E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dorëhiqet kreu i kadastrës së Vlorës, Genc Deromemaj largohet pas vetëm 4 muajsh në detyrë

Drejtori i Kadastrës së Vlorës, Genc Deromemaj, ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme, duke e lënë këtë post administrativ vetëm katër muaj pas emërimit të tij. Lajmi bëhet i ditur nga RTSH 24. Deromemaj, ish-kreu i Partisë Demokratike së Vlorës, e kishte marrë drejtimin e Kadastrës më 24 qershor të këtij viti.

Largimi i tij vjen pas një periudhe të shkurtër në detyrë, një emërim që u shoqërua me zhurmë mediatike pikërisht për shkak të angazhimit të tij të mëparshëm si një figurë kyçe e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës.

Arsyet mbeten të paqarta

Deri më tani, nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi arsyet që kanë çuar në dorëheqjen e Deromemajt.

Seksioni i Kadastrës në Vlorë është historikisht i njohur për numrin e madh të dosjeve problematike të pronave dhe ka parë dorëheqjen e disa drejtuesve edhe në të kaluarën. Megjithatë, nuk dihet nëse arsyet e largimit të Deromemajt lidhen pikërisht me këto probleme të trashëguara.

Largimi i papritur pas vetëm katër muajsh e vendos sërish Kadastrën e Vlorës në qendër të vëmendjes për zëvendësimin e radhës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›