Hebrenjtë dënohen njëzëri: Masakra çnjerëzore dhe e pafalshme
Masakra hebrenje është dënuar njëzëri nga komuniteti ndërkombëtar si një masakër çnjerëzore dhe e pajustifikueshme. Ja disa nga reagimet më të rëndësishme ndaj saj. Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, deklaroi se Izraeli ka kryer një masakër dhe për të nderuar viktimat shpalli 3 ditë zie kombëtare. Presidenti turk, Abdulla Gul, në një deklaratë në Ankara tha se do të kërkonte urgjentisht një hetim në lidhje me ndërhyrjen e dhunshme në anijet turke dhe dënim për fajtorët. Të hënën Turqia bëri thirrje për mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shefi i Lidhjes Arabe, Amr Moussa, bëri thirrje për një takim urgjent të vendeve të lidhjes, duke e konsideruar veprimin e Izraelit “një akt terrorist”. Armiku i vjetër i Izraelit, Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, tha se regjimi sionist reagoi dobësinë e tij me këtë akt dhe se të gjitha veprimet janë tregues se shteti i Izraelit ndodhet në prag të zhbërjes. Presidenti i Francës, Sarkozi, shprehu emocionin e tij të thellë ndaj pasojave tragjike të operacionit ushtarak hebre, duke dënuar përdorimin e tepruar të forcës, si dhe u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave. Ministri i Jashtëm italian, Fratini, e dënoi fort këtë akt, të cilin e quajti shumë të rëndë. Sekretari i jashtëm britanik tha se i vinte keq për humbjen e jetëve. Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se qeveria e tij ishte e tronditur nga ngjarjet e Gazës që ndodhën në ujërat ndërkombëtare. Ai tha se çdo qeveri gjermane mbështet në mënyrë të pakushtëzuar të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por edhe veprimet e Izraelit duhet që të shkojnë në përputhje me atë që ai e cilësoi si “parimi bazë i proporcionalitetit”. Bashkimi Europian ka kërkuar menjëherë hapjen e hetimeve në lidhje me tragjedinë, rrethanat në të cilat ajo ndodhi, autorët e saj, si dhe hapje të menjëhershme të kalimit të anijeve që transportojnë ushqime dhe ndihma për banorët e Gazës. Edhe Ministria e Jashtme shqiptare, pas ngjarjeve të fundit në Lindjen e Mesme, e konsideron sulmin të pajustifikueshëm, duke u bërë thirrje autoriteteve izraelite që të hetojnë në lidhje me këtë ngjarje që ka tensionuar situatën.
#