E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon Asambleja, sherri i Serbisë

Prania e Jakup Krasniqit në Asamblenë e Detit të Zi - që është dashur të zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Tiranë - e ka nervozuar Serbinë dhe aleatët e saj. Ata kërkuan nga Jozefina Topalli që ta largojë Kryeparlamentarin e Kosovës. Por, kjo u refuzua dhe takimi dështoi. Jakup Krasniqi tregon për Express se çfarë ndodhi në Tiranë.

Serbia dhe aleatët e saj janë nervozuar fort, kur kanë parë se Jozefina Topalli kishte ftuar Jakup Krasniqin në Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit të Detit të Zi (PABSEC), që është dashur të mbahet të martën dhe të mërkurën në Tiranë.

Ata kanë kërkuar nga Kryeparlamentarja shqiptare - e cila është kryesuese aktuale e PABSEC’ut - që ta largojë nga takimi homologun e saj kosovar, Jakup Krasniqi, i cili ishte aty në cilësinë e mysafirit.

Por, kjo është refuzuar nga Jozefina Topalli.

Kryeparlamentarja e Shqipërisë e ka hedhur në votim pjesëmarrjen e Jakup Krasniqin dhe shumica e anëtarëve të PABSEC’ut kanë votuar kundër me përjashtim të Shqipërisë.

Këtë e ka konfirmuar edhe Shefi i delegacionit serb, Aleksandar Vlahovic.

Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC) përbëhet nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia, Ukraina dhe Serbia.

Në një prononcim për Express, të martën, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka shpjeguar rrethanat që çuan në dështimin e këtij takimi.

“Ne kemi qenë aty, por takimi nuk është mbajtur. Ata (Serbia dhe disa shtete tjera) kanë pasur disa vërejtje për pjesëmarrjen tonë. Por, krejt kjo situatë është zhvilluar mes organizatorëve, në këtë rast Shqipërisë, dhe këtyre shteteve kundërshtuese”, ka deklaruar Krasniqi për Express.

Në këtë situatë, sipas tij, takimi ka dështuar.

“Asambleja nuk është mbajtur, është mbajtur vetëm forumi ekonomik”, ka shtuar Krasniqi.

Ai nuk ka dashur të japë komente në lidhje me këtë situatë.

“Nuk dua të bëj deklaratë politike, unë kam qenë mysafir e jo anëtar i Asamblesë”, ka thënë Kryeparlamentari kosovar.

Ndryshe, në forumin ekonomik, pjesa e parë e Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit të Detit të Zi janë mbledhur 400 biznesmenë, sipërmarrës të organizatës TUSKON, Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BSEC.

I pranishëm në këtë forum ishte edhe Presidenti i TUSKON, Rizanur Meral.

Në cilësinë e Presidentes së PABSEC, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi se ky forum, i cili mbahet për herë të parë në Shqipëri, është një ngjarje e madhe ekonomike dhe politike dhe partnershipi midis politikës dhe biznesit është një platformë efektive në nxitjen e zhvillimit ekonomik të çdo vendi.

Kryetarja e Kuvendit u shpreh se forumi “është një katalizator dhe një motor i fuqishëm që çon më tej marrëdhëniet dhe shkëmbimet midis vendeve anëtare të Detit të Zi”.

Në mënyrë të veçantë, Jozefina Topalli tha se nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik janë bizneset e vogla dhe të mesme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›