E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja ‘Hoxha’, tregon në Itali, ish-shefi iSHIK të Lezhës

TIRANE-Martin Miraj, ish-shefi i SHIK-ut të Lezhës është rrëfyer në Gjykatën e Romës, në Itali, për llogari të procesit penal ndaj tre ish-shikasve të akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit, Remzi Hoxha. Seanca për pyetjen e dëshmitarit të kërkuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda, është zhvilluar paraditen e 8 korrikut, dhe Miraj, u është përgjigjur dhjetëra pyetjeve të autoriteteve gjyqësore, që kanë ekzekutuar në këtë mënyrë, letër-porosinë e drejtësisë shqiptare. Për të marrë pjesë në seancën ku do të pyetet ish-kreu i SHIK-ut të Lezhës, nga Tirana drejt Romës ka udhëtuar Nertina Kosova, anëtarja e trupit gjykues që po shqyrton dosjen ndaj Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Ilir Kumbaros. I pranishëm ka qenë dhe prokurori i çështjes, Xhevat Hana. Burime për "GSH" kanë bërë të ditur se Miraj ka pranuar se na Vain janë shoqëruar persona të ndryshëm që ishin objekt i punës së SHIK-ut, por nuk kishte dijeni nëse ndonjëri prej tyre ishte shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha.
Ish-drejtori
Ish-shefi i SHIK-ut të Lezhës, është pyetur për më shumë se katër orë në Gjykatën e Romës, për të gjitha detajet që kanë lidhje dhe hedhin dritë mbi rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha, 15 vjet me parë. Ai ka dhënë mjaft detaje që ngarkojnë me përgjegjësi të akuzuarit, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro. Letër-porosia me dëshminë e tij, pritet të mbërrijë në rrugë zyrtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku procesi ndaj tre ish-shikasve po zhvillohet prej tri vitesh. Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, akuzohen për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxham, si dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopoullit dhe Avdyl Loshajt. Pas pyetjes së Martin Mirajt, prova e fundit që do të shënojë dhe fundin e shqyrtimit gjyqësor, është marrja e dëshmisë së ish-pengut të mbijetuar të SHIK-ut, Avdyl Loshaj, i cili ka gjasa të pyetet në Kosovë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›