E Diel, 1 Nëntor 2026

Dr. Genci Çapi, Doctor Honoris Causa – Universiteti i Korçës jep titullin për eskpertin e IA

Universiteti “Fan Noli” në Korçë nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa” Prof. Dr. Genci Çapin, ekspert në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale. Ceremonia solemne u zhvillua në sallën e konferencave “Teodor Laço” të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, ku të pranishëm ishin Senati Akademik, pedagogë, përfaqësues të pushtetit vendor e institucioneve, komuniteteve fetare, familjarë dhe miq të profesor Çapit, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Niko Peleshi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh “Genci ynë është nga ata njerëz që nuk e nxë as kontinenti. Ka zhvilluar një karrierë dhe ka spikatur në një vend që mund të quhet nga majat e shkencës dhe teknologjisë, dhe kjo i thotë të gjitha.”

Takimin e hapi përgjegjësja e Departamentit të Informatikës, dr. Blerina Çeliku, e cila solli një përmbledhje të jetës profesionale dhe arritjeve akademike të profesor Çapit.

Njëkohësisht, ajo u ndal edhe në disa nga bashkëpunimet më të suksesshme të tij me Universitetin “Fan S. Noli”.

Urime dhe vlerësime për profesor Çapin u përcollën në këtë takim edhe nga miq, bashkëpunëtorë dhe autoritete vendore e qendrore, mes tyre Petrika Tollkuçi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, dhe Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë Korçë.

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ndër të tjera theksoi se përmes këtij vlerësimi synohet të sillet më pranë Universitetit “Fan S. Noli” një përvojë akademike që vjen nga një prej mjediseve më të zhvilluara shkencore dhe teknologjike në botë, siç është Japonia.

Ai bëri të ditur për herë të parë edhe çeljen e programit të doktoraturës në teknologji të avancuara dhe zbatime të inteligjencës artificiale në kërkimin ndërdisiplinor në Universitetin “Fan Noli”, program në të cilin do të kontribuojë edhe Prof. Dr. Genci Çapi.

“Sot ka ardhur edhe dokumenti zyrtar për hapjen e programit të studimit të ciklit të tretë doktoratë në teknologji të avancuara dhe të inteligjencës artificiale në kërkimin ndërdisiplinor, në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze,” u shpreh rektori Ekonomi.

Prof. Dr. Genci Çapi mbajti për të pranishmit një leksion për zhvillimet dhe arritjet e fundit të inteligjencës artificiale, ndërkohë shprehu falënderimet e tij më të sinqerta për këtë vlerësim që iu bë nga Universiteti “Fan S. Noli”. “Ju falënderoj shumë për dhënien e titullit ‘Doctor Honoris Causa’ dhe është një nder shumë i madh për mua,” tha ai.

Prof. Dr. Genci Çapi ka ndërtuar një karrierë të suksesshme akademike dhe kërkimore prej më shumë se 25 vitesh në Japoni, duke kontribuar në formimin e brezave të studentëve dhe në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale.

Pas përfundimit të doktoraturës në Universitetin Yamagata, ai ka ushtruar detyra akademike dhe kërkimore në institucione të njohura japoneze, ndërsa prej vitit 2016 është profesor në Departamentin e Inxhinierisë Mekanike në Hosei University.

Kërkimi i tij përqendrohet në robotikën inteligjente, Machine Learning dhe inteligjencën artificiale të aplikuar, fusha në të cilat ka një veprimtari të gjerë botuese dhe shkencore. Krahas veprimtarisë akademike ndërkombëtare, Prof. Çapi ka ruajtur një lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë, duke kontribuar në projekte akademike, kërkimore dhe në transferimin e ekspertizës së tij te studentët shqiptarë.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›