Basha: Shumica e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor

Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë një takimi me demokratë të degës nr. 6 në Tiranë, ka deklaruar se më shumë se 70% të qytetarëve shqiptar e kanë refuzuar sistemin politik aktual.
Sipas Bashës, koha gjatë së cilës ai nuk ishte aktiv në politikë e ka bërë të reflektojë që të shihte më qartë sesi sistemi politik ka degraduar.
“Sherret, akuzat, gjuha e urrejtjes nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka vendi. Më shumë se 70% të qytetarëve e kanë refuzuar këtë sistem politik, që nuk ofron asnjë zgjidhje për shqetësimet e përditshme të shqiptarëve. Kjo shumicë e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor në punët e vendit, një alternativë që pasqyron aspiratat e njerëzve, i dëgjon dhe fuqizon ata. Partia Demokratike mund të sjellë këtë ndryshim, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”,- ka shkruar Basha në rrjetin e tij social Facebook.
/rtsh.al/