Berisha përuron rrugë, përfundon aksi Armath-Hamallaj-Hidrovor

Kryeminstri Berisha do të marrë pjesë sot në inagurimin e rikonstruksionit të rrugës Armath-Hamallaj-Hidrovor. Rruga me gjatësi 1.5 kilometra me gjerësi 6 metra, rikonstruktuar në përputhje me të gjitha standardet bashkohore infrastrukturore përbën një investim prej 174.594.700 lekë, financuar nga qeveria shqiptare, BERZH dhe BEI. Ajo fillon në aksin e rrugës nacionale Maminas-Shënpjetër pranë fshatit Armath, përshkon fshatin Hamallaj dhe përfundon në bregdet pranë Hidrovorit.
Rruga nga e cila përfitojnë 6.500 banorë përshkon territorin administrativ të bashkisë Manez dhe Sukth, të cilat i lidh me bregdetin Hamallajt. Nëpërmjet këtij segmenti rrugor banorët e zonës dhe pushuesit mund të frekuentojnë bregdetin e Hamallajt, të lëvizin në qëndrat shëndetësore, administrative dhe ato të edukimit. Gjithashtu kjo rrugë u vjen në ndihmë fermerëve, pasi në të dy anët e rrugës ndodhen toka bujqësore, duke u bërë kështu një shtysë për zhvillimin e ekonomisë lokale.