E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitro Repo, prifti pak ortodoks

Zakonisht kandidaturat si ajo e At Mitro Repo nuk kanë një fund të mirë. Kur shprehu dëshirën për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, ky prift ortodoks finlandez u përball me eprorët e tij, të cilët kanë rregulla të forta për sa i përket ndarjes ndërmjet politikës dhe besimit. Por më 7 qershor, At Repo ia doli mbanë. Në moshën 50-vjeçare, ky bir dhe nip priftërinjsh arriti të zgjidhej si deputet në Parlamentin Europian, ku Finlanda ka 13 deputetë nga 739 që janë gjithsej. Ishte një fitore pak e hidhur: pas shpalljes së kandidaturës, dioqeza e kishte ndaluar të mbante mesha, të mbante rrobat priftërore, kryqin në kraharor dhe simbole të tjera ortodokse. "Më akuzonin se kisha bërë një krim", shpjegon ai. "Unë e kam për nder atë që bëj".

Kisha nuk e ka vlerësuar zgjedhjen e tij politike, por populli po. Repo është njëri nga dy socialdemokratët finlandezë që do të ulen në Parlamentin e Strasburgut. "Ishte një surprizë e madhe", ka thënë për radion finlandeze pas votës. Qëllimi i tij është të nxisë një Europë më humane. "Për vite me radhë jam kujdesur për jetën publike në Finlandë. Do të vazhdoj ta bëj edhe më shumë".

Një fushatë plot gjallëri

Zgjedhjet europiane nuk kanë ngjallur kurrë ndonjë entuziazëm të madh. Edhe pse fuqia e Parlamentit të Strasburgut rritet vit pas viti, në Bashkimin Europian vetëm pak njerëz interesohen me të vërtetë për këtë institucion. Në Finlandë kandidatura e Mitros, siç e quajnë në vendin e tij, e elektrizoi fushatën elektorale.

Është i ri dhe shumë i gjallë, ka faqe të kuqe dhe të rrumbullakëta dhe një të qeshur të thellë. Sytë e tij shkëlqejnë si xixëllonja pas syzeve me skelet metalik. Po të mos ishte për flokët dhe mjekrën ende ngjyrë gështenjë, mund ta ngatërroje lehtë me Babagjyshin e Vitit të Ri. Mitro është një njeri i butë dhe i pëlqen shumë të shijojë jetën. I pëlqen gjithashtu ushqimi. Sapo ulet në tavolinë, porosit dy shishe "Kabernet Sauvignon".

Si Ian Paisley

Repo nuk është prifti i parë që zgjidhet në Parlamentin Europian. Në legjislaturën e fundit ishin të pranishëm katër pastorë protestantë, përfshi këtu edhe të përnderuarin Ian Paisley, i cili ka zënë një post në asamble nga viti 1979-2004.

"Mitro Repa nuk duket si prift", thotë Juri Mykkanen, profesori i shkencave politike në Universitetin e Helsinkit. "Është i qetë, i natyrshëm dhe ka një sens të madh humori. Në krahasim me pjesën tjetër të hierarkisë së kishës, është jashtëzakonisht i hapur me botën, por në kishë jo të gjithë i vlerësojnë cilësitë e tij". Sipas Mykkanen, vendimi i prerë i kishës kundër tij ka kontribuar në rritjen e popullaritetit të Repos. "Autoritetet ortodokse i kanë bërë një nder socialdemokratëve", thekson ai.

Gjatë moshës së adoleshencës Repo, që gjithmonë ka pasur prirje artistike, ka studiuar për pikturën e ikonave në Paris, nën drejtimin e Leonid Uspenskij. Pas shkollës mësoi pak latinisht dhe greqisht dhe ka dhënë kurse mbi "Testamentin e Ri". Më pas, kur i kishte mbushur të 30-at u bë prift. "Kisha moshën e Krishtit", thotë duke qeshur. Gjithashtu flet rrjedhshëm anglishten.

