E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dosja “Plumbi i artë” – Avokati pretendon se u kërcënua nga Nuredin Dumani, gjykata shtyn seancën

Është shtyrë për në datën 22 prill, seanca për dosjen “Plumbi i artë”, ku i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, në këtë fazë vihet përballë pyetjeve të avokatëve të të pandehurve të tjerë.

Shkak për shtyrjen janë bërë debatet në sallë. Avokati Ilirian Duzeni e braktisi sallën për disa minuta pasi pretendoi se Nuredin Dumani i tha “Je në ofertë”. Ai akuzoi edhe prokurorin e çështjes se “po bënte sehir” para këtij kërcënimi, ndërsa seanca rinisi disa minuta më pas.

“Dumani duhet të jetë korrekt. Ndoshta ai e thotë me shaka, por unë nuk e përballoj dot, sepse ai është trim dhe unë jam frikacak. Duke qenë se kjo është bërë shqetësim disa herë, ne kemi kontaktuar me kryetarin e Dhomës së Avokatisë, i cili na kërkoi shtyrjen e seancës. Nuk e tolerojmë më këtë sjellje. Kërkojmë shtyrjen e seancës,” mësohet se deklaroi avokati Duzeni.

Avokatja Elda Zotaj shprehu shqetësim, duke thënë se ka kërkuar nisjen e një procedimi për kanosje ndaj Nuredin Dumanit, por prokurori i është përgjigjur se është në besën e tij. Por kjo deklaratë është mohuar në mënyrë kategorike nga prokurori Behar Dibra.

“Dumani është i pandehur në këtë proces, jo dëshmitar. Të merren masa për personin që e provokoi situatën. Ato që thotë avokatja janë shpifje, të pavërteta. Ke të drejtën të ngresh kallëzim ndaj meje. Shko, bëj kallëzimin atje ku duhet,” raportohet se deklaroi prokurori Dibra.

Gjatë seancës, Dumani dha versionin e tij për vrasjen e Lulëzim Mashës, version që pati disa herë kundërshtime nga Henrik Hoxhaj, i cili po ashtu është i akuzuar se e kreu vrasjen në bashkëpunim me të penduarin e drejtësisë.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›