Sinani: Luftëtari nuk ka kohë për shaka
Mbrojtësi gjirokastrit, Besmir Sinani, kërkon që Himara të vlerësohet seriozisht dhe ekipi të marrë fitoren e radhës
Në prag të javës së 17-të, Luftëtari rezulton inferior me Besëlidhjen dhe Gramshin, i barabartë me Besën, ende i pamatur me Kukësin dhe superior me 11 ekipet e tjera. Me Vlorën i ka zhvilluar dy ndeshjet e këtij kampionati dhe tani është në prag të likujdimit edhe me Himarën, ku gjithë gjasat janë për të korrur fitoren, edhe pse mund të mos ketë në dispozicion gjeneratorin e tij të golave, Norën, që është drejt riaftësimit të plotë, pasi dje u ingranua me ekipin.
Koha për ndeshjen e radhës ka qenë e bollshme, edhe pse moti disa ditë ka qenë i ashpër dhe ka ndikuar në procesin stërvitor. Luftëtari luajti edhe një ndeshje miqësore me Bylisin, ndërkohë që për arsye dëmtimesh nuk do të jenë të gjithë në dispozicion. Në letër ndeshja me Himarën rezulton tabako për Luftëtarin, por gjithmonë asgjë nuk është e garantuar, sepse fjala surprizë nuk është vetëm për fjalorët shpjegues. Te Luftëtari, që te stafi e deri te lojtarët, ka mjaft ustallarë që e dinë fare mirë këtë, ndaj dhe nuk mund të shkelin në dërrasë të kalbur.
Sinani Një nga lojtarët vendas me stazh dhe që vetëm fanellën e Luftëtarit ka veshur, është mbrojtësi Besmir Sinani, i cili shprehet:Të mos nënvlerësosh asnjë ekip. Kjo është ajo që duhet të shoqërojë gjithë kampionatin një ekip, që ka objektiv të rëndësishëm, pra edhe Luftëtarin, që kërkon kthimin në superligë.
Siç kemi bërë deri tani, edhe në vazhdim duhet të vlerësojmë çdo ekip, pavarësisht nga pozicioni që ka në renditje, sepse ndonjëherë e keqja vjen andej nga nuk e pret dhe në futboll gjëra të tilla kanë ndodhur dhe do të ndodhin.
Himara është debutuese në kategorinë e parë dhe aktualisht ndodhet në fund të renditjes, por ajo me siguri nuk e ka humbur shpresën, që vdes e fundit, kështu që do të bëjë përpjekjet e saj për tiu larguar sa më shumë zonës sizmike. Kjo do të thotë se edhe ndaj nesh do të luftojë ndoshta edhe për pikë. Normalisht, fitorja është jona, por ajo nuk arrihet ngaqë ne kemi realizuar shumë të tilla.
Ajo merret po të vazhdojmë të luajmë si deri tani, pse jo edhe më mirë. Jam i bindur se ekipi ynë do të bëjë pikërisht këtë që po theksoj dhe do të fitojmë 3 pikët edhe në këtë ndeshje për të vazhduar kryesimin, ndoshta edhe për ta thelluar diferencën me ndonjë nga rivalët, si rezultat i kombinimeve me rezultate e tyre. Për ekipin tonë nuk është koha për shaka, por për sa më shumë fitore.
