E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti i PS-së: Kryeprokurori dhe krerët e gjykatave duhet të zgjidhen me 3/5-at e votave

Bledar Hoti

Kushtetuta

Paketa e opozitës kërkon të balancojë institucionet e pavarura

BLEDAR HOTI

Më datë 20 korrik të këtij viti, Partia Socialiste depozitoi nismën për ndryshimin e Kushtetutës ku përpos heqjes së imunitetit të zyrtarëve, propozon dhe mënyra e procedura të reja që duhet të ndiqen për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe për Prokurorin e Përgjithshëm. Kjo paketë nuk u pranua fillimisht nga mazhoranca në Kuvend, porse me nisjen e sesionit të vjeshtës kjo paketë pritet të jetë pjesë e debatit  mes dy kampeve të politikës. Opozita gjithashtu kërkon miratimin e Rregullores së Kuvendit me një shumicë të cilësuar, pra me 3/5 e votave. Për Gjykatën Kushtetuese, opozita propozon që Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij, por në çdo rast jo më vonë se 3 muaj nga mbarimi i mandatit të tij, thuhet në propozimin tjetër të opozitës që prek nenin 125 të Kushtetutës. Socialistët propozojnë të shtojnë një pikë 6 me këtë përmbajtje: Procedura për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues paraardhës. Kuvendi duhet të marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit dhe të shprehet me vendim për rrëzimin ose miratimin e tyre brenda 1(një) muaji nga marrja e dekreteve. Paketa e opozitës përmban dhe propozimin për ndryshimin e nenit 136 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, që prek përbërjen e një tjetër gjykate. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij, por në çdo rast jo më vonë se  3 muaj nga mbarimi i mandatit të tij. Procedura për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës. Kuvendi duhet të marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit dhe të shprehet me vendim për rrëzimin ose miratimin e tyre brenda 1 (një) muaji nga marrja e dekreteve, janë propozimet e opozitës. Për KLD-në, PS-ja propozon që të ndryshojë nenin 147 të Kushtetutës, duke kërkuar procedurë të posaçme dhe të re për anëtarët e këtij organizmi. Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme, thuhet në draftin e PS-së. Ndërsa për sa i përket Prokurorit të Përgjithshëm, socialistët propozojnë të ndryshojnë nenin përkatës me këtë formulim: Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e 3/5 të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi. Ai përzgjidhet nga radhët e juristëve me kualifikim e integritet të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.

Ndryshimet

Prokurori i Përgjithshëm - Opozita kërkon që Prokurori i ri i Përgjithshëm të zgjidhet më një shumicë të cilësuar dhe jo vetëm nga kartonët e mazhorancës

Rregullorja - Socialistët kërkojnë që të votohet po me shumicë të cilësuar të votave dhe rregulloren e posaçme për funksionimin e Parlamentit

4 institucione - PS-ja kërkon ndryshimin e zgjedhjes së anëtarëve dhe drejtuesve për 4 institucione

3/5 e votave – Të gjitha propozimet e opozitës synojnë votime të cilësuara për organet kushtetuese

Akuzat

PD e PS, sërish akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim

Përplasja - Demokratët kanë kontestuar paketën e opozitës për organet kushtetuese, por qëndrimi final pritet të bëhet publik më 6 shtator

Xhafaj - Ne shpresojmë që ata të reflektojnë. Ne i ftojmë sinqerisht ATA ti votojnë amendamentet tona, ti bashkohen qëllimit tonë

Ky është thelbi i amendamenteve tona kushtetuese. Ne shpresojmë që ATA të reflektojnë. NE i ftojmë sinqerisht ATA ti votojnë amendamentet tona, ti bashkohen qëllimit tonë. Ne do të nisim një sesion të ri, do të hapim siparin e një beteje të re politike. NE nuk kemi qëllim Sali Berishën. As të trukojmë qeverinë e tij të dështuar tashmë. Është momenti për ta çmontuar pushtetin e tyre abuziv, për ti larguar përfundimisht ATA nga rruga e Shqipërisë Europiane si shansi i vetëm për ta ndalur korrupsionin qeveritar, për ta ndalur copëtimin e territorit të vendit, për të ndalur plaçkitjen e pasurisë kombëtare, për të ndalur rrënimin ekonomik e social të vendit. Ne do të nisim një betejë së bashku me shqiptarët, në një front të madh opozitar me ta, si dhe të gjithë ato forca politike që kundërshtojnë këtë regjim si shansi i vetëm për tiu kthyer shpresën dhe besimin e munguar shqiptarëve kudo që ata janë, për tiu kthyer atyre dinjitetin e shtetit, dinjitetin e të qenët shqiptar zot në tokën dhe në pronën e tij, dinjitetin për ta jetuar jetën me më shumë siguri dhe respekt nga shteti që mbahet me taksat e tyre, tha sekretari socialist, Fatmir Xhafaj.

LSI - Aleatja kryesore e PD-së në koalicionin qeveritar, LSI është kundër referendumit për çështjen e imunitetit të zyrtarëve

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht edhe ministri i METE, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar se LSI-ja përjashton referendumin, duke u shprehur se partia e tij do të mbështesë heqjen e imunitetit vetëm brenda dyerve të Parlamentit. LSI nuk është për referendum, por për konsensus mes palëve, deklaroi disa ditë më parë Edmond Haxhinasto. Në ndryshim nga qëndrimi i mazhorancës, Haxhinasto duke iu referuar debatit për heqjen e imunitetit vlerëson se LSI do të mbështesë heqjen e imunitetit brenda Parlamentit. LSI do të mbështesë heqjen e imunitetit brenda Parlamentit. Politika të fokusohet dhe të realizojnë në mënyrën më të shpejtë të mundshme heqjen e imunitetit për të ecur në çështjen e integrimit konform Kushtetutës, theksoi Haxhinasto.

Këtë deklaratë Haxhinasto e bëri disa ditë më parë, pas takimit me bizneset fasone në Berat, ku premtoi mbështetje të mëtejshme të ministrisë përmes politikave të ndryshme për të lehtësuar punën e tyre. Kundër referendumit ka qenë edhe kreu i kësaj partie, Ilir Meta.

Drafti i PS-së: Kryeprokurori dhe krerët e gjykatave duhet të zgjidhen me 3/5-at e votave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›