Dragusha: Mbrojtja e Besës, më e mira e kategorisë së parë
Futbollisti kosovar, Alban Dragusha, mendon se ekipi kavajas e ka vetë në dorë fatin dhe duhet ta sigurojë direkt superligën
Besa do ta nisë fazën e dytë në fushën e saj, ku të shtunën pret Adën, pasi transferta me Gramozin u shty. Kavajasit kanë lëvizur gjatë merkatos së dimrit, sepse vendi i 5-të në fund të fazës së parë pa dyshim që nuk mund ti kënaqte drejtuesit e ekipit. Presidenti Bizhdili ka bërë disa blerje të rëndësishme me synimin që Besa të ngjitet në dyshen e parë dhe të sigurojë kështu kthimin në superligë.
Dragusha Alban Dragusha është një përforcimet e Besës. Ai është kthyer në Kavajë pas eksperiencës së shkurtër në Suedi dhe dëshiron ta ndihmojë sa më shumë këtë ekip, me të cilin ka fituar trofe, të ribashkohet me më të mirët e futbollit shqiptar. Për Sportin shqiptar Dragusha thekson mes të tjerash se Besa është një ekip solid dhe garancia për realizimin e objektivit nis nga mbrojtja, që për të është më e mira e kategorisë së parë.
Jam kthyer te Besa, sepse është një ekip që më ka dhënë shumë dhe dua ti shërbej me të gjitha mundësitë e mia. Ky ekip meriton vetëm superligën dhe ne kemi për detyrë ta kthejmë atje. Për këtë duhet të jemi sa më seriozë në çdo ndeshje, duke nisur me Adën. Në kampionatin e kategorisë së parë, që është vërtet i fortë, nuk ka ekipe të dobëta, kështu që duhet ti kushtojmë rëndësinë e duhur çdo 90-minutëshi.
Kundështari i radhës, Ada, dihet që luan fort, por ne jemi të motivuar për të dhënë më të mirën para tifozëve tanë. Besa nuk duhet ta diskutojë fitoren në Kavajë, por edhe në fushat kundërshtare. Ekipi ynë ka shumë futbollistë me përvojë dhe duhet të bëjë diferencën. Mbrojtja, ku unë bëj pjesë, mendoj se është më e mira e kategorisë së parë dhe do të jetë një garanci për fazën e dytë, por edhe repartet e tjerë janë të kompletuar.
Besa ka futbollistë me shumë përvojë, që kanë qenë pjesë e saj edhe kur ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe ka zënë vendin e dytë në superligë, ka theksuar mes të tjerash mbrojtësi kosovar, që tashmë do të luajë përkrah patriotit të tij, Arbnor Fejzullahut.
Rivaliteti Dragushës i duket mjaft interesant kampionati i kategorisë së parë, ku spikat lufta e fortë për kreun. Ai vlerëson Luftëtarin kryesues, por edhe Lushnjën, Kukësin, Besëlidhjen dhe Elbasanin.
Natyrisht, nuk do ta kemi të lehtë, sepse gara është shumë e fortë. Janë disa pretendentë, që janë edhe ekipe me emër, siç janë Lushnja, Luftëtari, Elbasani e të tjerë, por Besa do të tregojë se është ekip me mendësi fituesi. Jemi të ndergjegjshëm se tifozët dhe drejtuesit presin shumë nga ne, ka përfunduar Alban Dragusha, mbrojtësi kosovar i Besës.
