Abdiu: Betejat e Kushtetueses me politikën

Pas 12 vjetëve në krye dhe në përbërje të institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit shqiptar, Fehmi Abdiu rrëfehet për të parën herë në lidhje me përplasjet e forta me politikën ndër vite. Në një intervistë për “Shqip”, juristi me një përvojë shumë të gjatë në drejtësi dhe tri legjislatura si parlamentar, por gjithnjë duke u marrë me ligjet, tregon momentet më kryesore kur Gjykata Kushtetuese u kthye në një nga institucionet që politika nuk mund ta nënshtronte, edhe pse i ka rrëzuar shumë herë ligjet e bëra keq apo kompromiset në dëm të ligjit ku është i bazuar Republika e Shqipërisë. Në intervistën e tij, Abdiu, edhe pse tregohet i rezervuar, rendit disa nga përplasjet kryesore të Kushtetueses me politikën: ku si protagonistë janë të dyja palët, si e majta ashtu dhe e djathta...
Z. Abdiu, në vitin 1998 ju erdhët në krye të Gjykatës Kushtetuese nga radhët e politikës. Si e gjetët këtë institucion dhe ku ka konsistuar nisja e punës suaj por dhe vazhdimi?
është e vërtetë, që unë, pas tre legjislaturash që isha deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në fund të muajit prill të vitit 1998, u emërova nga Parlamenti anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pra erdha nga radhët e politikës, pas një përvoje 20-vjeçare në drejtësi gjatë sistemit të kaluar dhe tri legjislaturash si deputet. Kjo mënyrë ardhje në Gjykatën Kushtetuese, sipas meje, dhe mentalitetit të kohës ishte krejt normale. Them kështu, pasi mjaft vende të tjera, veçanërisht në ato vite, i “ushqyen” Gjykatat Kushtetuese me juristë që kishin shërbyer edhe gjatë periudhës së para viteve ‘90. Ndërsa kryetar i Gjykatës Kushtetuese nuk jam bërë nga politika, por nga radhët e kolegëve të mi gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të kohës kur jam emëruar edhe unë. Një pjesë e të cilëve ishin me atë cilësi që nga viti 1992 dhe më vonë. E them këtë, sepse sipas ligjit të kohës, kryetari në atë kohë zgjidhej nga radhët e anëtarëve dhe në këtë mënyrë, më datën 28.04.1998 jam zgjedhur edhe unë. Pra dua të theksoj se kryetar nuk më bëri vetëm politika, por edhe mendimi i shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët edhe sot iu shpreh falënderimet e mia për vlerësimin që më bënë dhe përgjegjësinë me të cilën më ngarkuan. E përmend edhe këtë të fundit, pra përgjegjësinë, sepse pas zgjedhjes konstatova se me gjithë mend një funksion i tillë ishte me mjaft përgjegjësi dhe vështirësi, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej institucioni që nuk kishte shumë kohë që ishte krijuar. Për fat të keq, konstatova se ai institucion nuk ishte vlerësuar sa dhe si duhej në aspektin financiar, pasi atje gjithçka mungonte në lidhje me infrastrukturën. Atje pagat dhe vlerësimi për ato personalitete që ishin emëruar, ishin simbolike. Pas kësaj m’u desh të përballesha me vështirësitë që dolën dhe dalëngadalë nga viti në vit, situata në përgjithësi erdhi duke u përmirësuar si nga ana financiare, infrastrukturore dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me vendin dhe rolin që zinte institucioni për shtetin. Kjo e fundit, lidhur me përsosjen e rolit dhe vendit të institucionit, erdhi si rrjedhojë logjike e ndryshimit të mentalitetit që kishte ekzistuar për këtë institucion të porsakrijuar. Ky mentalitet i përballur me kohën dëshmoi se ishte akoma paksa primitiv.
Z. Abdiu, në vitin 1995, kur Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit të Europës, politika u zotua të heqë dënimin me vdekje, ngaqë ishte një detyrim, por realisht ky lloj dënimi vazhdonte dhe është hequr pikërisht nga Gjykata Kushtetuese. Mund të na e shpjegoni pak këtë aspekt, sepse në atë kohë ka pasur mjaft reagime nga ndërkombëtarët?
