Dorela Dajti, 15 minuta në prokurori
Gruaja e Dajtit ka qëndruar dje 15 minuta në organin e akuzës por prokurorët refuzojnë që ta takojnë dhe i mohojnë lejen
"Dritani mbahet i lidhur në shtrat dhe nuk lejohet që të lëvizë, unë dua që ta takoj"
TIRANË- Bashkëshortja e Dritan Dajtit, Dorela (Xhoxhi) Dajti, është paraqitur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke kërkuar një leje të veçantë për të takuar bashkëshortin e saj. Ajo ka hyrë në organin e akuzës rreth orës 12 e 20 minuta dhe ka kërkuar që të takohet me prokurorët e çështjes. Por dy prokurorët e çështjes kanë refuzuar takimin me bashkëshorten e të arrestuarit duke i kërkuar asaj që të komunikojë vetëm me sekretarinë dhe të paraqiste aty çdo ankesë që kishte. Asnjë prej punonjësve të organit të hetimit nuk ka pranuar që të komunikojë me gruan dhe ajo është detyruar që të largohet sërish pasi kishte depozituar disa dokumente në protokoll.
***
Një taksi e verdhë ka ndaluar dje rreth orës 12.20 vetëm pak metra larg hyrjes së Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe prej saj ka zbritur një grua shtatzënë me letra në duar. Ajo ishte bashkëshortja e njeriut që disa ditë me parë ekzekutoi katër efektivë policie, Dorela Dajti. E pa shoqëruar me njeri, ajo ka hyrë brenda ambienteve të prokurorisë duke kërkuar takim me njërin nga prokurorët e çështjes Eugen Beçi apo Ardian Nezha si dhe kryesekretarin e këtij institucioni për të dorëzuar letrat që kishte me vete. Mësohet se dy prokurorët e çështjes, përveç se nuk pranuan që ta prisnin ta takonin, i kërkuan asaj nëpërmjet punonjësit të sigurisë në hyrje të këtij institucioni, që "çfarë ankesash apo kërkesash të ketë, t'i dorëzojë në protokoll".
Pas këtij refuzimi, bashkëshortja e Dajtit, shtetasja Dorela Dajti, depozitoi në protokollin e këtij institucioni një prokurë përfaqësimi, pasi familja e të dënuarit me 25 vite burg kishte zgjedhur si avokat Arben Qeleshin, për mbrojtjen e interesave ligjore të të arrestuarit. Gjithashtu, ajo depozitoi një kërkesë për leje, ku kërkonte që institucioni i akuzës ta lejonte që ajo ta takonte babanë e vajzës së saj 10 vjeç dhe fëmijës që po rritet në barkun e saj. Një kërkesë e ngjashme i ishte refuzuar edhe pak ditë më parë por gruaja e Dritan Dajtit ka insistuar sërish.
***
Përveç këtyre, bashkëshortja e Dajtit kërkoi që familjarëve të saj t'i lejohet që t'i dërgojnë disa rroba e ushqime të dënuarit me 25 vite burg, si dhe u ankua për trajtimin jo të mirë shëndetësor e njerëzor që i bëjnë Dajtit në Spital të Burgut. Pas depozitimit të këtyre kërkesave dhe ankesës, bashkëshortja e 32 vjeçarit ka dalë aty rreth orës 12:35 minuta nga dera kryesore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke marr rrugën për në qendër. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, mësohet se bashkëshortja e Dajtit në kërkesën e saj, përveç se njoftoi organin e akuzës se mbrojtësi ligjor i interesave të Dritan Dajtit është avokat Arben Qeleshi, pretendon se ndaj bashkëshortit të saj po ushtrohet një dhunë psikike nga punonjësit e Spitalit të Burgut.
"Personeli i burgut përveç se e kanë mbyllur në një dhomë më vetë, pa frigorifer, pa televizor e pa asnjë kusht minimal për jetesën, duke mos e trajtuar njësoj si të tjerët, Dajti mbahet i lidhur 24 orë për krevati, duke mbajtur të shtrirë në krevat. Nuk lejohet që ai të vizitohet nga familja, nuk lejohet të marrë ushqime nga familja siç marrin të tjerët, nuk lejohet që të marrë rrobat dhe as brisqe për tu rrojtur që ia dërgon familja. Ai trajtohet në mënyrë çnjerëzore dhe jo si të tjerët",- thuhet ndër të tjera në letrën e bashkëshortes së Dajtit që është dorëzuar dje në prokurori.
***
Zyrtarët e prokurorisë, të pyetur nga "Shekulli" për lejen e kërkuar nga bashkëshortja për takim, u shprehën se "Dajti nuk do lejohet të takojë njeri pa dhënë dëshminë e tij për ngjarjen e shtatë gushtit ku u vranë katër agjentët e policisë në tentim për ta arrestuar atë". Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, ishte po ky institucion i cili refuzoi kërkesën e babait të Dritan Dajtit, Hasanit për vizitë në dhomën e Spitalit të Burgut për ta parë djalin e tyre të plagosur në operacionin e policisë për arrestimin e tij në zonën e plazhit në Durrës këtu e 11 ditë më parë. Edhe kërkesat e mëparshme të bashkëshortes së Dajtit për takim me këtë të fundit, institucioni i akuzës i ka hedhur poshtë po me të njëjtin arsyetim.
Gruaja e Dajtit kërkoi lirimin e makinës
TIRANË- Dorela Dajti, kërkon nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të urdhërojë Policinë e Shtetit që t'i lirojë makinën e tipit BM të sekuestruar ditën e ngjarjes. Në kërkesat e dorëzuar dje në institucionin e akuzës, ndër të tjera, bashkëshortja e Dajtit kërkoi që t'i lirohet makina e saj private e tipit "BMW" në pronësi të saj dhe që menjëherë pas ngjarjes i është bllokuar në Durrës, ku kjo e fundit po bënte plazh. Sipas saj, makina "BMW" është blerë dhe ndodhet në pronësi të saj dhe nuk ka lidhje me ngjarjen e 7 gushtit ku u vranë katër agjentët e policisë dhe shoku i Dajtit, Ledion Mare.