Drafti për fshatrat turistikë, pronarët kundër
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha deklaroi dy ditë më parë, se qeveria do të hartojë një draft, që u mundëson pronarëve të fshatrave turistikë të blejnë truallin mbi të cilin janë ndërtuar vilat dhe resortet turistike, ndërsa të ardhurat do të shkojnë në fondin e kompensimit për ish-pronarët. Por, nuk është kjo zgjidhja sipas Shoqatës "Pronësi me Drejtësi". Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Agim Toro, deklaroi dje në një intervistë për "Shekulli"-n se, së pari, shteti duhet t'u kthejë pronat pronarëve dhe më pas, këta të fundit, duhet ta shesin tokën me çmimet e tregut. Për pasojë, Toro hedh poshtë faktin se fshatrat turistike janë ndërtuar mbi toka shtetërore, duke shtuar se nga 32 fshatra turistike, vetëm dy prej tyre, janë ndërtuar mbi këto troje. Toro shtoi gjithashtu se çmimet që janë vendosur sot për zonat turistike, janë shumë më të ulëta sesa ato të tregut.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dy ditë më parë se qeveria do të hartojë një draft, që u mundëson pronarëve të fshatrave turistike, të blejnë truallin mbi të cilin kanë ndërtuar vilat dhe resortet turistike, ndërsa të ardhurat do të shkojnë në fondin e kompensimit për ish-pronarët. Në fakt, si e pritën ish-pronarët këtë lëvizje të Berishës?
Koncepti i fshatrave turistike nuk është i sotëm. Ai është i hershëm dhe ne e kemi denoncuar me kohë. Ligji për zhvillimin e turizmit, që parashikon dhënien e titullit person i stimuluar, u krijoi, personave që merrnin këtë titull, në fushën e investimit dhe turizmit, privilegje të jashtëzakonshme, duke përfshirë që nga mospagimi i taksave, heqja e barrave doganore e të tjera lehtësira fiskale. Këtu ka pasur një abuzim shumë të madh, sepse qëllimi i vërtetë i fshatrave turistike ishte për zhvillimin e turizmit, gjë që nuk ndodhi në Shqipëri. Në vitin 2006, nga 32 fshatra turistike që kishin marrë licencën e personit të stimuluar, funksionuan si të tillë vetëm dy. Ndërsa gjithë fshatrat e tjera, pavarësisht se kishin këto lehtësira fiskale, u kthyen ne rezidenca të personave me gjendje ekonomike të mirë ose të politikanëve, duke privatizuar vilat që kishin ndërtuar në këto fshatra. Ne, prej kohësh kemi kërkuar që shteti t'i ndëshkojë këta njerëz që kishin marrë titullin person i stimuluar, sepse kishin devijuar nga objekti i ndërtimit të fshatrave rustike. Ndërsa tani, në vitin 2009, qeveria më në fund e pranon këtë fakt dhe kërkon zgjidhjen e problemit, duke u shitur pronën përfituesve të këtyre vilave, sepse vilat tashmë janë privatizuar në favor të individëve të caktuar, por aty ka një konflikt.
Toka nuk është u dhënë ndërtuesve të fshatrave turistike në pronësi, por u është dhënë me qira për 25 vjet. Dhe pastaj kanë të drejtën ta rinovojnë kontratën e marrjes me qira për një periudhë tjetër 25-vjeçare, e për 25 të tjera dhe në fund për 99 vjet. Kjo tokë, pas 99 vjetësh duhet të kalojë në gjendjen e mëparshme. Abuzimi i shtetit në këtë rast qëndron në faktin se shteti nuk kishte asnjë titull pronësie mbi këto toka dhe, megjithatë, ai dha me qira duke i shkelur të gjitha të drejtat e pronarëve, që pretendonin pronësinë e këtyre tokave, për arsye se komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave nuk kthenin tokën në këto vende, me arsyen e thjeshtë se toka në zona turistike nuk u kthehet pronarëve. Sot ligji parashikon që tokat t'u kthehen pronarëve. Atëherë lind pyetja: Si do të zgjidhet ky konflikt? Në radhë të parë, pronarët duan të marrin tokën e tyre dhe toka nuk duhet të shitet me atë çmim që vendos shteti, sepse nuk është çmimi i tregut. Për ndërtimin e një fshati turistik duhet të kemi parasysh se mund të jenë përdorur 4, 5 apo 10 ha tokë. Por, në fakt, zona që shfrytëzon fshati turistik, mbi të cilën nuk jepen më leje ndërtimi, kalon të 100 ha tokë, që quhet zona mbrojtëse. Atëherë lind pyetja, që këta që do të blejnë tokën, çfarë do të privatizojnë? Vetëm sipërfaqen e tokës ku është ndërtuar vila, apo oborrin e saj funksional, apo të gjithë tokën prej 100 ha tokë, që ka marrë licencë fshati turistik për të shfrytëzuar ambientin. Për mua është gjithashtu shqetësues koncepti që paraqitet për borgjezinë e re, ku në një sistem kapitalist, sistemi borgjez është koncept që i ka kaluar koha. Kapitalizmi nuk është rent i njerëzve të barabartë. Është rent i njerëzve që kanë aftësi për të përfituar me tepër nga të tjerët.