Më bëre një pyetje ngacmuese, për një problem për të cilin dhe sot e kësaj dite mendoj se politika shqiptare në përgjithësi nuk ka qenë mirënjohëse ndaj kontributeve të Gjykatës Kushtetuese. Para vitit 2000 u konstatua se politika, që në vitin 1995, u zotua se do ta heqë dënimin me vdekje, nuk ishte e zonja ta realizojë. Ajo u imponua që nëpërmjet një grupi deputetësh t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe t’i kërkonte që të verifikonte pajtueshmërinë e dispozitave ligjore që kishin të bënin me dënimin me vdekje në Kodin Penal me Kushtetutën e re që hyri në fuqi më 28 nëntor 1998. Pas shumë përpjekjesh, hulumtimesh në këmbim përvojash, ndihme dhe pune studimore, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë edhe pse e ndodhur në kushte të vështira, kur në përgjithësi mentaliteti shqiptar dukej se nuk pajtohej me heqjen e dënimit me vdekje, konstatoi se ekzistenca e dënimit me vdekje në disa dispozita të Kodit Penal nuk pajtohej me frymën e Kushtetutës dhe në mënyrë të veçantë të nenit 21 të saj. Për këtë, gjykata shfuqizoi pjesërisht të gjitha dispozitat që parashikonin dënimin me vdekje vetëm në lidhje me këtë masë. Edhe pse faktori ndërkombëtar e vlerësoi këtë kontribut dhe dërgoi mjaft vlerësime për këtë punë, Parlamenti shqiptar dhe faktorë të tjerë të politikës përjashtuar ish-presidentin (Meidani) nguruan të thonë qoftë edhe një fjalë. Madje nuk qenë në gjendje për të “mbrojtur” realisht qëndrimin e gjykatës ndaj opinioneve të shprehura kundër këtij vendimi. Ishte Presidenti Meidani, i vetmi që ndërmori një hap të rëndësishëm dhe nëpërmjet një vizite që bëri në Gjykatën Kushtetuese vlerësoi maksimalisht qëndrimin e saj, e falënderoi dhe solli shumë mesazhe pozitive nga Europa e komuniteti ndërkombëtar. Pra dua të them se për këtë ngjarje që nuk është e vetmja që është shoqëruar me vendim të Gjykatës, ka munguar vlerësimi real i kohës.
Pse shprehët se nuk është i vetmi vendim që nuk është vlerësuar realisht?
U shpreha në këtë mënyrë, pasi mendoj që Gjykata Kushtetuese ka afirmuar kontribute të tjera shumë të rëndësishme, për të cilat nuk është vlerësuar pozitivisht. Më vonë, para Gjykatës Kushtetuese u paraqit nga Presidenti i Republikës kërkesa me karakter shumë delikat për kontrollin e pajtueshmërisë së statutit të Romës me Kushtetutën e Republikës. Kjo gjykatë, pas një pune me shumë përgjegjësi brenda pak muajsh, arriti të përfundojë çështjen, duke u shprehur se dispozitat e statutit të Romës ishin në pajtim me Kushtetutën shqiptare. Shembuj të tillë mund të përmend shumë që në vitet 2000 deri te vendimet e fundit për deklarimin antikushtetues të marrëveshjes së ujërave mes qeverisë së Shqipërisë dhe Greqisë, për ligjin e lustracionit, për të cilin u zhvilluan mjaft debate dhe pati përplasje të mendimeve të ndryshme. Pa dashur të përmend çështje të tjera do t’u bëja apel të gjithë faktorëve të politikës dhe organeve të tjera shtetërore për vlerësime reale të veprimtarisë së institucionit të Gjykatës Kushtetuese, duke u shkëputur nga vështrimi i vendimmarrjes së saj sipas konceptit bardhezi.
Zgjedhjet e vitit 2001, ku PS fitoi, nga ish-opozita disa herë është akuzuar Gjykata Kushtetuese, duke u konsideruar si faktor që mbështeti fuqimisht të majtët. Si qëndron realiteti?
