Dënohet me gjashtë muaj burg Bollano
VENDIMI/ Gjykata e Vlorës e ka shpallur fajtor kryetarin e Bashkisë së Himarës për "shpërdorim detyre"
Togat e zeza u shprehën se kryebashkiaku kishte kryer heqjen e tabelave me dashje dhe për motive të dobëta
VLORË - Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë dënoi dje kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, me 6 muaj burg, 500 mijë lekë gjobë dhe heqje të së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për tre vite.
Ai u deklarua fajtor për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës". Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, vendimi u shpall pa praninë e të pandehurit dhe të avokatit të tij, të cilët nuk morën pjesë në seancën e fundit.
Vendimi
Kreu i trupit gjykues për çështjen ndaj Vasillaq Bollanos dha dje vendimin për çështjen. Ai u shpreh se nga shqyrtimi i çështjes në tërësi dhe nga vlerësimi i provave rezulton se Bollano ka shpërdoruar detyrën e tij publike, duke urdhëruar heqjen dhe çmontimin e sinjalistikës rrugore në segmentin Llogora-Qeparo, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë. Kreu i trupit gjykues nënvizoi se nga dy urdhra të lëshuara prej kryebashkiakut himarjot janë dëmtuar interesat shtetërore, e shoqëruar kjo me një dëm financiar prej rreth 1,8 milionë lekësh.
Gjyqtari Shkëlzen Selimi, në arsyetimin e vendimit, përcaktoi se në çështjen në ngarkim të tij, kryetari i bashkisë së Himarës është marrë në cilësinë e të pandehurit si përfaqësues publik, dhe jo i ndonjë organizate, siç janë shprehur ai dhe avokati i tij.
Togat e zeza rrëzuan pretendimet e të pandehurit, të paraqitura në seancë, sipas të cilit fakti për të cilin akuzohet Bollano nuk përbën vepër penale, por urdhrat e dhëna janë në përputhje me atributet e parashikuara në ligjin "Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore".
Kreu i trupit gjykues saktësoi se rrugët kombëtare janë nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, dhe jo të njësive të qeverisjes vendore.
Në këto kushte dhe duke vlerësuar provat e paraqitura nga organi i akuzës, Bollano u shpall fajtor për konsumimin e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës". Përveç dënimit me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë, kryebashkiakut himariot i hiqet edhe e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.
Në vendimin e djeshëm përcaktohej gjithashtu se dënimi me heqje lirie do të kryhet në një burg të sigurisë së ulët, ndërkohë që shlyerja e detyrimit financiar do të realizohet brenda një periudhe 1-vjeçare nga momenti që vendimi do të marrë formën e prerë. Togat e zeza e kanë cilësuar veprimin e Bollanos si vepër penale, të cilën ai e ka kryer me dashje, për motive të dobëta.
Procesi
Seanca e djeshme ishte e 16-ta në çështjen gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut himarjot, e cila ka nisur në muajin korrik të vitit të kaluar.
Shkak për këtë çështje janë bërë dy urdhra të lëshuara prej tij për policinë bashkiake, në muajt tetor dhe dhjetor të vitit 2007, për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo-Llogora. Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit, i shtrirë në segmentin nga Vlora në Sarandë, financuar nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Ministrinë e Turizmit, me një vlerë prej rreth 6 milionë lekësh.
Përmes këtyre tabelave evidentoheshin objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike të zonës, mes të cilave, plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos etj. Gjatë fazës së hetimit Bollano ka pranuar se ka urdhëruar heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, por ai ka pretenduar se për vendosjen e tyre nuk ishte marrë leje nga bashkia.