E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania e treta në Botëror, Uruguaji ikën me kokën lart

PORT ELIZABETH- Gjermania ka siguruar vendin e tretë në botë, duke mposhtur 3-2 Uruguajin në atë që konsiderohet si finalja e vogël e kampionatit botëror. Në një ndeshje të bukur dhe me emocione, gjermanët kanë luftuar deri në fund përballë një kundërshtari të rrezikshëm, duke mos toleruar asgjë. Në fakt, rëndësia e kësaj sfide është shumë më e vogël se finalja e madhe, por skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv ka luajtur me shumë dëshirë, duke arritur të njëjtin pozicionim si në Botërorin e vitit 2006.
Megjithëse me shumë mungesa në formacion, gjermanët ditën të impononin lojën e tyre dhe falë një karakteri të hekurt kanë siguruar me meritë fitoren. Ndërsa Uruguaji largohet nga kjo Kupë Bote me kokën lart, duke marrë vendin e katërt. Skuadra e drejtuar nga Oskar Uashington Tabarez ka luftuar për çdo top dhe ka treguar një klas të lartë përballë një kundërshtari shumë potent në kompeticione të tilla.
Takimi nisi më i mirë për Gjermaninë, e cila gjeti rrugën e golit në minutën e 19-të me anë të Tomas Myler, për të cilin ishte goli i pestë në këtë Botëror. Uruguajit iu deshën vetëm 9 minuta për të barazuar. Pas një topi të humbur në mesfushë nga Shvajnstajger, Luis Suarez pasoi saktë për Kavanin, i cili mposhti portierin But. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa e dyta nisi menjëherë me gol për amerikano-jugorët. Pas vetëm 6 minutash, Diego Forlan realizoi me një goditje fluturimthi duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Një gol që e çon edhe atë në kuotën 5 në këtë Botëror.
Por, reagimi i skuadrës gjermane ka qenë i menjëhershëm. Pas 6 minutash, Marsel Jansen gjendet çuditërisht në qendër të zonës uruguajane dhe me kokë mposht portierin Muslera. Goli u ka dhënë besim gjermanëve, që janë hedhur në sulm. Megjithatë edhe Uruguaji ka patur disa raste të rrezikshme, por që nuk ka mundur t’i finalizojë.
Kur dukej se gjithçka do t’i drejtohej shtesës, Sami Khedira realizon golin e fitores, pas një goditje këndi, në të cilën topi u end gjatë në zonë.
Në fund Forlan mund të kishte realizuar, por sulmuesi i Atletikos ishte i pafat. Takimi u mbyll këtu, me gjermanët që sigurojnë edhe këtë vit vendin e tretë në botë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›