Para së gjithash, në lidhje me këtë pyetje, mendoj se duhet përmendur një fakt se partitë politike duan t’i ngarkojnë pa shkaqe të përligjur Gjykatës Kushtetuese përgjegjësinë për sistemin zgjedhor që ata zgjodhën, me të cilin Gjykata Kushtetuese nuk ka të bëjë fare, as me sistemin dhe as me “Dushkun” që zgjodhën partitë kryesore të pozitës dhe opozitës. Së dyti, ata, partitë kryesore pozitë-opozitë në të ashtuquajturën reformën zgjedhore që bënë, nuk përcaktuan se cili organ gjyqësor do të kontrollonte rezultatet e zgjedhjeve siç është bërë më vonë me Kolegjin Zgjedhor. Edhe pse pak kohë përpara fushatës në Tiranë është zhvilluar një konferencë e rëndësishme për këtë problem nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse janë shfaqur mendime që legjislacioni të plotësohej, politika nuk e zgjidhi përfundimisht dhe ky shkak detyroi Gjykatën Kushtetuese të merrte përsipër për të bërë verifikimin e zgjedhjeve, pasi asnjë organ tjetër gjyqësor nuk e pranoi një gjë të tillë, edhe për shkak të qenies larg atij problemi, për shkak të juridiksionit të tyre. Duke iu shmangur diskutimit juridik, duhet thënë se edhe kritikat e bëra për këtë problem janë bërë qëllimshëm për të justifikuar pozicionet dhe qëndrimet politike në atë kohë të opozitës, e cila mendoi se në njëfarë mase me kritikat që bënte justifikonte rezultatin e zgjedhjeve dhe qëndrimin e mazhorancës së asaj kohe, e cila pasi fitoi, nuk bëri përpjekje serioze për të shpalosur përpara shqiptarëve të vërtetën për këtë problem. Pa dashur për të thënë se çdo gjë në atë proces verifikues prej 64 kërkesash të dy grupeve kryesore politike, ishte e përkryer, jam i sigurt se ai proces ishte normal dhe në njëfarë mase një “sakrificë” për Kushtetuesen. Edhe pse kanë kaluar shumë kohë nga ai vit, edhe pse rezultatet e atyre zgjedhjeve janë publikuar në një botim të veçantë të Gjykatës Kushtetuese, dua të theksoj se Gjykata Kushtetuese nuk është përdorur si mashë as në atë kohë. Nga 64 kërkesa të paraqitura në Gjykatë, të cilat janë gjykuar brenda një periudhe të shkurtër, Gjykata ka pranuar kërkesën në 16 raste nga të cilat sipas përkatësisë kanë qenë: 8 kandidatë deputetë të majtë që kanë fituar, 6 deputetë të djathtë që kanë fituar, 2 kandidatë për deputetë të pavarur. Veç këtyre, nga 38 kërkesa të rrëzuara, 20 prej tyre u përkisnin kandidatëve të majtë, 18 kandidatëve të djathtë. Në këto shifra nuk bëjnë pjesë 3 kërkesa që i përkisnin 1 deputeti të djathtë, 1 të pavarur dhe 1 të majtë që janë pushuar dhe për 6 kërkesa të tjera është vendosur moskalimi i çështjes për në seancë plenare, të cilat i përkisnin 4 kandidatëve të djathtë dhe 2 kandidatëve të majtë. Pra fare përmbledhurazi desha të nënvizoj faktin se edhe në atë moment, sipas mendimit tim, Gjykata Kushtetuese ka vepruar konform Kushtetutës dhe ligjit për zgjedhjet. Në ato procese kanë fituar disa të djathtë që janë përballur me të majtët, ashtu si dhe disa të majtë që janë përballur me të djathtë. Ka nga ata të djathtë që kanë fituar, që janë ndër personalitetet kryesore të shtetit. Për hollësi e shpjegime më konkrete rreth këtij problemi gjenden në 64 vendimet e Gjykatës të botuara rreth kësaj veprimtarie “Procesi zgjedhor 2001”, të nxjerrë në qarkullim që në atë kohë dhe kushdo që dëshiron mund ta konsultojë.
Pas zgjedhjeve të vitit 2001, Gjykata Kushtetuese u përball me një çështje të rëndësishme, që solli dhe “furtunë” në politikën shqiptare. Bëhet fjalë për çështjen e ish-kryeprokurorit Arben Rakipi....
