhet të zgjidhet brenda 30 ditësh. Tashmë politikanët gjermanë duhet që të përcaktojnë dhe përzgjedhin kandidaturat që do të zënë vendin e Koehler, ndërkohë që aktualisht të gjithë janë të preokupuar me çështjet financiare brenda dhe jashtë vendit. Koehler është anëtar i Partisë Kristian-Demokrate të Merkelit dhe pas intervistës së dhënë menjëherë pas vizitës te trupat gjermane në Afganistan është kritikuar rreptë nga i gjithë shtypi vendas. Në intervistën në fjalë ai tha se për një vend si Gjermania, tepër e varur tek eksportet, një mision ushtarak jashtë vendit mund të jetë i nevojshëm “për të mbrojtur, për shembull, interesat tona tregtare, të tilla si rrugët e tregtisë”.

Një këndvështrim i tillë është kundërshtuar menjëherë nga publiku gjerman, i cili është kundër luftës në Afganistan. Opozita e akuzoi menjëherë Presidentin për dëmtim të imazhit publik të vendit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›