E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri, letër Berishës për minierat

Fatjona Mejdini

Aksidentet

Nënkryetari i grupit të PS-së kërkon për të tretën herë interpelancë

Fatjona Mejdini

Partia Socialiste i ka bërë një kërkesë të tretë Kryeministrit, Sali Berisha, për të dhënë një interpelancë për çështjen e minatorëve në Shqipëri, të cilët po vijojnë të humbin jetën si pasojë e kushteve të papërshtatshme të punës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Sajmir Tahiri, me anë të një letre drejtuar Kryeministrit Berisha, thekson se socialistët presin për këtë interpelancë duke nisur nga muaji maj i këtij viti dhe se akoma asnjë përgjigje në drejtim të tyre nuk ka ardhur as nga Kryetarja e Kuvendit dhe as vetë kreu i qeverisë. Letrën e tij, Tahiri e nis me aspektin njerëzor të kësaj situate, e cila po kthehet në situatë të përhershme në minierat shqiptare. Dje humbi jetën një tjetër minator dhe një tjetër u plagos rëndë. Para pak ditësh, një tjetër minator humbi jetën. Po kështu kanë humbur jetën mbi 70 minatorë të tjerë, të gjithë të vrarë nga varfëria, por mbi të gjitha, nga qeveria e tyre, e cila i ka lënë në mëshirë të fatit dhe të mafies që shfrytëzon minierat. Nuk di sa çnjerëzore mund të jetë numërimi publik i minatorëve që po vriten në galeritë e minierave, nën hundën tuaj dhe heshtjen thuajse kriminale. Inventari makabër i minatorëve që trajtohen si skllevër dhe i minierave që janë kthyer në kampe përqendrimi të kohëve moderne, do bënte të dridhej e të kërcente nga karrigia, dhe njeriun më të pashpirt, thekson Tahiri në letrën e tij, duke i kujtuar se nëse nuk kishte të zhvilluar aspektin njerëzor në lidhje me këtë situatë të përsëritur, atëherë ai duhet ti përgjigjej Kushtetutës së vendit. Në këtë kuadër, Tahiri i kujtoi Berishës se PS kishte dy herë që kërkonte interpelancë me të për këtë çështje, duke nisur nga muaji maj i këtij viti dhe asnjëherë nuk kishte marrë përgjigje se pse nuk ishte kryer interpelanca. Grupi Parlamentar i PS ju ka kërkuar të paraqiteni 2 herë në interpelancë urgjente për çështjen e Bulqizës. Me kërkesën e dt. 07.05.2012 dhe kërkesën tjetër dt. 10.07.2012, kemi kërkuar që Ju si Kryeministër i vendit, të jepni shpjegime para Parlamentit rreth punës tuaj për të ndalur rrethanat kriminale dhe pasojat tragjike me minatorët dhe mineralin, deklarohet në letër, duke theksuar dhe faktin se për këtë çështje nuk është dhënë as informacioni i kërkuar nga socialistët. Nisur nga kjo situatë, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së deklaroi se duket se vetë qeveria Berisha favorizon firma mafioze për të shfrytëzuar pa asnjë kriter pasuritë e nëntokës shqiptare. Heshtja Juaj ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën. Por njëkohësisht, heshtja Juaj është edhe simbol i injorimit të shtetit ligjor, parlamentarizmit dhe detyrimit Tuaj kushtetues për të dhënë llogari para deputetëve. Ndaj përpara se të jetë shumë vonë, po Ju rikujtoj edhe një herë detyrimin tuaj për të dhënë llogari para Parlamentit duke respektuar kërkesën e Grupit të PS për interpelancë urgjente lidhur me çështjen e Bulqizës. Siç njëkohësisht po Ju rikujtoj edhe një herë të detyroni Ministrin Tuaj ti përgjigjet kërkesës për informacion lidhur me aspekte po të së njëjtës çështje, akuzon Tahiri, Berishën në letrën e nisur në emër të grupit parlamentar socialist. Tashmë mbetet për tu parë se nëse kreu i qeverisë do tu nënshtrohet pyetjeve të deputetëve socialistë në lidhje me situatat në minierat shqiptare.

Haxhinasto

Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Edmond Haxhinasto, deklaroi pak ditë më parë se situata në shumë miniera shqiptare është jashtë kontrollit. Sipas tij, është e rëndësishme të merren masa shumë energjike për tejkalimin e kësaj situate.

Tahiri, letër Berishës për minierat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›