Pasojat nga keqpërdorimi i motorëve të ujit, rekomandohen kontrolle intensive nga toka, ajri e deti

Të dielën u regjistrua incidenti i parë në vijën bregdetare në vend nga keqpërdorimi i motorëve të ujit, ku pati një viktimë dhe një të plagosur.
Për të eliminuar raste të tilla, por edhe për të evituar shqetësimet e herëpashershme që pushuesit kanë shprehur, ekspertët e sigurisë rekomandojnë që autoritetet ligjzbatuese të intensifikojnë kontrollet nga toka, ajri e deti.
“… monitorim nëpërmjet kamerave në zonat që duhen të kontrollohen në kohë reale nga policia, dhe duhet të kemi dronë. Zonat më problematike duhet të jenë të monitoruara edhe me dron, në mënyrë të atillë që t’i mbajmë nën kontroll gjithë këto mjete. Kontrolli dhe monitorimi në kohë reale është më i rëndësishëm,” shprehet për RTSH eksperti i sigurisë Fatjon Softa.
Lidhur me kompanitë që mund të administrojnë këto mjete uji, z. Softa thotë se duhet të ketë gjurmim të vazhdueshëm me qëllim trajnimin e stafit që i përdor këto mjete, pajisjen me mjetet e duhura gjatë përdorimit, si dhe përcaktimin e saktë të koordinatave se ku duhet ta ushtrojnë aktivitetin.
“Personat që i përdorin duhet të jenë të pajisur patjetër me licensë, të kontrollohen nëse janë të alkoolizuar apo të droguar, gjendja teknike e mjeteve të tyre, korridoret e hyrje-daljes në zonat e përcaktuara me distancën e përcaktuar, mjetet mbrojtëse, si jelekët, syzet mbrojtëse, veshët e ujit. Për sa i përket masave të sigurisë në rast të një rrëshqitjeje në ujë, duhet të bëhet fikja e motorit dhe ndalimi i tij,” tregon z. Softa.
Për incidentin e së dielës, policia e Durrësit arrestoi pronarin që dha motorin e ujit me qira për veprën penale “Shkelje e rregullave për mbrojtjen në punë”.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/