E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dosja “Partizani”, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Berishës për shfuqizimin e arrestit në shtëpi

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili në ankimin e tij kërkoi të shpallej antikushtetuese masa e SPAK ndaj tij për arrestin shtëpiak, për të cilën kryetari i PD-së qëndroi për 11 muaj dhe iu ndryshua me vendim të GJKKO-së më 27 nëntor 2024.

Në një njoftim për shtyp, Gjykata Kushtetuese bën të ditur se, mori në shqyrtim sot çështjen me kërkues Sali Berishën, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.

Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim, pasi përbën gjë të gjykuar.

Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim, pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike.

Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se:

  1. Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar.
  2. Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale të lidhur me të drejtën për t’u zgjedhur, Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial.
  3. A) Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme:

i) parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive;

ii) të drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit.

Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.

  1. B) Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit në shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.

Gjykata, bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.

Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›