Dozat e Borkos
Delegacioni i madh që e ka marrë me vete kur është nisur drejt Brukselit, të dielën nuk i ka hyrë shumë në punë Edita Tahirit.
Raundi i shtatë i bisedimeve mes palës kosovare dhe serbe ka përfunduar të martën me vetëm një marrëveshje për njohjen e diplomave universitare, për të cilën palët ishin dakorduar në parim në raundet e kaluara.
Pavarësisht se ndërmjetësi Robert Cooper e kishte bërë të qartë se ishte pala serbe ajo që pati refuzuar në fund të shtatorit të vazhdonte bisedimet me palën kosovare dhe kërkesat eksplicite të Komisionit Europian që Serbia të tregohet konstruktive në proces, negociatori Borko Stefanovic nuk ka shkuar shumë larg.
Të martën në kryeqytetin europian ai e ka quajtur zhvillim pozitiv pajtueshmërinë për diplomat, duke thënë se hapa të tjerë të rëndësishëm, siç është çështja e bashkëpunimit rajonal, mund të bëhen më 30 nëntor në takimin e ri mes delegacioneve.
Bashkëpunimi rajonal ose pjesëmarrja e Kosovës në forumet rajonale është një nga kërkesat kryesore të Komisionit Europian, që duhet t’i plotësojë Serbia nëse do të marrë kandidaturën për anëtarësim në BE më 9 dhjetor të këtij viti.
Lëvizja që ka bërë Stefanovic gjatë dy ditëve të fundit në çështjen e diplomave ka lënë të zhgënjyer edhe britanikun Cooper.
“Ishte takimi i parë që nga fillimi i shtatorit , ishte një takim i mirë . Nuk prodhoi rezultate aq sa kisha pritur, por unë gjithnjë shpresoj më shumë sesa që arrij”, ka thënë Cooper të martën.
Sido që të jetë kumtesa që e ka lëshuar BE ka përshkruar më pozitivisht takimet në Bruksel.
Së pari është njoftuar për arritjen e marrëveshjes për diplomat
“Duke marrë parasysh marrëveshjen e arritur në parim më 2 korrik , palët janë dakorduar që të kërkohet nga Asociacioni i Universiteteve Europiane për të certifikuar diplomat të lëshuara nga universitetet e secilës palë për përdorim nga tjetri në lidhje me edukimin e mëtejmë ose për punësim publik”, thuhet në njoftimin për media.
Rreth çështjes së bashkëpunimit rajonal, BE ka mundur të raportojë vetëm për progres.
“Është bërë progres po ashtu edhe në çështjen e bashkëpunimit inkluziv dhe efektiv rajonal. Po ashtu ka pasur pajtueshmëri që palët t’i kthehen kësaj çështjeje në takimin e tyre të radhës me synimin që të arrihet marrëveshje në kontekst të strategjisë së përgjithshme të BE’së për rajonin”.
BE ka njoftuar se Prishtina dhe Beogradi kanë diskutuar edhe për zbatimin e tyre.
“Palët shqyrtuan procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë dhe theksuan përkushtimin që të procesojnë shpejt në këtë proces. Ata mirëpritën progresin që është bërë në këtë javë në grupet punuese teknike, përfshirë regjistrin civil dhe lirinë e lëvizjes”.
Komunikata ka bërë të ditur se dy delegacionet kanë folur edhe për çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit.
“Në këtë kontekst koncepti i menaxhimit të integruar të kufirit është diskutuar si një mënyrë për të gjetur një zgjidhje europiane në pikëkalime”, thuhet aty.
Kjo ide është elaboruar edhe nga Cooper.
“Është hera e parë që po takohemi prej se ky koncept po diskutohet . Është para së gjithash një standard europian që eventualisht duhet të aplikohet në tërë rajonin . Mund të bëhet, por duhet t’i bëjmë palët që ta kuptojnë rëndësinë e tij.
Por është një koncept i mirë”, ka thënë Cooper.
E terminologjia “menaxhim i integruar i kufirit” ka nervozuar negociatorin serb, i cili ka thënë se njeh vetëm “linjën administrative”.
“Nuk e di çka është kufiri”, ka thënë ai.
Por, për këtë temë ka folur edhe Edita Tahiri, e cila ka thënë se pala kosovare nuk e pranon asnjë tendencë për politizimin e këtij koncepti.
“Është një projekt i rëndësishëm, i cili ka për qëllim një bashkëpunim midis dy shteteve në planin e menaxhimit të kufirit , rrit sigurinë , rrit kontrollin, por në anën tjetër i jep dimensionin e hapjes midis kufirit shtetëror të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.
Prishtina dhe Beogradi kanë folur edhe për telekomin dhe energjinë, por, sipas Borko Stefanovic, në këto dy pika nuk ka pasur përafrim qëndrimesh.
Shefi i delegacionit serb megjithatë ka thënë se pret që për bashkëpunimin rajonal të arrihet marrëveshje ndoshta në takimin e ardhshëm.
“Në këtë drejtim është bërë një progres i dukshëm . Nëse më pyetni se çka mund të arrihet në raundin e ardhshëm, unë them se mund të zgjidhet pikërisht kjo çështje”, ka thënë ai.
Por, edhe për këtë pikë Stefanovic dhe Tahiri kanë polemizuar të martën në Bruksel.
E derisa ka folur për zbatimin e marrëveshjeve ndërmjetësi Robert Cooper, ka thënë se marrëveshja për lirinë e lëvizjes është mjaft e vështirë për t’u zbatuar.
“Liria e lëvizjes është një çështje e vështirë dhe e komplikuar...ka dokumente që duhet të përdoren në pikëkalime kufitare , çështje të vështira rreth targave në veçanti një çështje e vështirë rreth sigurimeve. Ne do të vazhdojmë pasi të fillojë liria e lëvizjes, pra do ta përmirësojmë atë derisa ajo vazhdon, nëse mund t’i kalojmë edhe disa çështje në listë, atëherë mund të fillojë shumë shpejt”, ka thënë Cooper.
Zbatimi i marrëveshjeve është përmendur disa herë para gazetarëve edhe nga Edita Tahiri, e cila ka fajësuar Beogradin.
“I takon BE’së që të masë performansën e të dyja palëve dhe ta ndërlidhë atë me progresin. Duke pasur një takim tjetër dhe duke mos e ditur se çka do të ndodhë në raundin tjetër të bisedimeve, kam frikë se do të vijmë një situatë ku do të prodhonim letra, por duke mos i përmbushur ato. E thelbi është që ato të zbatohen”, ka thënë Tahiri.
As Tahiri as Stefanovic nuk i janë referuar direkt takimit të shefave të shteteve të BE’së më 9 dhjetor, kur pritet të vendoset për kandidaturën e Serbisë, por Stefanovic thotë se vendi i tij ka bërë hapa pozitivë në këtë drejtim
“Kjo mbetet të shihet, neve na mbetet që të bëjmë gjithçka , jo për shkak disa afateve, jo për shkak të kandidaturës, por për shkak se ka probleme që po zvarriten dhe që duhet të zgjidhen. Kemi një krizë në veri kështu që pres që bisedimet të vazhdojnë në Bruksel javën e ardhshme këtu në Bruksel”, thënë ai.
Takimi i radhës, sipas negociatores kosovare, pritet të mbahet më 30 nëntor në Bruksel.