Pra, është interesi i individit, i cili vihet në bazë të zhvillimit ekonomik të një vendi. Në këtë aspekt, nëse kemi njerëz që kanë arritur të fitojnë para më shumë se të tjerët duke respektuar ligjet e shtetit, këta, në asnjë mënyrë nuk mund të përbuzen dhe të quhen me termin borgjezë të rinj. Të respektosh ligjet dhe të fitosh, është një nder dhe në këtë aspekt, unë mendoj që të respektosh të drejtat dhe liritë themelore të një njeriu, është themeli i një demokracie dhe një rendi kapitalist dhe përfituesit e këtij sistemi janë ata që e zhvillojnë jetën ekonomike të një vendi. Ndërsa ata që kanë abuzuar, që janë ndërtuesit e fshatrave turistike, duhen ndëshkuar. Përfituesit e këtyre vilave, duke e ditur që nuk është toka e ndërtuesve të fshatrave turistike, duhen ndëshkuar. Të ndëshkohen në emër të ligjit, se janë shkelës të ligjit, jo sepse janë borgjezë te rinj.
Megjithatë, z. Toro, pasojë e këtij procesi, pretendohet se do të jetë rritja e fondit për kompensimin financiar të ish-pronarëve. A është një zgjidhje kjo për ish-pronarët?
Termi që paratë do t'u jepen pronarëve, mua më duket një absurditet. Sepse pronarëve jepu tokën e tyre, se e shesin vetë ata me çmimin e tregut. Ashtu si shteti vetë nuk pyeti kur ua mori tokën pronarëve dhe ua dha ndërtuesve të fshatrave turistike në mënyrë të paligjshme, pronarët të jenë të bindur që do respektohen ligjet dhe do vënë ato norma dhe rregulla që ka sistemi kapitalist.
Ndryshe nga sa ju thoni më sipër, pretendohet se toka që do të blihet është shtetërore. A keni ju raste konkrete për të vërtetuar të kundërtën?
Nuk është vërtetë që është tokë shtetërore. Janë dhënë tokat e pronarëve për ndërtimin e fshatrave turistike. Kështu ka ndodhur në Ksamil, në Kakome, në Gjirin e Lalzit. Tek Mali i Robit mund të jetë tokë shtetërore, kurse në vende të tjera jo. Në Ksamil lejohen të përdoren dy fshatra turistike gjithsej. Ksamili është i tëri me pronarë privatë, që shteti akoma nuk ua ka kthyer pronën. Atëherë çfarë do të ndërtojnë këta pronarë privatë, nëse fshatrat turistike janë ndërtuar tashmë dhe nuk lejohet ndërtimi i fshatrave të reja.
Këta pronarë çfarë do përfitojnë, vetëm ato 20 ha ku janë ndërtuar fshatrat turistikë?
Ndaj, problemi është shumë herë më i gjerë sesa paraqitet. Është një konflikt i jashtëzakonshëm kur qeveritarët e ndryshëm kanë përfituar realisht nga këto dhëniet e licencave të fshatrave turistike. Ky problem nuk është hera e parë që është prekur nga shoqata e pronarëve. Fshatrat turistike janë kthyer në modele të një korrupsioni, të cilët përfitojnë në emër të ligjit. Pra, është korrupsion në emër të ligjit ky që ka ndodhur.
Folët për qeveritarë të ndryshëm që kanë përfituar nga dhënia e licencave të fshatrave turistike. Kujt i referoheni në këtë rast?