Edhe kjo çështje është diskutuar mjaft në qarqet e politikës. Unë nuk dua të merrem me aspektin politik të saj, as me hollësira të mëdha rreth natyrës dhe karakterit të kësaj çështjeje që provoi se në politikë mund të bëhej gjithçka. Fare shkurt mund të flas se vendimi interpretues që ka bërë gjykata para vendimit të çështjes “Rakipi” e më pas qëndrimi që lidhet me këtë çështje, janë sipas mendimit tim kontribute me rëndësi në lidhje me interpretimin e Kushtetutës, lidhur me disa standarde të saj, sidomos me trajtimin e domosdoshmërisë së respektimit të procesit ligjor edhe në veprimtarinë parlamentare dhe administrative, në lidhje me legjitimimin e zyrtarëve të lartë të shtetit për t’u ankuar për shkarkimin nga detyra, kur ndaj tyre zhvillohet një proces i parregullt. Në këtë vendim dhe veçanërisht në vendimin e mëparshëm interpretues, Gjykata Kushtetuese ka vendosur disa piketa që kanë shërbyer vazhdimisht si detyrime për t’u respektuar lidhur me konceptet e Kushtetutës për shkaqet që lidhen me kryerjen e një krimi në akte që diskretitojnë rëndë figurën e gjyqtarit apo prokurorit, shkeljet e rënda të ligjit gjatë kryerjes së funksionit të tij etj., por për disa kërkesa të rëndësishme në lidhje me procesin e rregullt gjyqësor. Aleancat fluide dhe kërkesat e opozitës në atë kohë nuk u pajtuan me qëndrimin e Gjykatës. Pati egërsi në kritikat për këtë problem sa pati ngjarje që lidhen me dhënie dorëheqjeje të kreut të Kuvendit, por mbi të gjitha për fatin e Gjykatës Kushtetuese dhe të së vërtetës pati një reagim të veçantë të ndërkombëtarëve në mbështetje të gjykatës.
Në vitin 2002, ndaj sulmeve, ka reaguar për herë të parë në historinë e këtij institucioni më datën 23.04 2002 mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se “fushata që zhvillohet kundër saj ka për qëllim t’i imponojë gjykatës të marrë vendimmarrjen në kundërshtim me Kushtetutën, ta largojë atë nga funksioni i saj si garante e Kushtetutës dhe interpretimit përfundimtar të saj. Kjo fushatë synon t’u imponojë institucioneve të pavarura kushtetuese zgjidhjen e problemeve sipas interesave politike dhe shkatërrimin e institucioneve nën pretekstin e parlamentarizmit dhe demokracisë”. Kjo deklaratë përfundon duke i bërë thirrje opinionit publik, sidomos mendimit juridik shqiptar, të mos bien pre e opinioneve të veçuara të politikës, por të mbrojë institucionet e shtetit të së drejtës.
Ja çfarë shkruante Komisioni i Venecias rreth këtij problemi: “Komisioni i Venecias është i informuar për 2 vendime të dhëna nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me procedurat që duhen ndjekur me rastin e shkarkimit të personaliteteve të larta publike, si dhe me ngjarjet që kanë pasur miratimin e këtyre vendimeve. Nuk i përket Komisionit të Venecias të komentojë vendimet e Gjykatave Kushtetuese të vendeve anëtare, por Komisioni na ka ngarkuar t’ju bëjmë të ditur autoriteteve shqiptare preokupimet e tij lidhur me moszbatimin e njërit të këtyre vendimeve. Gjykata Kushtetuese është ngarkuar të vigjëlojë në respektimin e Kushtetutës dhe vendimet e saj janë përfundimtare dhe që nuk mund të kundërshtohen. Vënia në jetë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është primordiale në një shtet të së drejtës”. Kjo letër i është drejtuar autoriteteve kryesore të vendit, më 22 korrik 2002 nëpërmjet ambasadorit tonë, Shpëtim çaushi, i cili në atë kohë ishte pranë Këshillit të Europës.
Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse nuk e zbatoi rigorozisht atë vendim, mori edhe një vendim drastik, që si kundërpeshë të qëndrimit të gjykatës, do të kontrollonte ligjin për organizimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra si ky reagim mund të përmendim vendimin tjetër të Komisionit të Venecias të datës 06.07.2002 në të cilin, ndër shumë probleme që s’kanë të bëjnë me Shqipërinë, thuhet se ai komision fton kryetarin e saj t’u transmetojë autoriteteve shqiptare shqetësimet e tij lidhur me mosekzekutimin e një vendimi të kohëve të fundit, dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. është fjala për vendimin që përmendëm më lart. Lidhur me këtë problem, eksperti kushtetues ndërkombëtar Skot Karlson, në një intervistë për VOA, është shprehur se “vendimet 75 dhe 76 për të cilat po flasim, tregojnë se Gjykata Kushtetuese po afirmon veten si një mbrojtëse e fortë e Kushtetutës. Me dy vendimet e saj Kushtetuesja po pohon se ka kompetenca të ngjashme me atë të Gjykatës Kushtetuese gjermane. Në rastin konkret me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, mua më lind pyetja se si do të reagoja unë këtu në SHBA, në rast se prokurorit tim do t’i bëhej paralajmërim prej 24 orëve se mund ta shkarkonin pa qenë i sqaruar për arsyet, pa një hetim dhe debat publik për hetimin. Kjo mua do të më shqetësonte. Shumica e amerikanëve do të shqetësoheshin”. Dhe së fundi, një letër nga Shoqata Ndërkombëtare e Avokatëve, seksioni për Ballkanin në emër të mjaft avokatëve, njëri nga juristët e njohur, Roger Gerard, në një letër që iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke bërë vlerësimet maksimale për qëndrimet e gjykatës, shprehej se do të vinte koha që të bëheshin vlerësime më objektive nga ato që ishin bërë në politikë ndaj vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
Në vitin 2001, ju u rizgjodhët kryetar i gjykatës për një mandat të dytë...
është e vërtetë që në maj të vitit 2001, Presidenti Meidani ka dekretuar riemërimin tim në këtë detyrë e ka kërkuar pëlqimin e Parlamentit dhe jo vetëm kaq, por këtë gjë ai e ka bërë publike duke ardhur sërish vetëm në institucion, ku ka komunikuar dekretin. Me këtë rast, me sa mbaj mend, ai ka vlerësuar pozitivisht veprimtarinë e këtij institucioni. Ky qëndrim i tij u duk sikur u lëkund pas pak kohësh kur u mor vendimi për çështjen “Rakipi”, ku u shfuqizua dhe dekreti i Presidentit. Në një intervistë z. Meidani nuk ngurohej të shprehej se mbase sipas tij, për Shqipërinë, mund të ishte përqafuar më miri sistemi amerikan i drejtësisë (pa Gjykatë Kushtetuese shën i red).
Z. Abdiu, rrëzimi i kandidaturës së një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, ka futur në debat politikën në lidhje me çështjet e kompetencave mes Presidentit dhe Parlamentit, duke vënë në diskutim dhe ligjshmërinë në lidhje me emërimin e menjëhershëm të 6 anëtarëve të këtij institucioni. Cili është mendimi juaj?
E çmoj të udhës t’i shmangem qëndrimit tim për këtë problem, për shkak se ky problem është politizuar shumë. Në vend që të diskutohet rreth kritereve kushtetuese dhe ligjore, më tepër bëhen diskutime politike. Dua t’i shmangem edhe për faktin se Gjykata Kushtetuese, nëse s’gaboj nga viti 2004, me anë të një vendimi, është shprehur për interpretimin e nenit 125 b paragrafi i parë dhe 136 paragrafi i parë, lidhur me procedurën që duhej të aplikojë Kuvendi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Që në atë kohë ka lindur një konflikt midis Presidentit dhe Kuvendit, për shkak se Kuvendi i Shqipërisë është shprehur për mosdhënien e pëlqimit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese. Thjesht për këtë qëllim mund të shkruhet edhe te trajtesa të këtij vendimi të gjykatës, por duke mos dashur të bëj komente të hollësishme të kësaj praktike, që lidhen me individë të veçantë, mendoj se problemi duhet vlerësuar konceptualisht, si ngjarje që dëshmojnë se midis dy institucioneve për këto probleme, kanë lindur