Dosja “Partizani”, gjyqtarja Elsa Ulliri do të kryesojë trupën gjykuese për Berishën dhe Malltezin

Gjyqtarja e Posaçme, Elsa Ulliri është caktuar kryetare e trupës gjykuese për dosjen “Partizani”, e cila tashmë ka kaluar për gjykim dhe ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë të akuzuar si bashkëpunëtorë.
Ne shortin e hedhur në GJKKO u përcaktua se anëtarë të trupës gjykuese do të jenë gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Kjo trupë do të ketë afat 10-ditor për të caktuar datën e seancës së parë të gjykimit në themel.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet se lejoi një zinxhir institucionesh që të shkelnin ligjin për “mos ndryshimin e destinacionit të terreneve sportive” dhe për “terrenet sportive që nuk privatizohen”, duke favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili është gjithashtu i pandehur për “korrupsion pasiv”.
Berisha ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Të akuzuarit për korrupsion për dosjen “Partizani”
Sali Berisha: Ish kryeministër, akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi: Dhëndri i ish- kryeministrit Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Fatmir Bektashi: Ndërtues, akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’.
Xhimi Begeja: Ortak i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
Andia Pustina: Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k, akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k.: akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k.: akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;
/rtsh.al/