Që në fillim dukej se nuk do të ishte një prift si të tjerët. Përveçse i shërbente kishës, shkonte shpesh të predikonte nëpër fabrika e zyra. Falë personalitetit të tij ekspresiv, radiot dhe televizionet finlandeze e ftonin shpesh të ishte i pranishëm në emisione të ndryshme. Për shumë finlandezë ka qenë e çuditshme të shihnin një prift ortodoks me rrobë priftërore të bëhej një personazh publik. Në Finlandë, një vend me pakicë luteriane, ortodoksët janë 60 mijë, një për qind e popullsisë.

Repo vjen nga një familje e madhe. Është fëmija i nëntë mes trembëdhjetë vëllezërve e motrave. Disa ngjarje tragjike të jetës së tij, si për shembull vdekja e vëllait të madh, e kanë shtyrë të merrte shumë informacione për sëmundjet mendore, aq sa në vitin 2006, Shoqata Finlandeze për Shëndetin Mendor e zgjodhi si ambasador, për vullnetin e tij madh.

"Nuk ka frikë të flasë për çrregullimet mendore në publik", thotë Ismo Laukkarinen, një punonjës i shoqatës. "Është një njeri që di të të japë qetësi në çdo lloj situate".

Nuk të habit fakti që partitë politike kanë trokitur në derën e një personazhi kaq popullor. E para ka qenë Partia e Qendrës, e Kryeministrit Matti Vanhanen, por Repo ka preferuar socialdemokratët. "U bëra i famshëm me programin e tyre", shpjegon ai. Pjesa më e vështirë do të jetë tani, kur të braktisë punën si prift. "Prindërit më kanë thënë se që kur isha pesë vjeç doja të bëhesha prift", thotë duke buzëqeshur. "Më pëlqente të imitoja babanë, pastaj në moshën shtatëvjeçare, vendosa që do të bëhesha kryepeshkop. Bota ortodokse lindore ka shumë për t‘i ofruar vendeve perëndimore, në veçanti sinqeritetin dhe jetën e saj emotive. Europa ka nevojë të zbulojë shpirtin e Dostojevskit".

Vendimi për t‘u bërë deputet nuk do të thotë se Repo nuk është më një prift, por vetëm se nuk mundet më të kryejë detyrat dhe të veshë rrobat priftërore në publik. Tani në rrugë e sheh me këmishë dhe kollare, por në kartëvizitën e tij vazhdon të jetë e shkruar "prift". Ndër të tjera, Repo mban gjithmonë me vete fotografinë e kupolës së artë të katedrales Uspenskij të Helsinkit.

Publiku dhe feja

Repo pëlqen ta konsiderojë veten trashëgimtar i një tradite ortodokse, që shfaqet në epokën e perandorisë bizantine, gjatë së cilës personalitetet publike dhe fetare nuk ndaheshin kaq hapur. Ai citon si shembull arqipeshkvin qipriot Makrios, liderin e komunitetit grek-qipriot në vitet ‘70 dhe besimtarët ortodoksë rusë të cilët, që nga viti 1919 e deri në fillim të viteve ‘90, u angazhuan denjësisht në jetën politike të vendit të tyre.

Sipas Jyrki Harkonen, këshilltarit teologjik të Kishës Ortodokse Finlandeze, ato ishin kohëra të tjera. "Atëherë ishim shumë të izoluar. Pavarësia e kishave nuk respektohej, siç ndodh sot në Bashkimin Europian", shpjegon ai. "Këshilli e ka inkurajuar At Repon të jetë pjesë e jetës publike, por si një individ i thjeshtë, jo si prift".

"Në traditën bizantine, nga e ka prejardhjen edhe Kisha Ortodokse, fryma shpirtërore, nuk jetohej vetëm planin e brendshëm", thotë Repo. "Në parlamente diskutohet shpesh për moralin dhe etikën dhe mendoj se është detyra ime të shpreh mendimet dhe opinionet e qytetarëve të Europës Lindore lidhur me argumente".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›