E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, ndëshkohen tetë lokale për zhurmat

TIRANE - Ministria e Mjedisit, e mbështetur nga Policia Bashkiake dhe ajo e rendit, ka vazhduar në fundjavën që kaloi fushatën për ndëshkimin e të gjithë atyre lokaleve që krijojnë ndotje akustike. Janë tetë lokale të vendosura në zona të ndryshme të kryeqytetit, të cilët janë gjobitur deri shumën prej 50 mijë lekësh për nivelin e lartë të zhurmave që kanë krijuar. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Mjedisit, situata në zonën e ish- bllokut gjatë fundjavës ka qenë më e qetë se një javë më parë. Inspektorët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, pas kontrolleve të ushtruara në disa zona të kryeqytetit, kryesisht në zonën e ish- Bllokut, kanë konstatuar se lokalet po ushtronin aktivitet, duke shkaktuar ndotje akustike. Pas kontrollit shtatë lokale janë gjobitur me shumën 50 mijë lekë të rinj dhe një prej tyre me shumën 30 mijë lekë. Aksioni vjen pas shqetësimeve të shumta të qytetarëve dhe pas nismës së gazetës "Shekulli" për të pasqyruar ankesat e qytetarëve për nivelin e zhurmave. Ndëshkimi i lokaleve me gjoba, apo pezullim të aktivitet do të vazhdojë deri sa të ndryshojë situatë në favor të qytetarëve.


emri i lokalit pronari vendndodhja gjoba


1."METROPOLITAN" Florent Kavidhopulli, Rr. "Dëshmoret e 4 Shkurtit", 50 000 lek
2."LIVING ROOM" Blendi Bombaj Rr. "Xhorxh Bush" 50 000 lek
3 "BLOND" Ilir Potka Rr. "Sami Frashri" 30 000 lek
4. "MARIOT" Artan Aliaj Rr. "Vaso Pasha" 50 000 lek
5."NEW IRISH" Arjon Plaku Rr. "Pjetër Bogdani" 50 000 lek
6."BODRUMI" Redi Dizdari Pranë Shkollës "Partizani" 50 000 lek
7."MILENIUM 2" Alban Xhillari Rr. "Murat Toptani" 50 000 lek
8."MAD"Andrea Kumi Bulv. "Zhane D'Ark" 50 000 lek



*******


dt. 12 tetor


Tirana kalon një natë të qetë, policia bashkiake dhe e rendit në gadishmëri

TIRANË- Banorët e kryeqytetit kanë mundur që të kalojnë një natë të qetë pasi të gjitha lokalet kanë respektuar nivelin e muzikës dhe orarin se deri kur duhet të qëndrojnë hapur. Aksioni i policisë bashkiake dhe asaj të rendit ka dhënë frytet e tij duke bërë që banorët e kryeqytetit të kalojnë një natë normale.


Aksioni ka nisur në orën 23.00 të mbrëmjes në zonën e bllokut. Në këtë orë pjesa më e madhe e lokaleve kishin filluar të mbylleshin. Në këtë situatë ka ndikuar edhe aksioni i dy ditëve më parë ku pjesa më e madhe e lokaleve që kanë tejkaluar nivelin e muzikës së lartë ose orarin e zhurmave janë gjobitur dhe detyruar të mbyllen. Verifikimi i kryer disa minuta pas mesnatës nga gazetarët e "Shekullit" ka treguar se asnjë lokal në bllok nuk tejkalonte nivelin e zhurmave. Pjesa e më e madhe e lokaleve ishin të mbyllura por edhe në ato që ishin hapur, niveli i zhurmave ishte brenda limiteve të lejuara. Patrulla të policisë bashkiake dhe asaj të rendit kanë qëndruar gjatë natës në zonën e bllokut duke mos lejuar rinisjen e muzikës së lartë.


Një situatë pothuajse e ngjashme është vënë re edhe në zonën përballë Parlamentit. Lokalet në këtë zonë janë lejuar që të qëndrojnë hapur por është monitoruar gjatë të gjithë kohës niveli i zhurmave që dilnin prej tyre. Patrullat e policisë kanë qëndruar pranë lokaleve duke u kujdesur që në asnjë rast të mos tejkalohej niveli i muzikës. Lokalet që zakonisht zhvillonin aktivitetin e tyre jashtë e kanë ndërprerë atë duke vendosur të gjithë klientët brenda. Kjo ka bërë që edhe niveli i zhurmave të lëshuara prej tyre të jetë brenda niveleve të vendosura nga Ministria e Mjedisit.


