Mustafaj: Qeveria ka ministra të korruptuar
INTERVISTA/ Flet ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj: Berisha prishi rregullat e lojës. Jozefina Topalli është mirë vetëm për numër 2.
Z. Mustafaj, keni deklaruar para disa ditësh shqetësimin tuaj lidhur me pozicionimin e Kryeministrit në garën për kreun e PD-së së Tiranës...
PD-ja është një parti ku ekzistojnë konceptet politike të garës, ku ekziston atmosfera politike moderne e garës dhe unë jam shembulli.
Kam vazhduar të besoj gjithnjë e më pak, por përsëri të besoj deri në deklaratën që bëri kryetari i partisë, megjithëse unë, që në fillimet e fushatës sime, por edhe disa nga eksponentëve kryesorë të PD-së, ia kam bërë thirrjen të mbajnë distancë nga të gjithë kandidatët.
Tani mund të mendohet, duke pasur parasysh dhe një mori veprimesh në kulisa që bëhen përditë, përditë, përditë, mund të mendohet se vërtetë është paracaktuar se kush do të jetë kreu i degës më të madhe të kësaj force.
Ju jeni shprehur se nuk keni bindjen se kjo shkelje e standardeve në këtë garë elektorale është aq e rëndë sa mund të zhdukë mundësinë e garës. Ju me këtë besoni vërtet apo kërkoni të ruani deri në fund mikun tuaj Berisha?
Të dyja janë. Unë nuk mendoj se është momenti politik për PD-në që të hapen debate të mëdha. Jemi përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo është arsyeja që unë përmbahem në çeljen e debateve dhe, së dyti, dua të besoj se edhe një minimum mundësie për të bërë garë në PD, do të ekzistojë. Por unë po e ndjej se përditë ky minimum po më pakësohet.
Kush ju ka zvetënuar kaq shumë që keni shkuar në idenë e tërheqjes nga politika: perdja Berisha, shtëpia e pa reformuar e PD-së apo demokratët e tipit Olldashi?
Unë, siç e thashë edhe më sipër, nuk dua të hap debate të mëdha.
E vërteta është se unë, gjatë gjithë jetës sime, gjithçka kam bërë e kam bërë me një lloj frymëzimi, me dashuri, me pasion, sepse nuk kam pasur asnjëherë detyrimin të bëj gjëra nga halli. Edhe në rininë time, kur kam zgjedhur profesionin, kam shkuar aty ku më realizohej një lloj pasioni.
Tani unë ndjej një lloj zvetënimi të pasionit dhe kjo është gjë e keqe, sepse unë nuk rri në politikën e paguar, nuk mund të jem deputet apo funksionar politik nga halli, sepse nuk e kam atë hall.
Ka sot deputetë, madje edhe ministra, që, sot, po të mos llogarisim se ç'kanë vënë para mënjanë, dhe këtu se kam fjalën vetëm për paratë e rrogës, ata do të gjendeshin pa bukë, sepse kanë qenë pa bukë dhe pa profesion kur kanë hyrë në politikë dhe po ashtu janë.
Pra, në këtë kuptim, unë kujtoj në vitin 1991 kur jam zgjedhur deputet dhe në atë kohë unë punoja për agjencinë franceze të lajmeve AFP dhe merrja 700 dollarë.
E lashë këtë shumë për të marrë 12 mijë lekë të deputetit. Pra, në kuptim, unë merrja një rrogë 60 herë më të vogël sesa ajo që merrja më parë. Është e inspirueshme për mua për të bërë një punë dhe për ta bërë mirë. Ndërsa tani kjo ka filluar të zvetënohet. Rezultati ka rëndësi, arsyet më pak.
Pse është kaq e rëndësishme për të humbur shpresat, një deklaratë e bëra nga Berisha, i cili ka përmendur emrin e Bumçit si kandidat potencial për garën e PD-së së Tiranës?
Të gjitha partitë e mëdha janë parti lideri. Dhe PS-ja, po të mos dojë Edi Rama sot, pra t'i kundërvihet Kryetarit të PS-së së Tiranës, e heq ose e përjashton nga mundësia e garës.
