Doreshkrimi origjinal te romanit Dimri i vetmise se madhe

Vijon beteja gjyqësore për dorëshkrimin origjinal të romanit “Dimri i vetmisë së madhe” mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe të vesë së diktatorit Nexhmije Hoxhës. Në seancën e sotme gjyqësore avokatët e të dyja palëve kanë paraqitur provat shkresore për të vërtetuar pretendimet e tyre. Avokatët e shkrimtarit Kadare kanë sjellë prova shkresore në mbështetje të kërkesës për kthimin e dorëshkrimit original të veprës së tij e cila sipas shkrimtarit mbahet në mënyrë të padrejtë nga Nexhmije Hoxha. Ndërkohë avokati i të vesë së diktatorit ka sjellë dokumente të tjera të cilat sipas znj. Hoxha tregojnë se pse shkrimtari Kadare kishte arsye për ti’a dhuruar librin. E veja e diktatorit Hoxha pretendon se libri i është dhuruar në vitin 1975 ndërkohë që shkrimtari thotë së Nexhmije Hoxha i’a ka marrë librin për ta dorëzuar në arkivin e partisë në vitin 1972. Gjyqtari ka vendosur që tu japë kohë palëve për të sjellë prova të reja në mënyrë që të sqarohet e vërteta e mbajtjes se dorëshkrimit origjinal nga ana e Nexhmije Hoxhës. E veja e diktatorit vetëm pak kohë më parë ka akuzuar Arkivin e Shtetit dhe gazetarin Blendi Fevziu për përdorim të ditarëve origjinal të diktatorit Enver Hoxha për botimin e librit të tij në një kohë që hetimet e prokurorisë vërtetuan se e veja e diktatorit nuk i ka dorëzuar asnjëherë dokumentet dhe ditarët origjinal të Enver Hoxhës në arkivin e shtetit.