Dosjet sekrete mund të kenë prova për krime
Themeluesi i “Wikileaks”, sajti i internetit ku janë botuar 92 mijë dokumente që sjellin një tjetër panoramë të luftës në Afganistan, ka deklaruar se dokumentet mund të përmbajnë fakte për kryerjen e krimeve të luftës. Julian Assange tha se materiali ushtarak flet për mijëra krime që mund të jenë kryer në Afganistan. Në një konferencë për shtyp që dha në Londër, ai deklaroi se “është në dorë të gjykatave për të vlerësuar nëse ka apo jo dokumente që mund të cilësohen si krime. Ajo që do të donim, është që i gjithë materiali i botuar të merret në konsideratë në mënyrë shumë serioze, të hetohet nga qeveri të ndryshme dhe politika të reja të hartohen si pasojë”, ka deklaruar Julian. Ndër të tjera, ai tha se kishte edhe rreth 15 dokumente të tjera dhe premtoi se do t’i publikonte edhe ato shumë shpejt gjatë javëve në vazhdim. Sipas tij, vendimet duhet të merreshin edhe në lidhje me ndikimin dhe impaktin e mundshëm që do të kishin materialet ndaj sigurisë. Ai kundërshtoi edhe pretendimet e administratës amerikane, sipas të cilave materialet do të vinin në rrezik jetën e ushtarëve. “Ne jemi mësuar tashmë me grupe, të cilave u kemi publikuar abuzimet që kanë kryer dhe bëhet fjalë gjithmonë për reagime që kërkojnë t’ia tërheqin vëmendjen publikut nga thelbi i mesazhit. Edhe në këtë rast nuk shohim asnjë ndryshim mes reagimit të Shtëpisë së Bardhë dhe grupeve të tjera që ua kemi nxjerrë të palarat. Ndërkaq, mund të them se jemi përpjekur të sigurohemi për materialet që kemi publikuar, në mënyrë që ato të mos shkaktojnë ndonjë dëm. Të gjitha materialet janë 7 muaj të vjetër dhe nuk kanë pasoja operacionale në terren”, ka deklaruar krijuesi i sajtit dhe njeriu që është vënë në qendër të vëmendjes së shumë shteteve dhe interesave. Ndërkaq, dje Pentagoni është përpjekur të bëjë një vlerësim të dëmit që ka shkaktuar publikimi i materialeve. Sipas një zëdhënësi të Pentagonit, do të duhen praktikisht ditë apo edhe javë për të parë të gjitha dokumentet dhe për të vendosur në lidhje me dëmin potencial që u shkaktojnë ato ditëve të ushtarëve që janë në Afganistan. Ndërkaq, Pentagoni nuk ka pranuar që të deklarohet në lidhje me përmbajtjen e materialeve, por ka bërë të ditur se është duke hetuar në lidhje me personat e mundshëm që mund ta kenë bërë të mundur rrjedhjen e këtij informacioni. Pronari i sajtit që publikoi materialet e krahasoi këtë akt me hapjen e arkivave të shërbimit sekret STASI në Gjermaninë Lindore.
#