Latif Karaj: Duhet të vendoset një orar për lokalet që luajnë muzikë, ta dimë kur do kemi zhurmë e kur qetësi

Kush do t'ia dijë për hallet e popullit

Shqetësim për shumë banorë të kryeqytetit përbëjnë zhurmat që krijohen nga aktivitete të ndryshme urbane. Disa ankohen për muzikën e lartë të lokaleve, të tjerë për zhurmën e makinave apo edhe të bizneseve të vogla që mund të kenë pranë pallatit. Problemi është i njëjtë për të gjithë: askush nuk arrin të pushojë dot i qetë. Latif Karaj është një banor i kryeqytetit i cili mendon se ky problem mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet ligjit.

Ju shqetësojnë zhurmat?

Jashtëzakonisht shumë, zhurma e makinave, muzika e lartë e lokaleve madje edhe orkestrat e dasmave. Shqetësimin më të madh e përjetojmë gjatë orëve të mbrëmjes.

A jeni ankuar për këtë shqetësim?

Një pjesë e banorëve janë ankuar e një pjesë tjetër jo, pasi mendojnë se askush nuk mund t'i ndihmojë. Kush do t'ia dijë sot për hallet e popullit. Edhe nëse ankohesh nuk gjen dot njeri apo institucion që të të zgjidhë gjë.

Ju i keni kërkuar policisë të zgjidhë këtë problem?

Do të ishte mirë të ndalohen zhurmat apo të merren masa. Policia duhet të mos i lejojë pronarët e këtyre aktiviteteve t'i shqetësojnë banorët. Në familje mund të ketë të sëmurë, të moshuar, fëmijë. Duhet të vendoset një orar për lokalet që luajnë muzikë, në mënyrë që ta dimë se kur ka muzikë e kur do të kemi qetësi. Gjithçka duhet rregulluar me ligj, sepse pa ligj nuk mund të bëhet asgjë.

Ardjola Demaj : Lokalet do të ishin më mirë në periferi

Ka edhe të rinj që edhe pse i frekuentojnë shpesh lokalet e natës, pranojnë se muzika e lartë që luhet aty është shqetësuese për ata që jetojnë pranë këtyre lokaleve. Ardjola Demaj është një vajzë e re e cila mendon se zgjidhja më e mirë për këtë problem do të ishte zhvendosja e lokaleve në zonat periferike të Kryeqytetit.

A ju shqetësojnë zhurmat urbane?

Natyrisht që po. Megjithëse në zonën ku banoj ky nuk është shqetësimi kryesor. Mendoj se banorët që jetojnë pranë lokaleve të natës kanë më shumë probleme me muzikën. Duhet të merren masa për të zgjidhur problemin

Çfarë masash mendoni se duhet të merren?

Nuk jam për masa ekstreme, si p.sh mbylljen e këtyre lokaleve sepse rinisë i duhen. Por mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte t'i zhvendosnin në një zonë periferike, jashtë Tiranës. Kjo do të ishte një alternativë e mirë. Nuk duhet t'i lënë lokalet e natës në një zonë të banuar ku mund të ketë të moshuar dhe shqetësimet janë më të mëdha.

Tasim Jonuzi: Policia duhet të ketë shërbime natën

Ju shqetësojnë zhurmat?

Po sigurisht. Është mirë që të reduktohen ose të eliminohen. Pranë shtëpisë time është një aktivitet që merret me saldime, bëjnë dritare me hekur. Një aktivitet i tillë krijon jo vetëm zhurmë por lëshon dhe acide që janë shumë të dëmshme për shëndetin. Pastaj mund të shtoj edhe zhurmën e makinave që na shqetëson, sidomos ata që kanë pallatet buzë rrugës.

Si mendoni se mund të zgjidhet ky problem?

Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Policia duhet të ketë shërbime natën, të ketë njerëz që të kontrollojnë natën lokalet dhe trafikun. Duhet të merren masa ndaj atyre që e teprojnë me zhurmën. Kurse këto aktivitete private që krijojnë zhurma mendoj se duhen hequr nga zonat e banuara. Ata duhet të kenë një vend të caktuar për të bërë punën e tyre.

Hamdi Shima:, Rruga e Kavajës, zhurma e makinave është padurueshme

Zhurmat janë shumë shqetësuese, sidomos zhurmat e makinave. Unë banoj tek "Rruga e Kavajës", ku ka shumë trafik për shkak se aty ndodhen edhe selitë e disa komuniteteve fetare dhe vijnë njerëz me makina për tu falur. Krijohet një zhurmë të madhe. Rruga është shumë e ngushtë dhe shoferët u bien borive për t'i liruar rrugën njëri-tjetrit. Nëse bie ndonjë zjarr në lagje nuk ka vend për të kaluar zjarrfikësja.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›