E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia e mbështet tërësinë territoriale të Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebic ka ritheksuar edhe një herë mbështetjen e shtetit kroat për integritetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se Serbia nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian nëse nuk i ndjek politikat dhe rregullat e BE-së.

Këtë mbështetje për Kosovën kryeparlamentari kroat e ka dhënë pas takimit që pati të mërkurën me homologun e tij kosovar, Jakup Krasniqi, me ç’rast biseduan për thellimin e bashkëpunimit të të dyja vendeve në të gjitha fushat e mundshme.

Duke komentuar dialogun e Prishtinës dhe Beogradit, Bebic tha se ai duhet të vazhdohet edhe më tutje, ndërsa këtu ka ritheksuar se edhe një herë mbështetjen e shtetit kroat për integritetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës.

“Dua të theksoj me këtë rast se Kroacia e mbështet tërësinë territoriale dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe po ashtu dua të theksoj se i mbështesin përpjekjet që zhvillohen edhe në këtë kohë e që kanë të bëjnë me bashkëpunimin, përkatësisht me bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha çështjet që e rëndojnë situatën e tanishme në Kosovës duhet të zgjidhen vetëm me bashkëpunim dhe me marrëveshje dhe në mënyrë paqësore”, ka thënë ai.

Kroacia tashmë ka plotësuar thuajse të gjitha kriteret dhe nga viti i ardhshëm mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Kryeparlamentari kroat edhe pse jo direkt, ka lënë të nënkuptohet se Kroacia do të kërkoj që Serbia tw kushtëzohet pwr integrimet në BE me krijimin e raporteve të mira me shtetet fqinje, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Duke qenë se Kroacia shumë shpejt pritet të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, dëshiroj të theksoj se në këtë drejtim Kroacia do t’i ndjekë politikat dhe rregullat e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka falënderuar homologun e tij kroat për angazhimin dhe mbështetjen e shtetit të tij që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në të gjitha fushat, duke e cilësuar miqësinë e këtyre dy shteteve si miqësi të vjetër.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër se marrëdhëniet në mes dy parlamenteve tona janë duke u përparuar përditë e më mirë dhe se këto marrëdhënie do të thellohen edhe në të ardhmen. Marrëdhëniet edhe në mes Kosovës dhe Kroacisë janë shumë të mira në shumë fusha të jetës. Sigurisht se ne dëshirojmë që këto marrëdhënie në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, por edhe në fushën e drejtësisë t’i avancojmë”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, këtë miqësi do ta thellojnë edhe më shumë pakicat që jetojnë në këto dy shtete.

Të dy kryeparlamentarët u pajtuan të bashkëpunojnë të në gjitha fushat e mundshme, por me theks të veçantë në atë të luftimit të krimit të organizuar, ku sipas tyre, duhet të krijohen kushte që kriminelët të mos gjejnë vendstrehim as në Kroaci e as në Kosovë.

Kryeparlamentari i Kroacisë vjen me delegacionin e tij në një vizitë dyditëshe në Republikën e Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›