E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Dosja e Suel Çelës u manipulua”, Berisha: Dumani nuk hetoi lidhjet e grupit me politikën dhe ndërhyrjen në zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani se manipuloi dosjen për bandën kriminale të drejtuar nga Suel Çela, e cila vepronte në zonën e Elbasanit.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha komentoi hetimet e udhëhequra nga Altin Dumani dhe dosjen hetimore për grupin e Suel Çelës, duke duke vënë në dukje se SPAK-u nuk ka hetuar ndikimin e këtij grupi në zgjedhje.

“Edhe ne dosje del ‘Balla na do për vota’, po a ka krim më të madh se ky i Dumanit që nuk thotë asgjë për krimet  elektorale të kësaj bande. Kjo është shkalla më ekstreme e manipulimit të një dosjeje”, tha Berisha.

Sipas kryetarit të PD Berisha, SPAK-u i cili ka hetuar deri edhe gazetarët, nuk ka hetuar lidhjet e bandës së Suel Çelës me politikanët edhe pse sipas tij ekzistojnë biseda mes ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla dhe këtij grupi kriminal.

“Sigurisht këta janë vrasës e duhet të përgjigjen para ligjit, por është mbështetja politike që shumëfishon aktivitetin e tyre kriminal. Dhe ka qenë mbrojtja e Taulant Ballës që u ka dhënë atyre mundësi të vazhdojnë projektet e tyre të zeza”, deklaroi Berisha.

Sipas Berishës edhe përfshirja e prokurorëve në aktivitetin kriminal të kësaj bande është hequr nga dosja e Elbasanit, siç janë hequr edhe disa gjyqtare.

Më 25 nëntor SPAK zhvilloi një operacion për të goditur organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi i tij ishte përqendruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë.

Mes 21 masave të sigurise të vendosura nga Gjykata për këtë grup kriminal janë edhe masa “detyrim paraqitje” për dy gazetarë./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›