PS: Qeveria s'ka lekë të paguajë firmat ndërtuese. PD: Ky, problem i Bashkisë
TIRANË- PS dhe PD janë përballur sot për krizën ekonomike. PS deklaroi për mediat se qeveria nuk ka lekë as të paguajë firmat ndërtuese që i ka kontraktuar, ndërsa PD tha se ky mund të jetë një problem i Bashkisë së Tiranës, jo i mazhorancës.
Në fakt zëdhënësja e PS-së, kërkoi një shpjegim publik nga ministri i Financave për krizën ekonomike në vend dhe i kërkoi të mos flasë ëndrralla për buxhetin e 2010-ës.
"I kërkojmë ministrit Bode të përgjigjet se pse nuk i paguan qeveria e tij firmat e ndërtimit të rrugëve prej muajsh? Pse po zhvleftësohet leku për herë të parë në historinë e këtyre 18 vjetëve në periudhën kulmore të fluksit të ardhjes së emigrantëve e turistëve? Pse anuloi të gjitha prokurimet publike për gjashtëmujorin e dytë dhe pse u boshatis arka e shtetit të shqiptarëve me shpenzimet për fushatë elektorale?", u shpreh Kodheli.
Ndërsa vijoi se "ministri i piramidave nuk ka përgjigje as për këto as edhe për shumë pyetje të tjera që lindin nga kriza e rëndë ekonomike ku po zhytet vendi".
Sipas saj pushteti i lindur nga votat e vjedhura po e zhyt vendin drejt një krize të jashtëzakonshme vetëm për hir të interesave e të përfitimeve të një grushti njerëzish, të cilët për pushtetin janë gati të bëjnë edhe martesa si ajo e Sali Berishës me Ilir Metën.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë blu, ku zëdhënësja Erla Mëhilli u shpreh se "prokurimet publike në 6-mujorin e dytë të vitit jo vetëm që nuk janë ndërprerë por vetëm gjatë muajit korrik dhe fillimit të gushtit janë tenderuar ndërtimi dhe rindërtimi i 316 shkollave në mbarë vendin, i qindra kilometrave rrugë dhe i dhjetra e dhjetar ujësjellësave e kanalizimeve si dhe janë tendëruar një sërë prokurimesh të tjera".
Në vjim të përgjigjeve për akuzat publike të PS-së, ajo tha se "se Shqipëria është vendi i vetëm me rritje 36% të turizmit krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, dhe se korridori i Kombit, të cilin Rama e shpalli si korridorin e asgjekundit, ka dy fishuar kalimin nga pika e Morinës".
Ndërsa për kompaninë e papaguara, PD mbrohet me kundërakuzë: "Mund të ketë vërtet kompani të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës që Rama nuk i paguan por nuk ka asnjë situacion të certifikuar të papaguar nga mazhoranca aktuale", tha Mëhilli.