E Shtunë, 31 Tetor 2026

Douglas rikthehet në "Wall Street"

I çlodhur, i qeshur dhe me një xhentilesë të jashtëzakonshme, Michael Douglas flet për një film, ndërsa mendon edhe për tjetrin. Aktori që 22 vjet më parë bëri të pavdekshëm personazhin e Gordon Geko në "Wall Street"-in e drejtuar nga Oliver Stone, ka prezantuar në Spanjë "E vërteta e një vrasësi". Një xhirim i ri i drejtuar nga Peter Hyams, një triller ku një gazetare vetakuzohet për një krim në mënyrë që të fusë në kurth një prokuror (Douglas) që manipulon provat për të fituar këtë çështje. Perspektiva për t‘iu kthyer sërish interpretimit të peshkaqenit të financës Gordon Geko - një rol që i dha çmimin "Oskar" në vitin 1987 si aktori më i mirë - e ka bërë për vete yllin amerikan.

Douglas, që pak kohë më parë mori çmimin prestigjioz për karrierën nga "American Film Institute", thotë se në këtë kohë krize, e pyet shpesh veten: "Ku ka përfunduar Gordon Geko tani që kemi nevojë për të?". Geko ishte financieri i madh i "Wall Street", në filmin e regjisorit Oliver Stone. Ai ishte një afarist i madh, i cili kishte fituar një pozicion pothuajse "monopolist" në tregun ndërkombëtar financiar. Është një nga ata persona që fiton para, duke përdorur metoda të pista. "Ëndrrat e tij si një burrë i paskrupullt u bënë copë e çikë, por gjatë viteve ‘80, personazhi bëri të ëndërronin shumë të rinj. Ai thoshte shpesh: ‘Paratë ekzistojnë, por nuk shihen. Thjesht transferohen nga një institucion në tjetrin në mënyrë magjike‘", tregon Douglas. Filmi u shfaq në vitin 1987, pak ditë para rënies së tregut të bursës, por megjithatë Geko u bë një hero për audiencën. Geko mbetet një prototip i botës së financës, edhe për këtë periudhë të vështirë ekonomike që po kalojmë. Prej kohësh flitet për një film, që do të titullohet "Money never sleeps", që mendohet të jeta vazhdimi i "Wall Street".

Ylli amerikan 65-vjeçar duket se është më shumë se kurrë i interesuar të interpretojë aty. Skenari duhet të marrë parasysh një prej zhvillimeve më të fundit të krizës ekonomike ndërkombëtare dhe protagonist do të jetë sërish ai, ish-idhulli i "djemve të ‘Wall Street‘". Geko do të përballet me një botë financiare edhe më të trazuar e më të ndërlikuar se ajo e viteve ‘80. Michael Douglas është me pushime në Majorka, bashkë me gruan Catherine Zeta-Jones dhe fëmijët e vegjël, por vendosi të shkonte dhe të ndihmonte Hyams në promocionin e filmit të ri dhe nuk ka mundur të shmangë rikthimin te "Money never sleeps".

"Ajo e Geko ishte një pjesë e mirë, me shumë dialogë. Nga ato personazhe që shpesh i rastis një aktori në kinema. Janë ato pjesë ku nuk duhet të bësh gjë tjetër veçse të shikosh në kamera", kujton aktori i lumtur që do t‘i kthehet këtij personazhi 20 vjet më vonë dhe me një panoramë financiare krejtësisht ndryshe nga ajo e vitit 1987. "Gjërat kanë ndryshuar shumë dhe Geko ka dalë nga burgu shumë më parë se aty të futej Madoff", thotë me ironi. "Filmi do të reflektojë atë që ka ndodhur në vitet e fundit në botën financiare deri në rënien e tregjeve", pranon Douglas. Në film do të ketë përkrah edhe aktorë të tillë si Javier Bardem dhe Shia LaBeouf. Në 22 vjet që nga dalja e "Wall Street", Michael Douglas ka pasur në dispozicion të gjithë kohën që ta marrë veten nga "trajtimet" e ashpra që Oliver Stone e bënte të duronte gjatë xhirimeve. Siç ka treguar vetë aktori: "Koha ka kaluar dhe tani i shoh gjërat ndryshe. Oliver të vendos përballë sfidave të vështira. Shumë regjisorë sillen siç mund të bënte një baba me aktorët. I mbrojnë, ndërsa Oliver Stone, jo. Ai të sfidon dhe kjo ndonjëherë mund të krijojë konfuzion, por nuk ka asnjë dyshim që CV-ja e tij me aktorët është e pabesueshme nga James Wood në Salvador, Charlie Sheen në Platoon, te Tom Cruise apo Kevin Costner në JFK". Por, tani kinemaja ka pushuar së qeni prioritet në jetën e Michael Douglas-it. "Që kur jam martuar me Catherine dhe kam një familje të re me dy fëmijë të vegjël, përpiqem të mos punoj shumë. Mundohem të ruaj kohë edhe për veten dhe familjen", shpjegon ai. Pastaj nis të flasë për talentin artistik të fëmijëve, Dylan (8 vjeç) e Carys (6), që përpiqet ta imitojë duke vallëzuar i ulur në divan në suitën e një hoteli luksoz në Barcelonë. "Që nga shtatori, gjërat do të ndryshojnë paksa, sepse do të nisin xhirimet për ‘Wall Street 2‘", thotë me gjysmë zëri. Por kjo nuk është gjithçka. Pas interpretimit të Gordon Geko do të luajë rolin e Liberace, një pianist popullor dhe showman ekstravagant amerikan. Filmi do të drejtohet nga Stephen Soderbergh, me të cilin ka xhiruar "Traffic" në 2000. "Matt Danon do të luajë rolin e të dashurit tim të ri", thotë ai dhe më pas për skeptikët shton: "Me veshjet e duhura dhe makijazhin askush nuk do të më dallojë".

Ai nuk lë pas dore edhe komedinë. Në "Ghosts of Girlfriends Past", është Uane, një "playboy" i moshuar, që i jep këshilla gazmore nipit Conor. "Conor është një fotograf i ri i suksesshëm, që, krejt papritur, shqetësohet nga fantazmat e ish së dashurës. Shpesh më pëlqejnë këto lloj zhanresh", shpjegon aktori. Në fund pranon se puna si ambasador i OKB-së për çarmatimin i intereson më shumë se kinemaja. "Faktikisht prioritetet e mia janë: në vend të parë familja, në të dytin puna për OKB dhe në të tretin kinemaja". Pranon se është shumë i kënaqur nga marrëveshja paraprake e arritur mes SHBA dhe Rusisë që Moska të reduktojë arsenalet e saj ushtarake në shtatë vitet e ardhshme. "Ato të Koresë së Veriut dhe Iranit janë probleme të vështira për t‘u zgjidhur, por fakti që Rusia që zotëron 95 për qind të armëve bërthamore ka pranuar t‘i reduktojë, është shumë i rëndësishëm. Është rasti për të ndryshuar dhe për një fillim të ri".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›