E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, zhduket nxënësja e Hotelerisë

Nga Gerti Xhaja
Zhduket në rrethana misterioze një gjimnaziste e shkollës së mesme "Hoteleri Turizëm" në Tiranë. Policia shmang konfrontimin e prindërve të ardhur nga Puka, me sfatin e mesimor. 

TIRANE Zhduket në rrethana misterioze një gjimnaziste e shkollës së mesme "Hoteleri Turizëm" në Tiranë. Adoleshentja me iniciale B.K., ishte larguar nga konvikti disa ditë më parë. Prindërit, të alarmuar nga zhdukja e vajzës dhe mungesa e përgjigjeve në telefonin e saj celular, kanë ardhur të hënën nga Puka, në konviktin në kryeqytet ku rrinte vajza. Ata kanë mbetur të shtangur për faktin se të gjithë në konvikt dhe në shkollë e dinin që vajza ishte larguar dhe se kishte ikur me të dashurin e saj. Prindërit për pak janë konfrontuar edhe me stafin mësimor, pasi sipas tyre, vajza adoleshente i ishte dorëzuar në kujdes e mbikëqyrje shkollës. Është dashur ndërhyrja e shërbimeve të Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës, për të shmangur konfrontimin që ishte "ndezur" së tepërmi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të martës. Vetë drejtoria e shkollës së mesme profesionale Hoteleri-Turizëm ka mohuar të ketë pasur dijeni për ngjarjen, e cila konfirmohet nga burimet e policisë së kryeqytetit. Sipas kësaj të fundit, vajza është larguar me të dashurin e vet dhe mendohet se do ketë fundin e historive "të llokumeve" me fejesën e çiftit të të dashuruarve. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk kishte mundur të gjente dhe të merrte në pyetje vajzën rreth largimit të saj nga konvikti. Vetë vajza mësohet se kishte lënë edhe një letër në dhomën e saj në konvikt, ku sqaronte se po largohej me dëshirën e saj për të kaluar më shumë kohë me të dashurin.
Ngjarja
Prindërit kishin humbur kontaktet në fundjavë. Ishin munduar të lidheshin në telefonin celular me vajzën, por sipas dëshmisë së tyre për policinë, ajo u shmangej. Ankthi për problemet me të cilat mund të ishte duke u përballur vajza e tyre e mitur, ka bërë që prindërit të merrnin rrugën nga Puka në drejtim të Tiranës. Në konvikt u kanë thënë se vajza ishte larguar me leje nga godina dhe shkolla. Vetë prindërit kanë kontaktuar me nxënës të shkollës për të mësuar më shumë për largimin e vajzës.
Policia
Të sinjalizuar nga drejtoria e shkollës, aty kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës. Oficerët e policisë kanë sekuestruar një letër që kishte lënë vajza në dhomën e saj, ku shpjegonte arsyet e veta të largimit nga shkolla. Sipas policisë, vajza në shënimin e saj bënte të ditur se ikte me dëshirë së bashku me të dashurin e saj. Policia pretendon se është lidhur me vajzën dhe ka marrë siguri se ikja e saj është bërë me vetëdije për shkak të lidhjes afektive që ka. Gjithsesi, mosha e mitur e vajzës vendos të dashurin e saj automatikisht nën akuzë edhe në rast se marrëdhëniet e tyre mund të jenë me dëshirë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›