Drafti për makinat zyrtare, debat në Kuvend: Mundëson abuzime
TIRANË - Është shoqëruar me debate shqyrtimi i ligjit "Për Rregullimin e Transportit të funksionarëve të Lartë", sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, i cili nuk u arrit të miratohej. Disa prej deputetëve kanë kundërshtuar nene të veçanta të ligjit. Shrefedin Shehu tha se "duhet përcaktuar qartë se cilët janë kategoritë e funksionarëve që marrin makinë dhe cilët marrin bonuse, duke sjellë në vëmendje shembullin e zv.ministrave. "Është më mirë që kësaj kategorie ti lihet makina e shtetit në përdorim se sa bonusi, pasi si do që të jetë zv.ministrit s'do ti ndalohet përdorimi i makinës nga institucioni dhe kështu do ti përfitojë të dyja", tha Shehu, i cili ka qenë vetë zv.ministër i Financave. Faktet e sjella nga Shehu kanë hasur në kundërshtinë e kreut të këtij komisioni, Spartak Braho.
Po kështu është kundërshtuar edhe neni 3, në pikën që thotë se funksionarët e lartë duhet të përdorin makinën e punës në fundjavë kundrejt një pagese prej 50 mijë lekësh në vit. "Kjo pagesë është absurde dhe e papërfillshme thanë deputetët e komisionit ndaj propozuan të hiqet. Pra Presidenti, Kryeministri dhe Kreu i Kuvendit, do ti përdorin makinat lirisht sa herë të duan të kohë pune dhe pushimi. Për pikat e debatuara u vendos që ti kthehen edhe një herë Këshillit të Ministrave për saktësim.
Me anë të ligjit të ri iu hiqen makinat deputetëve dhe disa drejtorëve. Ata do të kenë bonuse që variojnë nga 150-450 mijë lekë në muaj. Ky shërbim do të kryhet me mjetet ne përdorim të institucionit, të cilat përdoren, në çdo rast, vetëm me autorizim apo urdhër të titullarit, për shërbime, sipas një programi të miratuar prej tij.
**************
"Ligji nuk njeh të drejtë targe zyrtare për asnjë zyrtar tjetër. Brenda këtij grupi propozoj që të njihet e drejta e përdorimit të automjetit edhe për qëllime jozyrtare, pra në fundjavë, por me kushtin që duke filluar nga Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri duhet të depozitojnë 500 mijë lekë të vjetra në vit në llogarinë e institucioneve të tyre, për shpenzimet e naftës",- tha Berisha ne mbledhjen e qeverise ne 1 tetor, duke shtuar se "ata zyrtarë që nuk duan të përdorin automjetin në kohën jozyrtare mund të mos e depozitojnë këtë shumë". Drafti përmban dy kategori kryesore të ndara në kategoritë me targë zyrtare dhe ato me targë jozyrtare. Në kategorinë me targë jozyrtare janë vlerësuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarët e bashkive të mëdha, të cilët do të përfitojnë një bonus për transport prej 45 mijë lekësh në muaj. "Mendoj se Parlamentit duhet t'i lihet një fleksibilitet për të respektuar distancën. Kjo shumë do të jetë mesatarja, por parlamenti ka një sekretari për buxhetin, e cila mund të bëjë llogaritjen, sepse nuk mund të ketë të njëjtin nivel Tirana me Gjirokastrën ose Kukësin",- shtoi ai. Një bonus prej 35 mijë lekësh, do të përfitojnë grupi i zv.ministrave, këshilltarëve të Presidentit, Parlamentit, Kryeministrit, drejtuesit e enteve rregullatore, komandantët e Forcave të Armatosura, zv.drejtorët e policisë dhe të shërbimit informativ, Kryetari i Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, KQZ-së, Akademisë së Shkencave, rektorët e universiteteve, zv.kryetari i KLD-së, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit. Ndërsa në një tjetër kategori, përfshihen drejtuesit e agjencive, si ajo e pronave dhe kryetaret e bashkive të tjera që do të përfitojnë një bonus prej 30 mijë lekësh. Kreu i ekzekutivit shtoi se do të ketë edhe një kategori tjetër zyrtarësh, të cilët do të trajtohen me 20 mijë lekë në muaj bonus.
Kategoria me makina me targe zyrtare:
Presidenti
Kryetari i Parlamentit
Kryeministri
Ministrat
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë
Drejtori i Shërbimit Informativ
Prokurorja e Përgjithshme
Kryetari i Opozitës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës
Kategoria që përfiton bonus 45 mijë lekë
Deputetët
Kryetarët e bashkive të mëdha
Kategoria që përfiton bonus 35 mijë lekë në muaj
Zv.ministrat
Këshilltarët e Presidentit
Këshilltarët e Parlamentit
Kryeministri
Drejtuesit e enteve rregullatore
Komandanti i Forcave të Armatosura
Zv.Drejtori i Policisë
Kryetari i Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive
Kryetari i KQZ-së
Kryetari i Akademisë së Shkencave
Rektorët e universiteteve
Zv.Kryetari i KLD-së
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese
Drejtuesit e Prokurorisë
Drejtuesit e Gjykatës së Krimeve të Rënda
Drejtuesit e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit
Kategoria që përfiton bonus 30 mijë lekë në muaj
Drejtuesit e agjencive
Kryetarët e bashkive të vogla