E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, PR kërkon Bujqësinë, PDI Mjedisin

TIRANË - Aleatët e Kryeministrit Sali Berisha, parashikojnë një periudhë të vështirë negociatash, lidhur me përfaqësimin që ata do të kenë në qeverisjen e ardhshme. Janë pikërisht republikanët që e paralajmërojnë një situatë të tillë, të cilët nuk e shohin më veten të parët në ndarjen e tortës qeverisëse me Partinë Demokratike. Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, shprehet se nuk do të jetë fushë me lule procesi i negociatave mes partive aleate dhe Kryeministrit Sali Berisha. Godo njofton gjithashtu edhe dikasteret, ku synon më shumë Partia Republikane. "Ne jemi të disponuar të merremi me ekonominë, të merremi me bujqësinë, të merremi me shëndetësinë. Kjo do varet tani dhe nga marrëveshja që do të bëjë Berisha me aleatët e tjerë, në radhë të parë me LSI-në dhe me aleatët e tjerë që kanë qenë në koalicion. Kështu që nuk është një fushe me lule kjo punë. Do të ketë probleme",- paralajmëroi dje Godo. Në fakt, deri më tani, duket se Kryeministri Sali Berisha është i disponuar që t'u japë republikanëve Ministrinë e Bujqësisë. Burimet nga PD-ja deklaruan dje për "Shekulli"-n se deri më tash, Bujqësia pritet të jetë dikasteri për republikanët.


Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë PR-ja nuk do të dilte e pezmatuar edhe me largimin e Anila Godos nga posti i Ministrisë së Shëndetësisë, që aq shumë po lakmohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe pse PR-ja e ka shprehur hapur se dëshiron të mbajë këtë post, deklarata e djeshme e Godos tregon se PR-ja ka lëshuar pe, por gjithnjë i mbetet qëndrimit për të kërkuar një dikaster tjetër të rëndësishëm. Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë ashtu siç paralajmëroi edhe vetë Godo, mes Berishës dhe aleatëve pritet që të shfaqen publikisht problemet e para. Një tjetër pakënaqësi mund të vijë edhe nga Partia për Drejtësi dhe Integrim. Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, ka deklaruar se kjo parti përfaqësohet me një deputet në Kuvendin e ardhshëm dhe për pasojë, ashtu si edhe PR-së, asaj i lind e drejta për t'u përfaqësuar me një post ministror, kërkesë të cilën Kryeministri Berisha duket se po e shqyrton.


Deri me tani, për PDI-në diskutohet Ministria e Mjedisit. Megjithatë, përpos negociatave paraprake, asgjë nuk është përfundimtare, për sa kohë që nuk është arritur marrëveshja mes PD-së dhe LSI-së. Gjithçka tjetër më pas do të varet pikërisht nga ky pakt. Në rastin më të keq, Kryeministri Berisha do të jetë i detyruar që të lërë PDI-në jashtë qeverisë, ndërsa Mjedisi, që aktualisht drejtohet nga Lufter Xhuveli, t'i kalojë PR-së. Negociatat zyrtare mes PD-së dhe LSI-së do të fillojnë vetëm më datën 20 gusht, ndërkohë që për aleatët e tjerë, gjithçka do të vendoset më pas. LSI-ja, PR-ja dhe PDI-ja janë tri partitë që kërkojnë poste ministrore, ndërsa aleatët e tjerë do të kënaqen me poste zv/ministrash apo drejtorë drejtorish.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›