Është rasti i Kakomesë. Ky është një rast flagrant. Dy fshatrat turistike të Ksamilit ku iu dhanë investitorëve gjoja të huaj dhe tani janë investitorët vendas, që po i bëjnë këto ndërtime. Kemi rastin e Gjirit të Lalzit, që në një moment të caktuar, janë dhënë deri nga kryeministra të caktuar, licenca, dhe licencat janë dhënë duke shkelur edhe ato norma që ka vendosur shteti shqiptar. Për të marrë titullin person i stimuluar, duhet që me ligj të kesh titullin e pronësisë mbi tokën. Absolutisht, asnjë ndërtues i fshatrave turistike nuk e ka këtë titull. Atëherë ky është abuzimi i vërtetë.
Cila është zgjidhja, sipas jush?
Zgjidhja është dhënia e tokës pronarëve, në të gjitha rastet dhe vendosja e rregullave të shtetit kapitalist, ku secili që kërkon të përfitojë një pronë, duhet ta paguajë atë në marrëveshje me pronarin. Të gjitha zgjidhjet e tjera janë gjysmake dhe në interesa të caktuara. Duhet të kemi parasysh një gjë, që çmimet që janë vendosur sot për zonat turistike, janë shumë më të ulëta sesa ato të tregut. Prandaj, edhe në këtë rast, nëse kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, ata që do të paguajnë tokën, sërish nuk paguajnë me çmimin e tregut. Ky është qëllimi. Çmimet e tregut nuk janë ato që janë vendosur.
DETAJE
Abuzimi i shtetit
Abuzimi i shtetit në këtë rast qëndron në faktin se shteti nuk kishte asnjë titull pronësie mbi këto toka dhe, megjithatë, ai dha me qira duke i shkelur të gjitha të drejtat e pronarëve, që pretendonin pronësinë e këtyre tokave, për arsye se komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave nuk kthenin tokën në këto vende, me arsyen e thjeshtë se toka në zona turistike nuk u kthehet pronarëve. Sot ligji parashikon që toka t'u kthehet pronarëve.
Qeveritarët dhe korrupsioni
Këta pronarë çfarë do përfitojnë, vetëm ato 20 ha ku janë ndërtuar fshatrat turistike? Ndaj, problemi është shumë herë më i gjerë sesa paraqitet. Është një konflikt i jashtëzakonshëm kur qeveritarët e ndryshëm kanë përfituar realisht nga këto dhëniet e licencave të fshatrave turistike. Ky problem nuk është hera e parë që është prekur nga shoqata e pronarëve. Fshatrat turistike janë kthyer në modele të një korrupsioni, të cilët përfitojnë në emër të ligjit. Pra, është korrupsion në emër të ligjit, që ka ndodhur.
Shteti dhe fshatrat turistike
Është rasti i Kakomesë. Ky është një rast flagrant. Dy fshatrat turistike të Ksamilit, ku iu dhanë investitorëve gjoja të huaj dhe tani janë investitorët vendas, që po i bëjnë këto ndërtime. Kemi rastin e Gjirit të Lalzit, që në një moment të caktuar, janë dhënë deri nga kryeministra të caktuar, licenca, dhe licencat janë dhënë duke shkelur edhe ato norma që ka vendosur shteti shqiptar. Për të marrë titullin person i stimuluar, duhet që me ligj të kesh titullin e pronësisë mbi tokën. Absolutisht, asnjë ndërtues i fshatrave turistike nuk e ka këtë titull. Atëherë, ky është abuzimi i vërtetë.
Çmimet e tokave
Dhënia e tokës së pronave në të gjitha rastet dhe vendosja e rregullave të shtetit kapitalist, ku secili që kërkon të përfitojë një pronë, duhet ta paguaje atë në marrëveshje me pronarin. Të gjitha zgjidhjet e tjera janë gjysmake dhe në interesa të caktuara. Duhet të kemi parasysh një gjë, që çmimet që janë vendosur sot për zonat turistike, janë shumë më të ulëta sesa ato të tregut. Prandaj, edhe në këtë rast, nëse kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, ata që do të paguajnë tokën, sërish nuk paguajnë me çmimin e tregut. Ky është qëllimi. Çmimet e tregut nuk janë ato që janë vendosur.