E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rrëmbimi i 3 efektivëve të Kosovës, Begaj: Serbia t’i lirojë menjëherë, akt provokativ për destabilizimin e rajonit

Rrëmbimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës brenda territorit kosovar nga trupat serbe, Presidenti Bajram Begaj e konsideron një akt të rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Kreu i shtetit u shpreh se strategjitë ‘eskalim për të deeskaluar’ duhet të marrin fund.

Teksa ka dënuar këtë akt, Presidenti Begaj u ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të lirojnë menjëherë efektivët e Kosovës.

“Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovëës brenda territorit kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe të mbarë rajonit.

E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve Serbe për lirimin e efektivëve kosovarë”, tha Begaj ndërsa u drejtoi gjithashtu thirrje  partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme.

Po ashtu, Begaj theksoi se koordinimi mes SHBA-BE për rikthimin në tryezën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, është tepër i rëndësishëm

“Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çtensionimin e situatës. Koordinimi mes SHBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm”, përfundoi ai.

Policia e Kosovës njoftoi dje (14 qershor), se tre efektivë të saj në pikën kufitare Tresave/Bare janë rrëmbyer nga forcat serbe. Sipas policisë “efektivët e rrëmbyer kanë njoftuar se kanë pikasur persona të maskuar dhe të armatosur dhe kanë kërkuar përforcime”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›