E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e Gërdecit,hetim 28 zyrtarëve

11 muaj pas tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria vuri nën akuzë të gjithe kupolën drejtuese të ministrisë së Mbrojtjes. Në 11 shkurt 11 drejtues të ministrisë së Mbrojtjes nga stafi civil dhe nga stafi ushtarak u paraqitën në ndërtesën e Prokurorisë së Përgjithshme për t'u njohur me akuzat që ishin ngritur ndaj tyre për shpërthimin në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Nga ish ministri Mbrojtjes Fatmir Mediu tek ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral lejtnant Luan Hoxha, tashmë janë shenjuar nga organi i akuzës si përgjegjës për ngjarjen e 15 marsit të vitit 2008. Të 11 ish zyrtarët e ministrisë se Mbrojtjes duhet të mbrohen për shpërdorim detyre, dhe akuza më voluminoze është ajo drejtuar ish-ministrit Mediu që është formuluar në 41 faqe. Përgjate këtyre faqeve Prokuroria ka numëruar të gjitha veprimet ose mosveprimet e Mediut që janë në shkelje me ligjin ose me detyrën e tij si ministër i Mbrojtjes. Sipas Prokurorise, Fatmir Mediu ka vepruar me dashje në kundërshtim me një sërë aktesh ligjore në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, duke sjellë pasojë dëmtimin e interesave të shtetit dhe mosgarantimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, si dhe duke sjellë përfitime të padrejta materiale shoqërive SAC dhe ALBADEMIL. Në këtë mënyrë ai ka konsumuar veprën penale shpërdorim detyre në bashkëpunim të parashikuar nga kodi penal, dhe kodit penal ushtarak. Sipas po të njejtit model është ndërtuar edhe akuza ndaj drejtuesve ushtarakë të ministrise së Mbrojtjes, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre sipas nenit 70/2 i kodit penal ushtarak. Nëse llogaritim edhe tre të arrestuarit për tragjedinë e Gërdecit atëherë numri i personave të akuzuar për këtë ngjarje arrin në 14 .Së bashku me ngritjen e akuzave për 11 zyrtarët e lartë të ministrisë së Mbrojtjes, janë zyrtarizuar edhe dëmet që shkaktoi shpërthimi i 15 marsit tq vitit 2007 nq ish-fabriken e tankeve në Gërdec.Duke iu referuar Prokurorisë, si pasojë e këtij shpërthimi humbën jetën 26 persona, u plagosen rënde 27, 109 persona numërohen si të plagosur lehtë, 27 persona me dëmtime të parëndësishme, dhe për 61 persona të tjerë në spital nuk është përcaktuar shkalla e dëmtimit.Ndërkaq vlera e dëmit material llogaritet në 22. 4 miliardë lekë. Kështu me këto konkluzione dhe të pandehur Prokuroria ka hyrë në fazën e fundit të hetimit të një ngjarje e cila cilësohet si më e rënda e viteve të fundit. Megjithatë burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se do të ketë edhe një rreth tjetër zyrtarësh të lartë të cilëve do t'iu komunikohet së shpejti akuza.Ndërkaq po burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se dosja e Gërdecit do të shkojë në gjykate, para datës 20 mars, kur mbushet edhe një vit nga nisja e hetimeve për këtë tragjedi të rënde dhe arrestimet e para për ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›