Portieri Ruçi: Elbasani, i favorizuar në derbi
Gardiani i verdhebluve, Shkëlzen Ruçi, mendon se skuadra e tij është më e pjekur dhe do të arrijë ta fitojë transfertën e Gramshit
E gjithë vëmendja në kampin elbasanas është te ndeshja e së shtunës në Gramsh, jo vetëm se është një derbi, por edhe sepse rezultati i saj tregon shumë për synimet e verdhebluve. Gjatë këtyre ditëve vihet re një besim i madh në radhët e futbollistëve të Elbasanit për një rezultat pozitiv. Skuadra po përgatitet me moral të lartë dhe gjendja e futbollistëve është mjaft e mirë. Shtyrja e javës së 17-të i ka ndihmuar verdheblutë për të arritur formën optimale përpara derbit, ku pritet shpërthimi i tyre dhe fitorja e parë në transfertë për këtë kampionat.
Portieri Ruçi Shkëlzen Ruçi, portieri i Elbasani, mendon se janë të gjitha mundësitë për fitore në Gramsh, ku ai parashikon një ndeshje të vështirë, por të kapërcyeshme. Elbasani ka shumë shanse të marrë fitoren e parë në transfertë në Gramsh. E respektojmë dhe vlerësojmë maksimalisht këtë skuadër, që është paraqitur mirë. Kuptohet që do të jetë një ndeshje me luftë të fortë sportive, por skuadra jonë duhet të japë më të mirën dhe të marrë 3 pikët për të qenë brenda objektivit, shprehet Ruçi.
Gradiani i ri i portës verdheblu, i cili ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve, pohon se Elbasani është i favorizuar për ta fituar derbin. Pavarësisht se ndeshja luhet në fushën e Gramshit, Elbasani është i favorizuar, sepse ka një grup më cilësor. Gjithashtu, ne jemi më të motivuar, pasi luftojmë për të realizuar një objektiv madhor, që është kthimi në superligë.
Ne duhet të fillojmë rimarrjen e pikëve të lëna gjatë fazës së parë. Elbasani është një skuadër më e pjekur dhe këtë gjë do ta tregojë edhe ndeshja e kësaj jave. Mendoj se kemi bërë progres të madh dhe tani synojmë të fitojmë çdo ndeshje, ka përfunduar portieri verdheblu, Shkëlzen Ruçi.