herë pas herë konflikte, të cilat sido që të vlerësohen, do t’i ndiejë më shumë drejtësia, funksionet e saj, edhe pse jo dhe qytetarëve që të bëhen objekt diskutimesh e aq më tepër kur nuk miratohen pa shkaqe të përligjura. Mendoj se rreth këtij problemi përgjigjen më të qartë e ka dhënë ambasadori i SHBA, John Withers, i cili ka paraqitur një shqetësim serioz, duke dyshuar se është mbajtur një qëndrim politik. Vet mazhoranca ka pohuar se ka vepruar politikisht. Lidhur me pjesën tjetër për zëvendësimin njëherësh të gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mendoj se rreth këtij problemi nuk ekziston asnjë parregullsi kushtetuese dhe ligjore. E ashtuquajtura përtëritje e Gjykatës Kushtetuese për të cilën është folur kohët e fundit, ka përfunduar gjatë mandatit të parë 9-vjeçar pas themelimit të saj. Për këtë problem, ka pasur dhe ngjarje dhe qëndrime të diskutueshme. Pas vitit 2000, zëvendësimi i anëtarëve bëhet me përfundimin e mandateve të tyre sikur ato përfundojnë për shkaqe objektive, ashtu dhe për shkaqe subjektive, kur mandate të përcaktuara përfundojnë para kohe. Shpesh anëtarë të rinj futen për kohë të shkurtër, në këtë institucion. Zëvendësimi i gjashtë kolegëve të mi është normal, sepse pavarësisht nga fakti se përbëjmë shumicë të gjykatës, sepse objektivisht këto mandate përfunduan këto kohë dhe kjo erdhi si pasojë e asaj që një pjesë e anëtarëve përfunduan mandatet e gjata, duke u zgjedhur për 12 vjet, siç kam qenë dhe unë, një pjesë përfunduan mandate 9-vjeçare, por pati dhe nga ata që ishin me mandate afatshkurtër, sepse kishin zëvendësuar ish-kolegë të Gjykatës Kushtetuese të larguar. Pra nuk shikoj asnjë parregullsi.
Me këtë rast, 12 vjet pas kësaj veprimtarie, shpreh mirënjohjen time ndaj gjithë atyre kolegëve, gjyqtarëve të Kushtetueses që kam gjetur në gjykatë që në vitin 1998, ndaj atyre që kanë ardhur më vonë e janë larguar, ndaj atyre që largohen bashkë me mua, dhe ndaj atyre që vazhdojnë të mbeten anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për bashkëpunimin që kam pasur, kontributet që kanë dhënë dhe për mirëkuptimin që në përgjithësi kemi pasur për përmbushjen e detyrës. E quaj të nevojshme ta përmend këtë fakt se puna e veprimtaria institucionale e Gjykatës Kushtetuese ka veçoritë e veta, sepse është rezultat i punës vendimmarrëse të të gjithë anëtarëve ku secili ka të drejtën e barasvlefshme me të tjerët nëpërmjet qëndrimit që mban qoftë si përbërës i shumicës pse jo qoftë edhe si përkrahës i pakicës së vendimmarrjes. Pa dashur të komentoj veçoritë e kësaj veprimtarie, sot mund të them pa gabuar se mbase vetëm në këtë institucion bëhen debate të frytshme, ku thuhet dhe mendimi ndryshe, pa pasur asnjë pasojë ky fakt si në marrëdhëniet institucionale midis gjyqtarëve, ashtu dhe në marrëdhëniet shoqërore si miq e shokë, me një qëllim të caktuar dhe përgjegjësi të madhe, e cila vlerësohet më shumë jashtë se në Shqipëri.
Z.Abdiu, tani që e mbyllët karrierën në Gjykatën Kushtetuese, cili do të jetë destinacioni profesional?
Përfundimi i mandatit i shoqëruar me faktin se përmbush të gjitha detyrimet e mia që pata në përgjithësi ndaj shtetit, shoqërisë e më gjerë, për shkak të daljes në pension, mendoj se nuk do ta venitë punën time, pse kam dëshira dhe aspirata për të punuar, sidomos për t’u marrë me punë të karakterit studimor, për të kontribuar në institucione akademike, shkencore, për t’u bërë jehonë me mundësitë që do të kem, parimeve dhe koncepteve kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës, sidomos me veprimtarinë e sistemit të drejtësisë, ku kalova thuajse gjithë vitet e punës sime. Shkurt tani për tani, kam filluar punën si dekan në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit Illyria në Tiranë, ku mendoj se mund të plotësoj eksperiencën e kolegëve të tjerë në mësimdhënie e në mënyrë të veçantë, në organizimin e këtij universiteti, si vend ku pretendohet shumë, duke harmonizuar perspektivat me traditat pozitive që pati shkollimi te ne.
#