E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirdeni: Programi “Pas Shkolle”, lehtësi për prindërit dhe kohë cilësore për fëmijët

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka prezantuar sot programin “Pas Shkolle”, i cili përfshin 408 shkolla në mbarë vendin me nisjen e vitit të ri shkollor.

Pirdeni theksoi se ky program sjell lehtësi për prindërit, veçanërisht për mijëra punonjës të administratës publike, duke u dhënë më shumë qetësi gjatë orarit të punës, ndërsa fëmijëve u ofron një pasdite të strukturuar me aktivitete, mësim dhe zhvillim të talenteve.

“Për herë të parë 408 shkolla në mbarë vendin do të jenë pjesë e programit pas shkolle. Për prindërit kjo do të thotë më pak shqetësim gjatë orarit zyrtar, ndërsa për fëmijët një pasdite cilësore me detyra, muzikë, kërcim, arte pamore, zeje dhe sport”, u shpreh Pirdeni.

Sipas saj, programi synon të krijojë një ekuilibër mes jetës profesionale të prindërve dhe kohës cilësore për fëmijët, duke ofruar një mundësi reale për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›