E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet”, Withers: Ligji antikushtetues, duhet riparë

Ambasadori i SHBA në Tiranë Withers, thotë se shpreson që qeveria t'i hedh një vështrim ligjit të Dosjeve, i cili sipas tij ka probleme në kushtetuetshmërinë e tij. Në një intervistë për “VOA”, Withërs foli dhe për raportet mes qeverisë dhe Drejtësisë. 

TIRANE- Në momentin kur “Ligji i Dosjeve” është ankimuar pranë Gjykatës Kushtetuese, kryediplomati Amerikan në Tiranë John Withers si njeriu i cili dy muaj më parë në emër të qeverisë amerikane kritikoi ligjin e dosjeve, ka shprehur rezerva për rishikimin e këtij ligji nga ana e qeverisë. Në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” Withers i bashkohet zërit të Trojkës Europiane, që ligji duke qenë antikushtetues duhet riparë.
“Pozicioni i qeverisë së Sh.B.A. është shumë i njohur. Pozicioni është paraqitur edhe këtu edhe në Uashington. Kemi ngritur problem në kushtetueshmërinë e ligjit si dhe mbi zbatimin e mundshëm të ligjit. Këto janë çështje që janë ngritur edhe nga një numër institucionesh dhe organesh anembanë Europës dhe mendoj që të gjithë ne shpresojmë që qeveria e Shqipërisë do qaset ndaj këtij ligji, do bëjë një qasje të re ndaj këtij ligji, dhe do të shfrytëzojë mundësinë e ndihmës që të gjithë ne, që jemi miq të Shqipërisë, kemi ofruar.”, u shpreh Withers.
Duke u mbështetur në leksionin e demokracisë që Amerika jep për pjesën tjetër të botës ambasadori Withers këshillon qeverinë shqiptare të jetë e kufizuar në kompetencat e saj karshi sistemit të drejtësisë, këto marrdhënie thotë Withers nuk duhet të cënojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Më tej Withers theksoi se “Në lidhje me situatën që kemi parë këtu si dhe në vende të tjera, ajo që duhet mbajtur mend është që parimi themelor i cilësdo demokraci, dhe këtu mund të përdor Sh.B.A. si një shembull parësor, është parimi i një qeverie të kufizuar.
Institucioni kyç për të përcaktuar se deri ku duhet të arrijë autoriteti i qeverisë, fleksibiliteti i qeverisë, veprimet e qeverisë dhe ku jo, është sistemi gjyqësor i vendit. Prandaj, është me rëndësi jetësore që ky gjyqësor të ruajë pavarësinë e tij në mënyrë që të mund ta ruajë këtë drejtpeshim midis sferave të veprimit të qeverisë dhe të drejtave të qytetarit për liritë individuale, në atë nivel ku duhet të jetë”

Duke folur për zgjedhjet e përgjithshme në pranverë të këtij viti ambasadori amerikan në Tiranë John Withers e ka vënë theksin në organizimin dhe administrimin e tyre për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme elemente kyç të një demokracie.

“Një prej elementëve kyç të një demokracie janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të gjithë e dimë dhe dihet publikisht që zgjedhjet shqiptare kanë pasur problem në të kaluarën. Tani, në qershor ekziston një shans i vërtetë për ta lënë gjithçka pas, për të pasur zgjedhje ku organizimi, administrimi, pjesëmarrja e njerëzve dhe shumë gjërave të tjerë të jenë siç duhet; është shumë e mundshme për Shqipërinë t'i arrijë. Po punojmë shumë fort për ta ndihmuar qeverinë dhe popullin e Shqipërisë që t'i bëjnë këto zgjedhje një hap gjigand përpara dhe për të vendosur atë bazë thelbësore të demokracisë këtu” tha Withers.

Lidhur me përplasjet e qeverisë me gazetën “Tema” përfaqësuesi i diplomacisë amerikane në Tiranë nuk fsheh shqetësimin për situatën e krijuar, por sygjeron të pritet dhe respektohet vendimi i Gjykatës.

“Shpresoj që most e përfaqësoje një përkeqësim midis qeverisë dhe shtypit. Edhe një herë, një prej elementëve kyç të demokracisë është shtypi i lirë. Gjithçka që mund të sugjerojë, madje edhe perceptimi i një ndërhyrjeje të qeverisë në lirinë e shtypit do të ishte diçka që do shkaktonte shqetësim të madh. Mendoj që rasti i Tema-s është diçka që po e shohim nga shumë afër si këtu edhe në Uashington. Me sa kuptojmë, mosmarrëveshja mes qeverisë dhe gazetës i është nënshtruar një vendimi gjykate. Është shumë e rëndësishme, në kushtet e sundimit të ligjit, që vendimi të respektohet ndërkohë që dy palët përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre”, përfundoi Withers.

Në fund të intervistës së tij diplomati amerikan Withers ka siguruar dhe njëherë që me zgjedhjen e presidentit Barak Obama në krye të Shtëpisë së Bardhë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Amerikës do të vazhdojnë të jenë mjaft të mira.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›