Draçini: Bluza e bardhë, simbol i besimit dhe i përgjegjësisë

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Ceremonia e “Bluzave të Bardha” për studentët që nisin rrugëtimin e studimeve në në degët Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci, Shëndet Publik për vitin akademik 2025-2026 në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë bëri sot bashkë autoritetet akademike, ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala dhe të rinjtë që me emocion bëjnë hapin e parë drejt profesionit.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof.Dr. Xheladin Draçini u shpreh sot gjatë ceremonisë së bluzave të bardha, se ky është një nga momentet më të veçanta në jetën akademike të studentëve, pasi shënon jo vetëm një hap përpara në rrugëtimin e tyre drejt profesionit, por edhe një premtim solemn ndaj shoqërisë.
“Bluza e bardhë është më shumë se një uniformë. Ajo është simbol i besimit dhe i përgjegjësisë. Duke e veshur atë, studentët tanë pranojnë të bëhen mbrojtës të jetës, të përkushtuar ndaj së mirës së pacientit dhe të palëkundur në respektimin e etikës dhe humanizmit”, tha Draçini.
Rektori Draçini garantoi se në këtë udhëtim, studentët nuk janë vetëm, por mbështeten në traditën akademike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në përkushtimin e pedagogëve të tyre dhe në mbështetjen e institucioneve, ndër të cilat një rol thelbësor ka Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Draçini e cilësoi praninë e ministres Sala në ceremoninë e bluzave të bardha si një dëshmi të fortë të rëndësisë që shteti i jep formimit të brezit të ri të profesionistëve të shëndetit.
“Ne jemi krenarë që misioni ynë për të formuar mjekë, infermierë dhe specialistë të aftë lidhet ngushtë me vizionin e ministrisë që ju drejtoni për një sistem shëndetësor më të fortë, më të drejtë dhe më afër qytetarëve”, theksoi ai.
Ceremonia e bluzave të bardha u mbajt sot në Fakultetin e Mjekësisë, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2025-2026.
Ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, foto: Andrin H... 1 nga 5/e.i/j.p/