Të jemi realistë dhe unë në këtë pikë nuk kam iluzione, kam eksperiencë, kam lexime të mjaftueshme nga politika, aq sa të mos jem naiv.
Prandaj unë edhe kam mbajtur atë qëndrim ndaj deklaratës së Berishës, sepse unë nuk mendoja se për Berishën është i rëndësishëm emri i fituesit, d.m.th. për kryetarin e degës së Tiranës, pasi unë mendoja se për të do të ishte i rëndësishëm koncepti i garës, sepse fushata që bëhet brenda PD-së është në mënyrë laboratorike një farë mostre apo dëshmie e asaj që do të ndodh në demokracinë e përgjithshme.
Një parti nuk mund të ketë dy standarde, një jo demokratike brenda vetes dhe demokratike për shoqërinë.
Z. Mustafaj, keni dashur të bëni ministrin e Jashtëm me një Berishë që ka qenë edhe Kryeministër, edhe ministër i Jashtëm, keni dashur të bëni ambasadorin me një Berishë që ka qenë edhe President, por që ka dashur të bëjë dhe ambasadorin, doni të bëni kryetarin e PD-së së Tiranës me një Berishë që është Kryetar i PDSH-së, por që do të bëhet edhe kryetar i kësaj dege. A është kjo sjellje e tij, arsyeja e vërtetë e prishjes suaj me të?
Një gjë është e sigurt se, për sa kohë unë kam qenë ambasador, kam qenë realisht ambasador dhe s'ka qenë as ministri dhe as Presidenti. Për sa kohë unë kam qenë ministri i Jashtëm, unë kam qenë realisht ministër dhe s'ka qenë as Kryeministri dhe as Presidenti.
Normalisht që unë e kam sensin e hierarkisë dhe kam vepruar sipas programit dhe vendimeve të qeverisë, sipas asaj linje të përcaktuar nga Kryeministri dhe Presidenti, sepse me Kushtetutë edhe Presidenti ka pushtet të rëndësishëm mbi politikën e jashtme.
Edhe po të jem Kryetar i PD-së së Tiranës, demokratët e këtij qyteti, do të kishin një kryetar të zgjedhur nga ata vetë dhe jo të emëruar nga lart.
Pra, në këtë kuptim unë i kam dhënë shumë rëndësi çështjes nëse mund ta bëj ose jo dhe ballafaqimi im në meditimin tim ka qenë gjithmonë me peshën e barrës që përmban detyra dhe jo me emocionin apo sjelljen që duhet të mbaj ndaj eprorit.
Ju jeni shumë i kujdesshëm për të mos hapur debate në këtë kohë, por edhe kolegë tuaj të PD-së, siç është z. Biberaj, kanë folur hapur për një sekt të Jozefina Topallit, ku bën pjesë edhe z. Aldo Bumçi. E përligjni ju këtë deklaratë të z. Biberaj?
Unë mendoj se z. Biberaj e njeh shumë mirë PD-në, pasi është në PD para të gjithë këtyre emrave që përmendet ju, përveç Sali Berishës. Prandaj, edhe këta emra që përmendët ju kanë ardhur me vite pas Biberajt në PD. Ai e njeh nga brenda këtë parti dhe për këtë ka analizën e tij. Unë s'kam ardhur sot këtu as për të bërë replika me Biberajn, as ta mbroj atë.
Unë kam vlerësim për Biberajn si një njeri me kontribute shumë të mëdha në PD dhe është një shembull në këtë parti sesi ka ardhur nga anëtar i thjeshtë i PD-së me punë dhe devocion ndaj programit të PD-së. Pra, ai ka arritur që nga anëtar i thjeshtë, me punë të arrijë të bëhet deputet. Pra, nuk është një njeri i katapultuar në PD.
Përse zgjedhja juaj në krye të PD-së i bën dëm Topallit dhe sojit të Olldashit?
Nuk e di, asnjëherë nuk e kam kuptuar këtë gjë. Ndoshta dhe unë mendoj se ata nuk janë njerëz të mësuar me garë.
