Bonot e privatizimit arrijnë shifrën rekord, 20% të vlerës
Vendimi për të paguar legalizimin e banesës ka rritur kërkesën e "kambistëve" për të blerë letra me vlerë por jo për t'i shitur
TIRANË- Çmimi i letrave me vlerë në tregun shqiptar ka shënuar dje shifra rekord, të cilat nuk janë hasur ndonjëherë që prej shpërndarjes së tyre në fillim të viteve 90-të. Vëzhgimi i "Shekullit" në tregun e letrave me vlerë ka treguar se ato tashmë shiten me 20% të vlerës së tyre, nga katër deri në pesë për qind që shiteshin dy muaj më parë. Por e veçanta e letrave me vlerë është se ato vetëm blihen në tregun vendas dhe nuk shiten. Pra janë tregtarët ata që kërkojnë nga njerëzit që të blejnë letrat me vlerë dhe në rast kur qytetarë të ndryshëm kërkojnë që të blejnë ata nuk pranojnë që t'i shesin.
Që kur Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin, sipas të cilit parashikohet përdorimi në masë i letrave me vlerë në procesin e legalizimeve, çmimi i tyre vazhdimisht ka ardhur në rritje, deri sa kanë arritur vlerën 20%. Ky tregues vlen vetëm nëse qytetarët që i kanë ende në pronësi duan t'i shesin, ndërsa as që bëhet fjalë për të blerë. Operatorë të tregut të pozicionuar në afërsi të godinës së Bankës së Shqipërisë tregohen të kursyer nëse iu kërkon të blesh ndërsa janë shumë të gatshëm për të të ofruar edhe një çmim paska më të lartë nëse iu thua se ke një shumë të madhe për të shitur. Pa droje, ata e përligjin këtë "sjellje" me faktin se pritshmëria është që të ketë një rritje të mëtejshme të kërkesës dhe për pasojë edhe të çmimit të letrave me vlerë duke bërë që të arrijnë fitime edhe më të mëdha.
Vëmendja në rritje ndaj tyre pasqyrohet edhe me numrin e madh të operatorëve të tregut të cilët përveç valutës, tashmë tregohen të gatshëm të këmbejnë edhe letra me vlerë. Rekordi i çmimit të letrave me vlerë dhe kërkesa në rritje për to, shënohet në një kohë kur të gjithë ata që janë ende në proces legalizimi presin me ankth miratimin e propozimit të qeverisë nga parlamenti i ri, i cili pritet t'i fillojë punimet gjatë ditëve të para të muajit shtator.
Ankthi i qytetarëve justifikohet me faktin se vendimi i qeverisë për të përdorur në masë letrat me vlerë në procesin e legalizimeve erdhi në ditët e para të korrikut kur ende nuk ishte qartësuar rezultati i zgjedhjeve, ndërsa nuk dihet qëndrimi që do të mbajë LSI-ja, aleati i ri qeverisës i Kryeministrit Berisha, ndaj kësaj çështjeje.
Që nga nisja e fushatës elektorale në muajin qershor deri në ditën e fundit të saj, çmimi i shitjes së letrave me vlerë ka lëvizur nga tetë deri në pesë për qind në një kohë kur më parë ishte vetëm katër për qind. Ndërkohë, që pas vendimit nga Këshilli i Ministrave në fillim të korrikut çmimi i tyre ka ardhur vazhdimisht në rritje për të arritur në 20 për qind gjatë ditës së djeshme.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet se të gjithë ata që kanë zënë një parcelë me hapësirë nga 100 deri në 500 metër katror, në zona informale, kanë të drejtë që 80 për qind të vlerës së saj ta paguajnë me letra me vlerë. Ndërsa ata që kanë e zënë më shumë se 500 metër katror në këto zona, mund ta paguajë në letra me vlerë vetëm 50 për qind të vlerës së tij, kurse pjesën tjetër me çmimin e tregut. Legalizimin e shtesave mbi ndërtesat ekzistuese të kryera në zonat që përfshihen brenda vijave të verdha, në një sipërfaqe që shtrihet nga 50 deri në 100 metër katror, pronarët e tyre do të mund ta paguajnë me letra me vlerë 80 për qind të tarifës.
Ndërsa, tarifa për ndërtimet që i kalojnë të 100 metrat, është 50 për qind me letra me vlerë ndërsa pjesën tjetër me çmimin e tregut. Për sa i përket atyre që kanë ndërtuar brenda vijave të verdha mbi një sipërfaqe nga 100 deri në 300 metër katror, iu njihet e drejta që 80 për qind të vlerës së legalizimit ta paguajnë me letra me vlerë. Ndërsa, kush ka zënë një sipërfaqe mbi 300 metër katror po në këtë zonë, paguan me letra me vlerë vetëm 50 për qind të vlerës së legalizimit, ndërsa pjesën tjetër në lekë. Nga ky vendim nuk përfitojnë vetëm ata që nuk e kanë bërë pagesën e tarifës por edhe ata që e kanë mbyllur si proces, të cilëve do t'iu kompensohen paratë pasi të kenë paraqitur një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t sipas procedurave përkatëse.
"Rekordi i çmimit të letrave me vlerë dhe kërkesa në rritje për to, shënohet në një kohë kur të gjithë ata që janë ende në proces legalizimi presin me ankth miratimin e propozimit të qeverisë nga parlamenti i ri, i cili pritet t'i fillojë punimet gjatë ditëve të para të muajit shtator"
"Vëmendja në rritje ndaj tyre pasqyrohet edhe me numrin e madh të operatorëve të tregut të cilët përveç valutës, tashmë tregohen të gatshëm të këmbejnë edhe letra me vlerë"
Gjendja e bonove te privatizimit
Bonot e privatizimit ose siç njihen në gjuhën e përditshme letrat me vlerë, u shpërndanë në fillim të viteve 90-të në formë aksionesh të ndërmarrjeve shtetërore që qeveria iu ofroi qytetarëve gjatë privatizimit të tyre. Janë mbi 700 mijë persona ata që morën në atë periudhë letra me vlerë ndërsa mospërdorimi i tyre për një kohë të gjatë mendohet të jetë bërë shkak edhe për humbjen apo neglizhimin nga përfituesit.
Sipas të dhënave, rezulton se në total janë rreth 7.5 miliardë lekë të emetuara në letra me vlerë, nga këto vetëm 5.1 miliardë janë shpërndarë në duart e përfituesve të kohës. Gjithashtu rezulton se, gjatë privatizimeve në fillim të viteve 90-të është përdorur vetëm një pjesë e vogël e letrave me vlerë të shpërndara, diçka më pak se 1.1 miliardë.