E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dougherty: Dua të shmang "zanatin" e të krijuarit

Një poet amerikan, për pak ditë në Tiranë. Sean Thomas Dougherty prezanton poezinë që frymëzohet nga jeta e përditshme, shoqëruar me ritmet hip-hop

Poeti amerikan, Sean Thomas Dougherty, prezantoni dje në Akademinë e Arteve poezinë e tij. Interpretoi vetë disa nga poezitë, frymëzuar nga përditshmëria. Studentët u gjendën përpara një forme jo dhe aq të rrahur të të lexuarit të poezive.

Në disa raste autori e kalonte tekstin poetik në ritme hip-hopi, gjë që nuk u prit njësoj nga studentët. Dikush u hutua, të tjerë mundoheshin të kapin anglishten amerikane, kush qeshte me lëvizjet e poetit, kishte të tjerë që një gjë e tillë i linte krejt indiferentë.


Sean Thomas Dougherty tregon për realitetin ndaj të cilit është orientuar poezia e tij dhe njerëzit, nga të cilët është influencuar.

Sapo prezantuat një poezi jo shumë të njohur në Shqipëri, një poezi që e shqetëson jeta sociale.

Kur isha fëmijë, në vitet '70-të, gjendja sociale në SHBA nuk ishte si sot, e qetë. Babai im u largua kur isha 6-muajsh. Ai ishte irlandez dhe u rikthye në Evropë. Mamaja ime u martua me një afro-amerikan kur isha 5 vjeç dhe mua më rriti njerku.

Gjatë fëmijërisë mbaj mend shumë incidente raciste. Temat sociale janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Unë jetoj në pjesën verilindore të SHBA-së, ku gjithmonë ke të bësh me persona të një etnie tjetër. Këto marrëdhënie herë të japin gëzim e herë sjellin mosmarrëveshje. Amerika ka përzierjen më të madhe të popullsisë në botë, kështu që vendi ynë ende vuan nga një aparterid social dhe racist.

Këto dallime mund të tregohen nëpërmjet poezisë?


Mendoj që duhet të tregohen nëpërmjet poezisë, sepse ajo është një formë arti. Nuk është një formë e rrezikshme politike që të shkaktojë polemika kur tregon eksperiencën e vërtetë të jetës së njerëzve.

Nuk do të ishte etike për mua po të mos i tregoja këto histori, po të mos i paraqisja këto zëra. Kam punuar për shumë vite në fabrikë dhe po të mos shkruaja për këtë eksperiencë, do të dukej sikur më vjen turp nga njerëzit me të cilët kam punuar.

Si ta quajmë poezinë që dëgjuam dhe "pamë" sot?


Në gjithë vendet ku kam qenë, kam vënë re dy lloje poezish: poezinë akademike, që për mua është një aspekt fare i vogël i poezisë dhe poezinë e vërtetë, që është tek jeta e përditshme e njerëzve.

Për mua poezia ka të bëjë me mrekullinë e momenteve që jetojmë, t'i kapim dhe t'i ruajmë këto momente për njerëzit e tjerë.

Dhe kjo është një këshillë për të mos lexuar poezi akademike?


Nuk mendoj se duhet zgjedhur doemos njëra apo tjetra. Ashtu si historia politike i sheh luftërat në pikëpamje të ndryshme, ashtu edhe poezia mund të shihet në pikëpamje të ndryshme.

Disa nga krijimet e mia janë të vështira, por disa të tjera janë poezi të kapshme. Nuk është e thënë që një poezi duhet të jetë e pakuptueshme që të jetë akademike dhe anasjelltas, një poezi që është e kuptueshme nuk mund të mos quhet akademike.

Në referencat tuaja përmenden emra si, Mile Davis dhe Marc Chagall. Kanë ndikuar tek ju muzika jazz dhe piktura?


Më ndihmojnë të kërkoj të pathënën. Për mua që të dy janë përpjekur të thonë të pathënën, Chagall-i në një mënyrë surealiste, të magjishme, ndërsa Davis-i duke gjetur një tingull të veçantë. Ai luan një notë që gjithkush mund ta luajë, por ai e luan në një mënyrë ndryshe.


Jam ndikuar nga muzika jazz, nga njerëz si Erich Dolphy, i cili gjen nota e tinguj që ai nuk e dinte se ekzistonin përpara se t'i interpretonte. Është si të krijosh në mënyrë të vazhdueshme momente të reja.

Për mua ky është sekreti për të mos përsëritur vetveten. Të gjithë librat e mi, nga i pari tek i fundit, janë të ndryshëm. Unë gjithmonë përpiqem të gjej mënyra të reja për të shprehur atë që jam, të shpreh botën dhe jazz-i e bën një gjë të tillë.

Çfarë doni të thoni me mënyra të reja të të shprehurit?


Po ja, poetët gjejnë një lloj prehjeje, shkruajnë në të njëjtin stil, kanë të njëjtën krijimtari, shkruajnë vetëm poema, poezi të shkurtra ose proza poetike. Për mua e gjithë kjo është një strategji për të krijuar. Shqetësimi im është që të mos jem i ngrirë ose të përvetësoj një strategji krijimi, të cilën ta përsëris dhe ripërsëris.

Të krijuarit do të shndërrohej në një zanat që do ta zotëroja mirë. Dua ta shmang këtë "zanat". Nuk dua që poezitë të kenë strukturë dhe nuk e di se ku do të shkojnë poezitë, pasi t'i kem shkruar, dua që të më tregojnë vetë se ku do të shkojnë.

Ky auditor ju dëgjon për herë të parë, po ashtu edhe ju, për herë të parë njiheni më të. Sa i vështirë është komunikimi në këto raste?


Edhe nëse je poet shumë i njohur, gjithmonë do të gjesh një publik që nuk të njeh. Është e vështirë të komunikosh me një publik që flet një gjuhë të ndryshme nga e jotja. Këtë e ndjeva kur po lexoja poezitë përpara studentëve. Është e vështirë edhe të përkthesh të paktën 5% të asaj që bëj unë. Të jem i sinqertë, është paksa zhgënjyese.

Ju keni një vajzë të vogël, të cilën më sa shohim e merrni me vete kudo që shkoni. Çfarë do t'i uronit asaj për të ardhmen?


Dua që ajo të jetë e lumtur. Nuk më intereson çfarë do të bëjë për sa kohë që do të jetë e lumtur. Këtë duam të gjithë për fëmijët tanë, apo jo?

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›