Pra, ata asnjëherë nuk kanë fituar një gjë me garë, por kanë qenë vazhdimisht të emëruar nga kryetari i partisë dhe nga ne që kemi qenë rrotull kryetarit dhe unë e marr përgjegjësinë për këtë gjë.
Prandaj, dhe tentativa ime për ta fituar garën i gjen këta lojtarë të pastërvitur me këtë mënyrë loje. Në vend që të stërviten dhe të futen dhe ata në rregullat që unë presupozoj se duhet të sundojnë në PD, ata përpiqet të përjashtojnë lojtarin që i vë në vështirësi.
Sot, në 2009-ën, a meriton PD-ja një tjetër status?
Partitë e mëdha nuk modernizohen nga jashtë, por janë mekanizma të vetëmjaftueshëm në kuptimin e reformave të brendshme. Pra, në këtë rast unë konstatoj që ka një frymë në ngjitje të ngadalshme, një vetëndërgjegjësim të militantëve edhe të drejtuesve të strukturave bazë, se edhe në PD, e cila në lindje është e vetmja që është ende një parti e madhe nga të gjitha ato parti që kanë rrëzuar komunizmin, ka nisur të ketë ngurtësim.
Pra, të gjitha këto parti, në Poloni, Hungari dhe Republikën Çeke, u zhdukën ose u ulën në 7 deri 5 për qind dhe dolën formacione të tjera politike. Në qoftë se nuk hapemi dhe modernizohemi, do të përfundojmë dhe ne si partia e Les Valesës, me 2 për qind.
Kryetarja e Kuvendit ka shprehur para pak kohësh dëshirën për të qenë pasardhëse e Kryeministrit Berisha. Do të ishte zëvendësimi më i mirë?
Znj. Topalli është nënkryetare e partisë nga pikëpamja partiake, është në një vend që unë e kam votuar si nënkryetare. Pra, mund të jetë shumë mirë numër dysh, por unë ende shoh prova që ajo mund të jetë më shumë se dysh.
Për Topallin
"Topalli është nënkryetare e partisë nga pikëpamja partiake, është në një vend që unë e kam votuar si nënkryetare. Pra, mund të jetë shumë mirë numër dysh, por unë ende shoh prova që ajo mund të jetë më shumë se dysh"
Për PD-në
"Pra, në këtë rast, unë konstatoj që ka një frymë në ngjitje të ngadalshme, një vetëndërgjegjësim të militantëve edhe të drejtuesve të strukturave bazë se, edhe në PD, e cila në lindje është e vetmja që është ende një parti e madhe nga të gjitha ato parti që kanë rrëzuar komunizmin, ka nisur të ketë ngurtësim. Ne në qoftë se nuk hapemi dhe modernizohemi, do të përfundojmë dhe ne si partia e Les Valesës, me 2 për qind"
Për Berishën
"Unë nuk mendoja se për Berishën është i rëndësishëm emri i fituesit, d.m.th. për kryetarin e degës së Tiranës, pasi unë mendoja se për të do të ishte i rëndësishëm koncepti i garës, sepse fushata që bëhet brenda PD-së është në mënyrë laboratorike një farë mostre apo dëshmi e asaj që do të ndodhë në demokracinë e përgjithshme. Një parti nuk mund të ketë dy standarde, një jo demokratike brenda vetes dhe demokratike për shoqërinë"
Për politikën
Ka sot deputetë, madje edhe ministra, që, sot, po të mos llogarisim se ç'para kanë vënë mënjanë dhe këtu s'e kam fjalën vetëm për paratë e rrogës, ata do të gjendeshin pa bukë, sepse kanë qenë pa bukë dhe pa profesion kur kanë hyrë në politikë dhe po ashtu janë.
INTERVISTA
"Berisha prishi rregullat e lojës. Disa ministra kanë qenë pa bukë dhe pa profesion kur kanë hyrë në politikë dhe po ashtu janë. Nëse PD-ja nuk ndryshon, do përfundojë si partia e Les Valesës. Topalli është ok për numër 2"